承诺---[chéng nuò]---premtim
Në mbrëmjen e së enjtes, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi me ftesë bisedime telefonike me presidentin amerikan Joe Biden. Të dy udhëheqësit patën komunikim dhe shkëmbim të sinqertë mendimesh mbi marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjet me interes të përbashkët. Presidenti Xi foli mbi përgjegjësitë e dy vendeve të mëdha dhe vuri në dukje gjykimin e gabuar të palës amerikane mbi marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe keqkuptimin nga pala amerikane të zhvillimit të Kinës, si dhe shpjegoi qartë parimet dhe qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit. Presidenti Biden tha se ai do të kërkojë zhvillimin e bashkëpunimit amerikano-kinez dhe kontrollin e mosmarrëveshjeve. Ai premtoi se politika e “Një Kine” nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë dhe se ShBA-ja nuk e mbështet "pavarësinë" e Tajvanit.
Foto: VCG
Kjo është telefonata e pestë ndërmjet liderëve të Kinës dhe ShBA-së që kur administrata e tanishme amerikane mori detyrën, dhe është gjithashtu një telefonatë e rëndësishme në një moment kritik, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Nisur nga përmbajtja e këtyre bisedimeve, të dyja palët u përballën me mosmarrëveshjet e tyre dhe shprehën dëshirën për bashkëpunim. Presidenti Xi theksoi qartë: "Trajtimi dhe përcaktimi i marrëdhënieve kino-amerikane si konkurrencë strategjike dhe të vështruarit e Kinës si rivale kryesore dhe sfida më serioze afatgjatë, do të ishte një perceptim i gabuar i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e një keqkuptim i zhvillimit të Kinës, që do t'i orientonte në një drejtim të gabuar popujt e të dy vendeve dhe bashkësinë ndërkombëtare.” Ky gjykim i presidentit Xi tregon rrënjën e problemeve të marrëdhënieve kino-amerikane dhe mënyrën e korrigjimit të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve.
Foto: VCG
Në këto bisedime, presidenti Xi theksoi parimet dhe qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit, jo vetëm sepse kjo është çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet Kinë-ShBA, por edhe duke pasqyruar rrezikun në rritje të situatës aktuale në ngushticën e Tajvanit për shkak të provokimeve të vazhdueshme të ShBA-së.
Presidenti Xi theksoi se tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane janë premtime politike të të dyja palëve dhe parimi i “Një Kine” është themeli politik i marrëdhënieve kino-amerikane. Xi theksoi kundërshtimin me vendosmëri të forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ndërhyrjes së forcave të jashtme, duke thënë se nuk do të ketë kurrë asnjë hapësirë për forcat e "pavarësisë së Tajvanit". Xi vuri në dukje se "opinioni publik nuk mund të shpërfillet dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen vetë prej tij", duke shprehur shpresën që pala amerikane ta ketë të qartë këtë. Ai kërkoi që pala amerikane t'i përmbahet parimit të “Një Kine” dhe të zbatojë tre komunikatat e përbashkëta jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime.
Ky është një mesazh i qartë nga udhëheqësi më i lartë i Kinës për ShBA-në për çështjen e Tajvanit. ShBA-ja duhet ta kuptojë që, nëse çështja e Tajvanit nuk trajtohet mirë, kjo do të ketë një ndikim shkatërrimtar mbi marrëdhëniet kino-amerikane. Meqenëse ShBA-ja ka premtuar vazhdimisht se do t'i përmbahet politikës së “Një Kine” dhe nuk do të mbështesë "pavarësinë e Tajvanit", ajo duhet të bëjë atë që ka premtuar dhe jo tjetër gjë të thotë dhe tjetër gjë të bëjë.
Liderët e Kinës dhe të ShBA-së shprehën besimin se këto bisedime telefonike ishin të sinqerta dhe të thella. Ata ranë dakord të ruajnë kontaktet dhe të udhëzojnë grupet e punës të të dyja palëve të vazhdojnë të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Kjo tregon se megjithëse marrëdhëniet kino-amerikane kanë hyrë në vështirësi, të dyja palët janë ende të gatshme të menaxhojnë dallimet nëpërmjet dialogut dhe komunikimit. Kohët e fundit, dr. Henry Kissinger theksoi në një intervistë se ShBA-ja nuk duhet të zhvillojë "kundërvënie të pafund" me Kinën. Ky zë i arsyeshëm duhet të dëgjohet nga politikanët amerikanë.
Në komentin e CMG-së thuhet se marrëdhëniet kino-amerikane s'mund të përkeqësohen më tej dhe duhet të bëhet një zgjedhje e saktë. Kina i ka zhvilluar gjithmonë marrëdhëniet me ShBA-në sipas parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta të paraqitura nga presidenti Xi Jinping. Pala amerikane duhet gjithashtu të korrigjojë kuptimin e saj strategjik për Kinën, të zbatojë angazhimin e presidentit Biden ndaj Kinës me veprime praktike dhe, sidomos në çështjen e Tajvanit, duhet të jetë e kujdesshme në fjalë e vepra, për të shmangur hyrjen e situatës në një gjendje të rrezikshme. (Çang Çuo)