Deri në fund të nëntorit, të ardhurat nga shitja e biletave në kinematë e Kinës për vitin 2017 i kaluan 50 miliardë juanët. Kjo është hera e parë që të ardhurat vjetore nga shitja e biletave të kinemave kineze arrijnë mbi 50 miliardë juanë. Njëkohësisht, kinematografia kineze ka shfaqur karakteristikën e larmisë e të shumëllojshmërisë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme Shtetërore të Shtyp-Film-Radiotelevizionit të Kinës, deri më 20 nëntor, të ardhurat nga biletat e kinemave të Kinës për vitin 2017 arritën në 50 miliardë e 20 milionë juanë. 78 filma arritën të fitojnë mbi 100 milionë juanë nga shitja e biletave, ndër të cilët 39 filma kinezë. Vlen të vihet në dukje se filmi kinez "Wolf Warrior II" fitoi 5.6 miliardë juanë nga shitja e biletave, duke zënë vendin e parë në Kinë për vitin 2017.

Shumë shikues shprehën pëlqimin e tyre për filmin "Wolf Warrior II":

"Ky është filmi më i mirë kinez për këtë vit. Si nga skenat, atmosfera, historia, personazhet etj., është shumë i mirë."

"Derdha lot kur e pashë filmin. Mendoj se atdheu ynë është bërë me të vërtetë i fuqishëm."

"Skena e lëshimit të raketave në film më emocionoi."

Deri tani, numri i shikuesve të filmit në mbarë Kinën për vitin 2017 ka arritur në 1 miliard e 448 milionë, 15 % më shumë në krahasim me vitin e kaluar, duke zënë vendin e parë në botë. Njëkohësisht në vitin 2017, sasia e ekraneve të kinemave në Kinë arriti në 49 mijë, duke e kaluar ShBA-në dhe duke zënë vendin e parë në botë. Specialisti i medias Xia Nan është i mendimit se shtimi i audiencës së filmit ka lidhje me ngritjen e cilësisë artistike dhe të nivelit të industrisë kinematografike të Kinës:

"Për shembull, filmi kinez 'Beteja e kujtimeve' shfaq dukshëm strukturën e filmit thriller. Një film tjetër që më ka lënë përshtypje të thellë është 'Ditët tona të shkëlqyera'. Në krahasim me filmat e tjerë rinorë, ky film shfaq plotësisht pamjen pozitive të rinisë së sotme kineze."

Vitet e fundit, në tregun kinez të filmit, prirja e shumëllojshmërisë është bërë më e dukshme. Amatorja e filmit Wang Rui u shpreh se këtë vit, shfaqja e dokumentarit "22" është befasia e këndshme më e madhe:

"Gëzohem kur shoh se shumë kinema e shfaqin këtë dokumentar duke tërhequr shumë të rinj. Kjo tregon se një film i mirë mund të tërheqë audiencë."

Nga ana e tij, regjisori i ri kinez Wang Da është i mendimit se sivjet, disa dokumentarë e filma artistikë eksperimentalë, si "22", "Kangrinboqe" etj., patën fitime të mira nga shitja e biletave në kinema, gjë që tregon transformimin e tregut kinez të filmit:

"Sivjet është viti i transformimit të tregut. Në të kaluarën, shumë njerëz nuk mund ta mendonin se dokumentari ose filmi artistik eksperimental mund të siguronte fitime nga shitja e biletave. Mendoj se vitin e ardhshëm, në treg do të shfaqen filma me larmi më të madhe llojes e temash."

Të ardhurat e filmave kinezë nga shitja e biletave për vitin 2017 janë 26.2 miliardë juanë, duke zënë 52.4% të të ardhurave të përgjithshme. Megjithatë, ndër 10 filmat me të ardhura më të larta, 6 janë filma të huaj, si "Fast & Furious 8", "Transformers 5", "Dangal" etj., të prodhuar nga "Hollivudi" ose "Bollivudi". Kjo gjendje që filmat e "Hollivudit" kryesojnë listën për sa u përket të ardhurave nga shitjet e biletave në kinematë kineze është përsëritur vazhdimisht në vitet e fundit. Lidhur me këtë, regjisori Wang Da u shpreh se, në krahasim me filmat e "Hollivudit", filmave kinezë u mungojnë ende prodhimi i sofistikuar dhe skenarët e mirë:

"Ekziston vërtet mangësi. 'Hollivudi' ka zhvillim të shpejtë në industrinë e filmit e në krijimin e skenarëve. Me shtimin e investimeve në kinematografi, ne mund t'i ftojmë profesionistët e 'Hollivudit' të marrin pjesë në prodhimin e filmit kinez. Njëkohësisht duhet të bëjmë përpjekje në krijimin e skenarëve. Kjo është baza e një filmi të mirë." (Fani)