Muzeu i Shkrimit

I

Në Muzeun e Shkrimit të Kinës, që ndodhet në qytetin Anyang të Kinës Qendrore, u zhvillua një leksion mbi hieroglifet kineze për fëmijët parashkollorë.

Në ekran u paraqitën disa hieroglife të gdhendura në zhguajt e breshkave e në kocka, që janë hieroglifet më të lashta kineze. "人" (njeri), "日" (diell), "田" (arë), këto hieroglife të lashta u ngjajnë shumë hieroglifeve të sotme dhe disa fëmijë i dalluan dhe i lexuan me radhë. Kur edukatorja u tregoi se këto janë hieroglifet që përdoreshin nga kinezët e lashtë para mbi 3 mijë vjetëve, ata u habitën shumë.

Kursi i shkrimeve në zhguaj e kocka

"Qysh nga hapja e kursit të shkrimeve në zhguaj e kocka, një pamje e tillë është përsëritur herë pas here, si për të rriturit, ashtu edhe për të miturit", shpjegon Yang Junhui, përgjegjësi i këtij kursi pranë Muzeut të Shkrimit të Kinës. Shumë njerëz zbuluan për herë të parë mrekullinë e hieroglifeve kineze. Ndërkohë, synimi i këtij kursi është pikërisht njohja nga publiku e shkrimeve në zhguaj e kocka dhe e historisë së hieroglifeve kineze.

Sot, për vizitorët në qytetin Anyang, Muzeu i Shkrimit është një tjetër pikë turistike e domosdoshme që të vizitohet, krahas rrënojave të Yinit (kryeqytetit të dinastisë Shang). Ky është një muze me prestigj botëror, veçanërisht sivjet, kur është 120-vjetori i zbulimit të shkrimeve në zhguaj e kocka. Si burim i hieroglifeve kineze, vlera e këtyre shkrimeve të lashta është çmuar gjithnjë e më shumë.

II

Në vitin 1899, dijetari dhe zyrtari i dinastisë Qing Wang Yirong zbuloi shenja misterioze në disa kocka të shitura nga tregtarët e antikave. Këto ishin shkrimet në zhguaj e kocka të dinastisë Shang.

"U zbulua sekreti i para tre mijë vjetëve", kështu e vlerësoi zbulimin e befasishëm të këtyre shkrimeve dijetari Luo Zhenyu, pionieri i studimeve mbi shkrimet në zhguaj e kocka.

Në fund të shekullit të 19-të, Kina ishte në rënie. Me hyrjen e shkencës perëndimore, një pjesë dijetarësh filluan të dyshonin te qytetërimi kinez, e madje u shfaqën zëra për mospërdorimin e hieroglifeve kineze. Zbulimi i shkrimeve në zhguaj dhe në kocka iu duk dijetarëve kinezë si një rreze drite në errësirë.

"Shkrimet në zhguajt e breshkave e në kocka janë pasqyrë e mendimeve të njerëzve të kohës së lashtë dhe shënime të drejtpërdrejta historike. Nga këta zhguaj dhe kocka, mund të njohim shumë ngjarje e karaktere të dinastisë Shang dhe mund të kuptojmë lartësinë e qytetërimeve të asaj kohe." Tang Jigen, që ka drejtuar për mbi 20 vjet gërmimet arkeologjike në rrënojat e Yin-it, thotë se shkrimet në në zhguajt e breshkave e në kocka dhe rrënojat e Yin-it vërtetojnë rrënjësisht dinastinë Shang, që dikur kishte qenë vetëm një legjendë. Kështu, historia e shkruar e Kinës u çua një mijë vjet më herët.

III

Si format më të hershme të konsoliduara të shkrimit të përdorura nga kombi kinez, me t'u zbuluar pas nxjerrjes nga rrënojat, shkrimet në zhguaj e kocka u deshifruan pjesërisht. Gjatë 120 vjetëve, u zbuluan gjithsej afro 4500 hieroglife në zhguaj e kocka dhe një e treta prej tyre u deshifruan. Dy të tretat e tjera janë kryesisht emra njerëzish ose vendesh. Ky fakt i papërfytyrueshëm është pikërisht veçoria e shkrimit kinez.

