Instituti "Konfuci" është një institucion i përhapjes së gjuhës e të kulturës kineze në mbarë botën, i krijuar nga Zyra Shtetërore për Promovimin Ndërkombëtar të Gjuhës Kineze. Instituti i parë "Konfuci" u krijua në nëntor të vitit 2004 në Seul të Koresë së Jugut. Gjatë këtyre 13 vjetëve, janë krijuar 525 institute dhe 1113 klasa "Konfuci" në 146 vende e rajone të botës dhe numri i studentëve të tyre i ka kaluar 9 milionët. Sot Instituti "Konfuci" është bërë një platformë e rëndësishme për shtimin e miqësisë midis popullit kinez e popujve të tjerë e për nxitjen e shkëmbimeve midis qytetërimit kineze e qytetërimeve të tjera botërore.

Më 12 e 13 dhjetor u zhvillua në qytetin e lashtë kinez Xian Konferenca e 12-të Globale e Institutit "Konfuci", ku rektorë universitetesh dhe përfaqësues të instituteve e klasave "Konfuci" nga mbi 140 vende shkëmbyen mendime për zhvillimin e Institutit "Konfuci", thellimin e shkëmbimeve njerëzore etj.

Në ceremoninë e hapjes, një studente e verbër e Institutit "Konfuci" tërhoqi vëmendje të madhe. Ajo është studente e vitit të tretë në degën e gjuhës kineze të Universitetit të Khartumit në Sudan, si edhe studente e Institutit "Konfuci" pranë këtij universiteti, dhe ka emrin kinez Li Can. Li Can ka një defekt të lindur në retinë dhe përvoja e saj e mësimit të gjuhës kineze në kushtet e verbërisë u duartrokit fuqishëm nga të pranishmit në konferencë. Ajo tha:

"Në fillim mund të shihja vetëm hieroglifet shumë të mëdha, por gradualisht edhe ato u zhdukën nga shikimi im, kështu që, që nga ajo kohë, fillova ta mësoj gjuhën kineze me anë të dëgjimit. Megjithëse është shumë e vështirë, unë nuk heq dorë. Para mësimit, dëgjoj tre herë fjalët e reja, pastaj recitoj tekstin, përndryshe nuk mund ta kuptoj mësimin."

Për shkak të mungesës së shikimit, Li Can-i nuk mund të shkruajë dot hieroglifet kineze, prandaj nuk mund të marrë dot pjesë në provimin e gjuhës kineze. Për të realizuar ëndrrën e saj, sivjet Selia Qendrore e Institutit "Konfuci" organizoi një provim të posaçëm për Li Can-in, të cilin ajo e kaloi me sukses, duke fituar bursën e Institutit "Konfuci" për të studiuar në Kinë. Li Can-i u shpreh se mësimi i gjuhës kineze ia ka ndryshuar jetën.

Magjia e gjuhës kineze po tërheq më shumë të huaj si Li Can-i. Sipas të dhënave të Selisë Qendrore të Institutit "Konfuci", deri tani, numri i studentëve në institutet ose klasat "Konfuci" në mbarë botën ka arritur në 9.16 milionë. Çdo vit më se 500 mijë të rinj të vendeve të ndryshme marrin pjesë në konkursin "Ura e gjuhës kineze".

Në vitin 2004, në Universitetin e Maryland-it në ShBA u krijua Instituti i parë "Konfuci" në Amerikën Veriore. Kryetari i Akademisë Kombëtare të Inxhinierisë të ShBA-së dhe anëtari i Këshillit të Selive Qendrore të Institutit "Konfuci" Dan Mote, që mori pjesë në konferencë, u shpreh se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, numri i studentëve të instituteve "Konfuci" në Amerikën Veriore e në gjithë globin është rritur jashtëzakonisht shpejt. Sipas mendimit të tij, shekulli i 21-të është epoka e zhvillimit nëpërmjet talenteve e risive, kurse Instituti "Konfuci" është pikërisht një platformë e rëndësishme risish dhe e nxitjes së shkëmbimeve midis talenteve:

"Instituti 'Konfuci' po bëhet më i pjekur dhe, meqë ka lindur në epokën e shpirtit të sipërmarrjes, po u kushton rëndësi risive e bashkëpunimit. Mund të themi se Instituti 'Konfuci' po bën përpjekje për të krijuar komunitetin e fateve të përbashkëta të njerëzimit nëpërmjet risive e bashkëpunimit."

Në maj të vitit 2007, Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit krijoi Zyrën e Institutit "Konfuci", duke u bërë shkolla e parë e lartë kineze që krijonte një departament të posaçëm për menaxhimin e këtij instituti. Deri tani, Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit ka krijuar me autorizim 23 institute "Konfuci" në 18 vende të botës. Rektori i këtij universiteti Peng Long shpreh mendimin se zhvillimi i pandërprerë i Institutit "Konfuci" jo vetëm ka nxitur shkëmbimet kulturore midis Kinës e vendeve të tjera, por edhe ka krijuar mundësi të mira për shkollat e larta kineze:

"Pjesëmarrja e shkollave të larta kineze në krijimin e Institutit 'Konfuci' është një risi në historinë e promovimit të gjuhëve në botë. Në këtë mënyrë, shkollat e larta kineze kanë zhvilluar shkëmbime e bashkëpunim në fusha të ndryshme me homologet e tyre të huaja, duke nxitur shumë ndërkombëtarizimin e arsimit kinez." (Fani/Artan Goga)