闹剧---[nào jù]---farsë
Kina zhvilloi të mërkurën një sërë manovrash të përbashkëta detare e ajrore rreth ishullit të Tajvanit, si reagim ndaj vizitës “farsë” të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës, që konsiderohet si një veprim i pamatur dhe provokues.
Sipas Komandës së Zonës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, në manovra janë mobilizuar forcat detare, ajrore e raketore, si edhe forcat e mbështetjes strategjike e logjistike në hapësirën detare e ajrore në veri, jugperëndim dhe juglindje të ishullit të Tajvanit.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Xinhua” publikoi një njoftim të autorizuar, ku thuhet që Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës do të zhvillojë manovra ushtarake me municion luftarak nga 4 deri më 7 gusht në gjashtë zona te ndryshme përqark ishullit të Tajvanit nga të gjitha drejtimet.
Lidhur me këtë operacion ushtarak, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Hua Chunying tha në një konferencë për shtypin që pala kineze “është e detyruar të komunikojë me palën amerikane dhe separatistët e ‘pavarësisë së Tajvanit’ me një gjuhë që ata e kuptojnë”.
Zyra e Çështjeve të Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit gjithashtu shpalli ndëshkimet ndaj dy fondacioneve që “kanë bërë aktivitete separatiste për ‘pavarësinë e Tajvanit’ në arenën ndërkombëtare”, duke ndaluar çdo transaksion ose bashkëpunimin me donatorët, përfshirë “Speedtech Energy”.
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi e cilësoi vizitën e Pelosit si “plotësisht një farsë” dhe paralajmëroi që ShBA-ja po shkel sovranitetin e Kinës nën petkun e “demokracisë”.
“Ata që luajnë me zjarrin, do të digjen vetë prej tij dhe ata që fyejnë Kinën, do të ndëshkohen,” u shpreh Wang Yi për CGTN-in nga Kamboxhia, ku gjendej për të marrë pjesë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të ASEAN-it të mërkurën, një ditë pasi e kishte akuzuar ShBA-në se “po vepronte si ngacmuese”.
“Tsai Ing-wen e Tajvanit dhe të tjerët përdorin Shtetet e Bashkuara dhe veprojnë kundër kauzës fisnike të kombit kinez,” tha ministri.
Pozicioni i Kinës është mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. OKB-ja ka ritheksuar rëndësinë e respektimit të parimit të “Një Kine” dhe shumë vende e organizata ndërkombëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Kinës.
Në mes të paralajmërimeve dhe kritikave nga brenda e jashtë vendit, vizita e Pelosit në Tajvan nuk u konfirmua derisa avioni me delegacionin e kryesuar prej saj u ul në aeroportin e Tajpeit në mbrëmjen e së martës, duke shkaktuar dënime më të ashpra dhe shqetësim më të madh.
David Mauricio Castrillón Kerrigan nga Qendra e Kërkimeve dhe e Projekteve Speciale e Universitetit Externado të Kolumbisë i tha CGTN-it që gjendja jo e mirë e Partisë Demokratike para zgjedhjeve të nëntorit ka motivuar vizitën e Pelosit. Sipas tij, ka mundësi që demokratët “të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që drejtohet nga Pelosi, dhe madje të humbasin edhe kontrollin e Senatit”.
“Fatkeqësisht, kjo duket se është një strategji zgjedhore, që nga një perspektivë afatgjatë nuk do të favorizojë as partinë, as vendin, e as stabilitetin e përgjithshëm,” theksoi Kerrigan.
Drejtori i Institutit të Çështjeve të Tajvanit pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Wu Yi, u shpreh për CGTN-in që Pelosi bëri një aventurë politike për përfitime vetjake politike, në kurriz të marrëdhënieve Kinë-ShBA e stabilitetit në Azinë Lindore, duke provokuar tensione në ngushticën e Tajvanit.
Përveç ekspertëve dhe analistëve, vizita e Pelosit u kundërshtua edhe në rrugët e Tajvanit, ku protestuesit u mblodhën jashtë hotelit ku po qëndronte ajo, duke thirrur “Pelosi, largohu!”