"Ndryshe nga shkrimi kuneiform në Mesopotami, shkrimet në Egjiptin e lashtë e në Indinë e lashtë dhe shkrimi i majave në Amerikën Qendrore, shkrimi në zhguaj e kocka i Kinës së lashtë nuk u zhduk dhe është trashëguar brez pas brezi, duke u shndërruar në hieroglifet e sotme," shpjegon Song Zhenhao, drejtori i Qendrës Kërkimore mbi Historinë e Dinastinë Shang me Kryeqytet Yin-in. "Si një nga shkrimet më të lashta me zanafillë të pavarur, shkrimi kinez është i vetmi që trashëgohet dhe përdoret deri më sot. Ai ka rëndësi të madhe edhe për kuptimin e alfabeteve të tjera të lashta."

IV

Gjatë mbi tre mijë vjetëve, edhe shkrimi kinez ka përballuar sfida njëra pas tjetrës. Megjithatë, ai ka arritur të përtërihet e të përmirësojë vetveten gjatë krizave dhe ka treguar gjallëri e qëndrueshmëri të madhe.

Si drejtor i Muzeut të Shkrimit të Kinës, të rinjtë i kanë bërë shpesh Huang Dekuanit një pyetje: "Në kohën e informacionit, kur komunikimi realizohet nëpërmjet celularit dhe dokumentet audiovizive mund të ruhen për një kohë të gjatë, a ka më rol të madh shkrimi?"

Edhe pse i është përgjigjur shumë herë kësaj pyetje, Huang Dekuan-i ka prapëseprapë dëshirë ta përsëritë: "Informacionet e ruajtura me shkrim mund t'u qëndrojnë më mirë provave të kohës. Interneti, si teknologji e re për transmetimin e informacionit, nuk mund të zëvendësojë funksionin e shkrimit. Nga këndvështrimi i lindjes e zhvillimit të qytetërimit kinez, hieroglifet kineze kanë luajtur rol kyç dhe themelor."

V

Qysh nga lindja e tij, shkrimi në zhguajt e breshkave dhe kocka ka qenë mbartës i bukurisë dhe ka krijuar hapësirë të gjerë për krijimtarinë artistike.

Kohët e fundit, në qytetin Anyang u zhvillua një ekspozitë e bukurshkrimit me hieroglifet në zhguaj e kocka.

Ndërkohë, profesori i Shkollës së Arteve të Bukura pranë Universitetit Tsinghua, Chen Nan, i jep këtij shkrimi të lashtë bukurinë moderne përmes mënyrave në modë. Ai ka publikuar me radhë filmin e animuar "Goditja me shigjetë e diellit", tipat e parë të shkronjave në botë të dizenjuar sipas hieroglifeve në zhguaj e kocka, piktura me hieroglifet në zhguaj e kocka dhe meme në bazë të këtyre hieroglifeve. Me përpjekjet e tij, shkrimi i lashtë, që kishte mbetur vetëm si relikt dhe në libër, është bërë i gjallë.

"Shkrimi në zhguajt e breshkave e në kocka pasqyron estetikën naive të njerëzve të lashtë. Sot ai bëhet më interesant kur integrohet me dizenjimin modern. Ai është trashëgimi e historisë, por pasqyron edhe përparimin e qytetërimit njerëzor. Rëndësia e tij e kapërcen atë të një shkrimi," thotë Chen Nan.

Gjatë 120 vjetëve pas zbulimit të shkrimit në zhguajt e breshkave e në kocka, studimi i këtij shkrimi është bërë një shkencë ndërkombëtare dhe studiuesit e tij janë të shpërndarë në dhjetëra vende. Ky lloj shkrimi është bërë edhe një mjet i rëndësishëm për njohjen e historisë e të qytetërimit të hershëm të Kinës. (Wang Lei)