航天---[háng tiān]---fluturim hapësinor
Moduli laboratorik "Wentian" u lidh me modulin kryesor "Tianhe" të stacionit hapësinor kinez "Tiangong", afro 13 orë pas lëshimit, shpalli Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës. Kjo është hera e parë që kryhet takimi dhe lidhja e mjeteve të fluturimit hapësinor gjatë periudhës që astronautët kinezë qëndrojnë në stacionin hapësinor.
Raketa mbartëse "Marshimi i Madh-5B Y3", që mbante modulin "Wentian", u nis më 2 e 22 minuta të pasdites sipas orës së Pekinit nga Qendra e Lëshimit të Mjeteve të Fluturimit Hapësinor e Wenchang-ut në provincën Hainan të Kinës Jugore./ VCG
Anëtarët e ekuipazhit të anijes kozmike "Shenzhou-14", që ndodhen në modulin kryesor, hynë të hënën paradite në kabinën e "Wentian"-it (që në gjuhën kineze ka kuptimin "kërkimi i qiejve"). Ata janë kontingjenti i parë i astronautëve kinezë që dëshmuan lidhjen e dy moduleve të mëdha të stacionit hapësinor në orbitë.
Moduli laboratorik "Wentian", mjeti më i madh i fluturimit hapësinor i krijuar nga vetë Kina, u lëshua me sukses në orbitë pasditen e së dielës.
Raketa mbartëse "Marshimi i Madh-5B Y3", që mbante modulin "Wentian", u nis më 2 e 22 minuta të pasdites sipas orës së Pekinit nga Qendra e Lëshimit të Mjeteve të Fluturimit Hapësinor e Wenchang-ut në provincën Hainan të Kinës Jugore.
Afro tetë minuta më vonë, moduli laboratorik u shkëput nga raketa mbartëse dhe hyri në orbitën e parapërcaktuar. Zyra e Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore e Kinës (CMSEO) shpalli se detyra e lëshimit u kurorëzua me sukses.
Më 17 korrik, anija kozmike e mallrave "Tianzhou-3" u largua nga moduli kryesor "Tianhe", duke e lënë portën e tij të përparme të lidhjes për modulin laboratorik "Wentian".
Ekuipazhi i anijes kozmike "Shenzhou-14" në modulin laboratorik "Wentian"/Xinhua
Të dhëna rreth modulit laboratorik "Wentian"
Moduli "Wentian", me gjatësi 17.9 metra, diametër maksimal 4.2 metra dhe një peshë lëshimi prej 23 tonësh, është mjeti hapësinor më i madh dhe më i rëndë i prodhuar nga Kina.
Ai ka të njëjtat mjedise për jetën e astronautëve si moduli kryesor "Tianhe", duke përfshirë tre zona fjetjeje, një tualet dhe një kuzhinë.
Moduli laboratorik do të shërbejë si një platformë më e madhe për eksperimentet shkencore në hapësirë, veçanërisht për kërkimet mbi shkencën e jetës në kozmos. Ai është i pajisur edhe me kabinete laboratorike për ekologjinë e jetës, bioteknologjinë dhe shkencën e gravitetit të ndryshueshëm.
"Wentian" ka një krah të vogël robotik sa gjysma e peshës dhe gjatësisë së krahut robotik ekzistues në modulin bazë të stacionit hapësinor. Ky krah robotik ka një kapacitet ngarkimi rreth një të tetën e paraardhësit të vet, dhe një saktësi pozicionimi pesë herë më të lartë, që i mundëson të kryejë operacione më të përpikta.
Krahu i vogël robotik do të ketë detyra të ngjashme me atë të mëparshmin, përfshirë ndihmën ndaj astronautëve gjatë veprimtarive jashtë mjeteve hapësinore dhe kryerjen e inspektimeve të kushteve jashtë.
Moduli laboratorik "Wentian"/ Xinhua
Cili është hapi i ardhshëm?
Moduli laboratorik "Mengtian", pjesa përbërëse e fundit e stacionit hapësinor, do të lëshohet në tetor.
Në atë kohë, stacioni hapësinor i Kinës do të zgjerohet nga moduli kryesor bazë në një kompleks prej tre modulesh në formë "T"-je, me modulin kryesor "Tianhe" në qendër dhe dy modulet laboratorike "Wentian" dhe "Mengtian" përkatësisht në të dy anët.
Moduli "Mengtian" do të shërbejë për kërkimet e shkencës së mikrogravitetit dhe është i pajisur me kabina laboratorike shumëdisiplinore për fizikën e lëngjeve, shkencën e materialeve, shkencën e djegies, fizikën bazë dhe eksperimentet e teknologjisë hapësinore.
Afro 100 eksperimente janë planifikuar të kryhen gjatë fazës së ndërtimit të stacionit hapësinor, tha Lin Xiqiang, zv.drejtori i CMSEO-së, në një konferencë shtypi para lëshimit të anijes kozmike me astronautë "Shenzhou-14" në qershor.
Sipas tij, kërkimet shkencore masive do të zhvillohen pas normalizimit të funksionimit. Këto kërkime pritet të nxitin në mënyrë efektive arritjet në fushat kryesore shkencore më të përparuara, si materia e errët dhe energjia e errët, formimi dhe evolucioni i galaktikave, ligjet e natyrës dhe zhvillimi i vazhdueshëm i Tokës.