外贸---[wài mào]---Tregti e jashtme
332.96 miliardë dollarë amerikanë dhe 18 % rritje: këto shifra lidhur me tregtinë e jashtme të Kinës në korrik i kanë tejkaluar përsëri parashikimet e botës. Me shtimin e vrullshëm të eksportit, suficiti tregtar mujor i Kinës arriti në më shumë se 101 miliardë dollarë amerikanë, 81.5 % më shumë në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.
Porti i qytetit Yantai të Kinës Lindore(Foto:VCG)
Para publikimit të të dhënave statistikore nga Dogana e Përgjithshme e Kinës, agjencia britanike e lajmeve “Reuters” parashikoi një rritje 15 %, ndërsa ekonomistët e intervistuar prej "Bloomberg"-ut 14.1 %. Këtë gazeta hongkongase “South China Morning Post” e përshkroi me fjalën “befasuese”, ndërsa televizioni i njohur amerikan i biznesit CNBC komentoi se shpejtësia e ngritjes së eksportit, që i tejkaloi parashikimet, do t'i sjellë stimuj inkurajues ekonomisë kineze.
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, kjo nuk është hera e parë që tregtia e jashtme e Kinës i tejkalon pritshmëritë. Nën ndikimin e epidemisë dhe faktorëve të pasigurt të situatës së jashtme, shpejtësia e rritjes së tregtisë ndërkufitare të Kinës ra me 0.1 % në prillin e sivjetshëm. Por rimëkëmbja e fortë që zgjati nga maji deri në korrik, krijoi një lakore rritjeje në formën e shkronjës “V”. Në përgjithësi, në shtatë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës u rrit 10.4 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kjo vërtetoi përsëri statusin e pazëvendësueshëm të Kinës në zinxhirët globalë të industrisë e të furnizimit”, shkruhet në koment.
Foto:VCG
Në veçanti, gjatë shtatë muajve të kaluar, vëllimi i tregtisë së Kinës me partnerët kryesorë, si ASEAN-i, BE-ja, ShBA-ja dhe Koreja e Jugut, u rritën përkatësisht 13.2 %, 8.9 %, 11.8 % dhe 8.9 %. Ndër eksportet, produktet mekanike e elektrike u rritën 10.1 %, duke zënë 56.6 % të vëllimit të përgjithshëm të eksportit. Ndërkohë, eksporti i makinave u shtua me 54.4 %, kurse i veshjeve, i tekstileve e i produkteve plastike etj. 15.2 %. Të gjitha këto tregojnë se zhvillimi i Kinës nuk mund të ndahet nga bota e jashtme, ndërsa lulëzimi i gjithë botës nuk mund të realizohet pa Kinën.
Sipas komentit, arsyeja pse tregtia e jashtme e Kinës i ka kaluar parashikimet është mëkëmbja e shpejtë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Sivjet, pavarësisht rishfaqjes së shpërthimeve të COVID-19 në disa krahina të vendit, qeveria nga një anë vazhdoi masat e kontrollit, dhe nga ana tjetër u dha mbështetje sektorëve të prekur, gjë që ka stabilizuar zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare.
Porti Longtangang i qytetit Nankin të Kinës Lindore(Foto:VCG)
Të marrim Shangain si shembull. Pas vënies nën kontroll të epidemisë, eksporti i qytetit filloi ta merrte veten që nga dhjetëditëshi i tretë i majit dhe, në qershor, import-eksporti u kthye në normalitet. Në korrik, porti i Shangait trajtoi mbi 4.3 milionë kontejnerë standardë, duke shënuar një rekord të ri historik.
Rritja e tregtisë së jashtme nuk mund të bëhej pa shtimin e kërkesës së brendshme të tregut kinez. Në shtatë muajt e parë të sivjetshëm, vëllimi i importit i Kinës arriti në 1.58 trilionë dollarë amerikanë, 5.3 % më shumë në krahasim me vitin 2021. Sipas komentit të CMG-së, me rigjallërimin gradual të tregut më të madh të konsumit në botë, Kina do t’u ofrojë më shumë porosi ndërmarrjeve të huaja. Më e rëndësishmja është se Kina është e vendosur në politikën e hapjes, duke ndarë me botën e jashtme tregun e vet, çka i bën kompanitë e huaja optimiste për tregun kinez.
Në edicionin e dytë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Konsumit të Kinës, që sapo u mbyll në provincën ishullore Hainan, morën pjesë 1955 kompani nga 61 vende e rajone të botës, të cilat sollën mbi 2800 produkte të tyre. Gjatë zhvillimit pesëditor të Ekspozitës, vlera e kontratave të lidhura i kaloi 10 miliardë juanë(1.48 miliardë dollarë amerikanë).
Foto:VCG
“Për një kohë të gjatë Kina ka nxitur me veprime konkrete globalizimin ekonomik nëpërmjet bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, prandaj ajo do t'i ofrojë botës jo vetëm një qendër prodhimi e një treg me mundësi të mëdha konsumi, por edhe një model për gjallërimin e ekonomisë globale me anën e hapjes së pandërprerë”, përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)