Juria

Më 15 qershor u hap Festivali i 22-të Ndërkombëtar i Filmit i Shangait. Si i vetmi festival ndërkombëtar i filmit i kategorisë A në Kinë, me zhvillimin mbi 20-vjeçar, sot ai ka fituar famë të madhe në arenën ndërkombëtare të filmit. Shumë regjisorë të famshëm kinezë e të huaj kanë sjellë veprat e tyre në Festivalin e Filmit të Shangait e shumë regjisorë e aktorë të njohur kanë qenë anëtarë të jurisë së festivalit, si Oliver Stone, Luc Besson, Ang Lee, Karwai Wong etj.

Sivjet kryetari i jurisë së Festivalit të Filmit të Shangait është regjisori i famshëm turk Nuri Bilge Ceylan, kurse anëtarët e jurisë përfshijnë regjisorin italian Paolo Genovese, regjisorin indian Rajkumar Hirani, aktorin kinez Wang Jingchun etj. Gjatë festivalit 10-ditor, do të shfaqen më se 500 filma kinezë e të huaj, ndër të cilët, 15 filma, duke përfshirë tre filma kinezë, do të marrin pjesë në garën për çmimin "Kupa e artë", çmimin më të lartë të festivalit. Regjisori Nuri Bilge Ceylan u shpreh në ceremoninë e hapjes se magjia e festivalit të filmit është shfaqja e figurës së vërtetë të çdo kineasti. Ai tha se pret të zhvillojë shkëmbime mendimesh me anëtarët e jurisë për të përzgjedhur veprat më të shquara.

Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, në edicionin e këtij viti të Festivalit të Filmit të Shangait është organizuar posaçërisht shfaqja e filmave të vjetër klasikë. Shikuesit mund të ndiejnë procesin e pazakonshëm të zhvillimit të Kinës gjatë 70 vjetëve nëpërmjet kinematografisë.

Grupi Mediatik i Kinës (CMG) është një nga organizuesit e Festivalit të 22-të të Filmit të Shangait. Në këtë festival, CMG ka realizuar transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë së hapjes të festivalit me qartësi super të lartë 4K dhe transmetimin e sinjave televizive me 5G, duke krijuar një ndër elementet më të spikatura në këtë festival. (Fani)