Strategjia e zhvillimit të Zonës së Madhe të Gjirit ka tërhequr shumë të rinj të provincës Guangdong, të Hong-Kongut e të Makaos, të marrin pjesë në zhvillimin e vendlindjes së tyre. Ndër ta, shumë të rinj të Makaos po krijojnë të ardhmen e bukur me entuziazmin e risitë e tyre.

Në një ndërtesë zyre në Makao ka një shtëpi botuese të vogël me emrin "Populli i Makaos". Megjithëse është e vogël, shtëpia botuese është zhvilluar shumë shpejt. Në fillim ajo botonte vetëm një libër në vit, ndërsa tani çdo muaj boton nga një libër. Themeluesja e kësaj shtëpie botuese është një vajzë nga Makaoja, 30-vjeçarja Zhang Yanqing. Ajo rrëfen lidhur me shtysën për krijimin e kësaj shtëpie botuese:

"Më ka pëlqyer të lexoj libra që në fëmijëri dhe kam pasur interes të vizitoja librari të vogla për të gjetur libra interesantë. Në të kaluarën në Makao nuk mund të gjeja libra të shkruar nga autorë vendorë dhe në librari shiteshin vetëm libra të autorëve nga Tajvani, Japonia e Hong-Kongu. Prandaj, u thashë shokëve e shoqeve të mia të universitetit se do të krijoja një shtëpi botuese për të botuar libra të shkruar nga ata."

Pas mbarimit të studimeve pasuniversitare, Zhang Yanqing krijoi shtëpinë botuese "Populli i Makaos", së bashku me shokë e shoqe të saj. Me përhapjen e strategjisë së ndërtimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, Zhang Yanqing-u gjeti mundësinë e fuqizimit të shtëpisë së saj botuese. Ajo zhvilloi bashkëpunim me një shtypshkronjë në qytetin Zhuhai të provincës Guangdong, duke i dhënë kështu shtysë zhvillimit të shtëpisë së saj botuese:

"E bëjmë shtypjen e librave në Zhuhai, për arsye që atje ka pajisje të përparuara dhe shumë teknologji të fundit të shtypjes. Më e rëndësishmja është që, me realizimin e integrimit të Zonës së Madhe të Gjirit, udhëtimi nga Makao në Zhuhai kërkon një kohë shumë të shkurtër, vetëm afro gjysmë orë."

Sivjet, provinca Guandong dhe qeveria e Makaos kanë zhvilluar bashkëpunim për të krijuar baza të përkrahjes së biznesit të të rinjve të tyre. Me integrimin e mëtejshëm të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, shumë të rinj nga Makaoja si Zhang Yanqing-u kanë filluar biznesin e tyre në sektorët kulturorë, të teknologjisë së lartë etj. Zhang Yanqing-u shpreh ëndrrën e saj për të ardhmen:

"Vitet e fundit, librat e botuar nga shtëpia jonë botuese kanë ardhur duke u shtuar nga viti në vit. Kam një ëndërr që, në të ardhmen, në raftet e librarive të pjesës kontinentale, të ketë edhe libra të botuar në Makao." (Fani)