军队---[jūn duì]---ushtri
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Xi Jinping mori pjesë të dielën në një pritje kremtuese për 95-vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, që është më 1 gusht.
Foto:VCG
Pritja u zhvillua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin nga Ministria e Mbrojtjes.
Xi, gjithashtu president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, ishte i shoqëruar nga liderët e tjerë të lartë të PKK-së dhe të shtetit, si Li Keqiang, Li Zhanshu, Wang Yang, Wang Huning, Zhao Leji, Han Zheng dhe Wang Qishan.
Në emër të Komitetit Qendror të PKK-së, Këshillit të Shtetit dhe Komisionit Qendror Ushtarak, anëtari i Komisionit Qendror Ushtarak, këshilltari i Shtetit dhe ministri i Mbrojtjes, Wei Fenghe, u shpreh urime për festën të gjithë oficerëve e personelit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, anëtarëve të Policisë së Armatosur dhe të tjerëve.
Wei shprehu nderim për veteranët e heronjtë që kontribuuan për zhvillimin e ushtrisë popullore dhe për përfaqësuesit e ushtarakëve shembullorë. Ai përshëndeti gjithashtu të gjithë ata që japin ndihmesë në shkencën, teknologjinë e industrinë e lidhur me mbrojtjen dhe shprehu mirënjohje për komitetet e PKK-së, organet e pushtetit dhe organizatat në të gjitha nivelet që kanë mbështetur përpjekjet për forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe të forcave të armatosura të vendit.
Në fjalimin e tij, Wei theksoi që Ushtria Çlirimtare Popullore është krijuar nga PKK-ja. Gjatë 95 vjetëve të kaluar, nën udhëheqjen e vendosur të PKK-së, ushtria popullore ka pasur arritje të paharrueshme në pavarësinë kombëtare, çlirimin e popullit kinez dhe lulëzimin e fuqizimin e vendit.
Wei shtoi që Ushtria Çlirimtare Popullore mbështet përpjekjet për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë e interesave të zhvillimit të vendit dhe jep kontribut të madh për garantimin e sigurisë e të qetësisë në botë.
Gjithashtu, kreu i dikasterit kinez të mbrojtjes bëri thirrje për zbatimin e plotë të mendimeve të Xi Jinping-ut për forcimin e ushtrisë dhe shpejtimin e modernizimit të mbrojtjes dhe të forcave të armatosura.
Ai theksoi përpjekjet për të krijuar një mbrojtje të vendosur kombëtare dhe forca të armatosura të fuqishme, që përshtaten me nevojat e sigurisë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, si edhe me statusin e saj ndërkombëtar, duke ofruar mbështetje strategjike për mëkëmbjen e madhe të kombit kinez.(Jiang Lei)