机制--- [jī zhì]---mekanizëm

Kohët e fundit, prodhuesi më i madh kinez i baterive të automjeteve elektrike CATL njoftoi se do të shpenzojë 7.34 miliardë euro për të ndërtuar një fabrikë në Hungari. Kjo do të jetë fabrika më e madhe e baterive në Evropë, ndërsa Hungaria tha se do të jetë investimi më i madh në historinë e këtij vendi. Ky rast tipik është një portretizim i vërtetë i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore për të arritur përfitime të ndërsjella nëpërmjet hapjes dhe gjithëpërfshirjes.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës tregojnë se në vitin 2021, vëllimi i tregtisë dypalëshe ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore ishte 124 miliardë e 20 milionë dollarë amerikanë, duke u rritur 29.7 % në krahasim me vitin 2020.

Foto:VCG

Foto:VCG

Vëllimi i tregtisë dypalëshe të produkteve bujqësore arriti në 1.57 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje prej 13.9 %. Kina importoi 790 milionë dollarë produkte bujqësore nga vendet e EQL-së, 23.1 % më shumë krahasuar me vitin 2020.

Samiti i liderëve Kinë-EQL, i mbajtur në fillim të vitit 2021, parashtroi objektivin që "të dyfishohen importet bujqësore të Kinës nga vendet e EQL-së në pesë vjetët e ardhshëm dhe të rritet vëllimi i tregtisë bujqësore dypalëshe me 50 %". Sipas statistikave, detyrat në kuadër të këtij objektivi për vitin 2021 janë kryer me sukses.

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit të Hesenit të Gjermanisë dhe konsulent i Lartë i Qendrës Ndërkombëtare të Promovimit të Investimeve në Kinë (Gjermani), shprehet: "Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së filloi para dhjetë vjetëve. Që prej atëherë, të dyja palët kanë krijuar shumë platforma bashkëpunimi në fusha të ndryshme."

Per të nxitur bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, Kina dhe vendet e EQL-së mbajnë rregullisht ekspozita, mbledhje ministrore për promovimin e ekonomisë dhe tregtisë, panaire bashkëpunimi në fushën e investimeve dhe veprimtari të tjera. Gjatë shpërthimit të epidemisë së COVID-19, Kina dhe vendet e EQL-së zhvilluan së bashku një ekspozitë në internet të produkteve karakteristike bujqësore, për të shfrytëzuar potencialin e bashkëpunimit dypalësh në nivele të shumta dhe në një gamë të gjerë fushash.

Ma Hongtao, drejtori i Qëndrës së Nxitjes së Tregtisë Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë të Kinës, thotë: "Si me prani fizike, ashtu edhe në internet, paraqitëm produkte bujqësore të cilësisë së lartë me karakteristika të ndryshme të vendeve të EQL-së. Njëkohësisht, u shtuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe ekonomisë bujqësore. "

Ndërsa Tarik Bukvic, ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në Kinë, u shpreh:

"Kjo është diçka e re, inovative. Ne jemi këtu në internet dhe jemi në gjendje të dëgjojmë për produktin tonë. Vërtet diçka e mahnitshme dhe mendoj se është shumë e dobishme. "

Foto:VCG

Foto:VCG

Thelbi i mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së është leverdia e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta. Në dhjetë vjetët e fundit, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së është bërë më i ngushtë dhe ritmi i rritjes së tregtisë dypalëshe është mesatarisht 8 %, dy herë më shumë se rritja e tregtisë ndërmjet Kinës e BE-së.

Dr. Borchmann shprehet:

"Në bashkëpunimin me Kinën, vendet e EQL-së kanë përfituar shumë. Edhe Greqia ka marrë pjesë në mekanizmin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së. Duke përfituar nga kjo, vëllimi i tregtisë dhe i investimeve dypalëshe është rritur. Së bashku me hapjen e tregut të madh të eksportit në Kinë, ky mekanizëm bashkëpunimi është bërë simbol i lulëzimit dhe i rritjes ekonomike të rajoneve europiane që ishin të pafavorizuara më parë."

Foto:VCG

Foto:VCG

Nga ana e tij, Vatroslav Belan, ish-koordinatori i Malit të Zi për mekanizmin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së, vëren:

"(Ky mekanizëm) lidh dy kontinente dhe hap mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Shpresoj se në mjedisin e ri pas epidemisë, (ky mekanizëm) do të forcojë jo vetëm lidhjet ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së, por edhe lidhjet mes vetë vendeve të EQL-së. Ky mekanizëm e ka përligjur ekzistencën e vet në 10 vjetët e parë dhe shpresojmë se në të ardhmen marrëveshjet dhe planet e miratuara më parë do të realizohen." (Çang Çuo)