Në fillim të dhjetorit u zhvillua në Pekin edicioni i 7-të i Stinës së Leximit, e organizuar bashkërisht nga Administrata e Përgjithshme Shtetërore e Shtypit, Botimeve, Radios, Filmit e Televizionit e Kinës dhe Bashkia e Pekinit. Kjo veprimtari ka për qëllim që të nxitet kthimi i leximit të librave në një mënyrë jetese të banorëve të kryeqytetit të Kinës.

Sipas të dhënave, leximi i librave po bëhet zakon i jetës së shumë pekinasve. Përqindja e leximit të banorëve të Pekinit arrin në 92.73%, shifër kjo 12.69 % më e lartë se mesatarja e mbarë Kinës. Në vitin 2017, koha mesatare ditore që pekinasit kalojnë duke lexuar është 65.09 minuta dhe çdo qytetar lexon mesatarisht 10.97 libra fizikë në vit. Krahas kësaj, shpenzimet mesatare vjetore për blerje librash për frymë arrijnë në 653.34 juanë dhe sivjet 64.77 % e pekinasve kanë blerë libra në librari. Në një anketë del se pekinasit lexojnë libra kryesisht për të marrë njohuri dhe për të plotësuar interesat dhe kërkesat e punës e të mësimit.

Në Stinën e Leximit të Pekinit sivjet u organizuan më se 30 mijë aktivitete të ndryshme, që tërhoqën mbi 10 milionë qytetarë. Nëpërmjet leximit të përbashkët, ekspozitës së lëvizshme të librave, dhënies së librave të lexuar lexuesve të tjerë etj., ata kanë ndier magjinë e leximit.

Në Stinën e Leximit u dhanë disa çmime, si për shembull "Çmimi i 10 librarive më tërheqëse të Pekinit". Libraria "Zhongxin" është një prej fitueseve. Drejtori i përgjithshëm i promovimit i kësaj librarie u shpreh se risitë janë shkaku kryesor i marrjes së çmimit:

"Libraria 'Zhongxin' organizon një sërë veprimtari me tema të ndryshme. Për shembull, kemi organizuar tregun e librave me temën e teknologjisë së të ardhmes, ku ftohen specialistët t'u shpjegojnë lexuesve teknologjinë e lartë dhe paraqiten produkte me teknologji të lartë, si avioni i telekomanduar, makina që ndihmon në blerjen në internet etj."

Libraria "Orakulli-Hapësira e leximit" është një librari tjetër që fitoi "Çmimin e 10 librarive më tërheqëse të Pekinit" sivjet. Kjo librari gjendet në një lagje banimi dhe organizon veprimtari të ndryshme kulturore në shërbim të banorëve të lagjes. Nëpunësja e librarisë Liu Chunxia thotë:

"Ne u shërbejmë kryesisht banorëve të lagjes dhe organizojmë veprimtari të shumëllojshme, si për shembull kurse të kulturës tradicionale kineze, të bukurshkrimit, të veglave muzikore kineze etj., leksione, shfaqje filmi etj. Shpresojmë që veprimtaritë e librarisë ta pasurojnë jetën kulturore të qytetarëve."

Nxënësi 11-vjeçar Ma Yicong e shijon shumë kohën e leximit në librarinë "Orakulli-Hapësira e leximit". Ai merr pjesë edhe në kursin e bukurshkrimit të organizuar nga libraria:

"Vij shpesh në librari për të lexuar pas shkollës. Jam regjistruar në kursin e bukurshkrimit të librarisë dhe e kam vijuar atë prej një viti. Është një kurs shumë interesant."

75-vjeçari Tao Zhi është një nga të përzgjedhurit si "Lexues i dalluar" gjatë Stinës së Leximit. Sipas tij, leximi është një mënyrë e domosdoshme për ngritjen e nivelit kulturor:

"Kam dëgjuar se në Gjermani, Izrael etj., sasia e librave të lexuar është shumë e lartë dhe, si rrjedhim, niveli kulturor i qytetarëve të këtyre vendeve është shumë i lartë. Prandaj leximi ka shumë rëndësi për një vend. Duhet të nxitim të gjithë njerëzit, të gjitha familjet dhe të gjithë shoqërinë të lexojnë libra dhe ta duan leximin."

Ambasadori i Stinës së Leximit të Pekinit për vitin 2017 dhe themeluesi i shkollës "Xindongfang" Yu Minhong i bën thirrje shoqërisë të krijojë një atmosferë më të mirë për leximin, duke tërhequr më shumë të rinj të lexojnë libra:

"Për shembull, çdo ditë unë lexoj shumë artikuj në aplikacionin 'Wechat' në celular, por kjo nuk mund të më ndihmojë të mendoj në mënyrë të thellë. Leximi i librave është shumë i rëndësishëm, sepse në çdo libër ka pikëpamje të autorit dhe autori shpjegon pikëpamjen e vet nëpërmjet rendit logjik e analizës së thellë. Prandaj, përvit unë lexoj të paktën 20 deri në 30 libra." (Fani)