污水---[wū shuǐ]---ujërat e ndotura
Autoriteti Rregullator Bërthamor (NRA) i Japonisë miratoi të premten zyrtarisht planin e Kompanisë së Energjisë Elektrike të Tokios (TEPCO) për hedhjen në det të ujërave të ndotura bërthamore nga centrali bërthamor i Fukushimës. Ky është një hap shumë i rrezikshëm i palës japoneze, vë në dukje në një koment të vetin Grupi Mediatik i Kinës.
[Foto: VCG]
Në historinë e njerëzimit, nuk janë hedhur asnjëherë ujërat e ndotura bërthamore në det dhe nuk dihet çfarë pasojash mund të ketë ky veprim antishkencor dhe i papërgjegjshëm. Deri tani, në centralin bërthamor “Fukushima Daiichi” janë ruajtur mbi 1.25 milionë tonë ujëra të ndotura bërthamore. Megjithëse pala japoneze ka deklaruar se ujërat do të lëshohen në det pas trajtimit, sipas studiuesve, është shumë e vështirë të pastrohen radioizotopet në ujërat e ndotura bërthamore. Fukushima gjendet pranë rrymës më të fortë oqeanike në botë dhe këto lëndë radioaktive mund të përhapen në më shumë se gjysmën e Oqeanit Paqësor brenda vetëm 57 ditëve pas lëshimit në det, ndërsa në të gjitha detet e botës pas dhjetë vjetëve.
“Kush do të përgjigjet për mjedisin oqeanik dhe shëndetin publik pasi Japonia të hedhë ujërat e ndotura bërthamore në det?” pyet CMG-ja në komentin e vet.
Në prillin e vjetshëm, kur Japonia deklaroi vendimin për shkarkimin e ujërave, Aso Taro, asokohe zv.kryeministër dhe ministër i Financave i Japonisë, u tha gazetarëve se ujërat e ndotura bërthamore ishin “të pijshme” pas trajtimit. Përse nuk i dërgojnë atëherë këto ujëra bërthamore “të pijshme ” në Tokio që t’i pinë politikanët që mbështetin hedhjen e këtyre ujërave në det.
Sivjet, Japonia ka ftuar dy grupe pune teknike të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për vlerësimin në terren, me synimin për të marrë mbështetje ndërkombëtare. Por në fakt, IAEA-ja nuk arriti një mendim përfundimtar për planin e Tokios për shkarkimin e ujërave të zeza, përkundrazi, kërkoi disa sqarime dhe paraqiti disa sugjerime.
[Foto: VCG]
Ka zëra të fortë kundër lëshimit edhe brenda vetë Japonisë. Të shtunën në mëngjes, para zyrës së Autoritetit Rregullator Bërthamor të Japonisë, u grumbulluan banorë nga Tokioja, Çiba e qytete të tjera të vendit, duke mbajtur parulla kundër hedhjes së ujërave të ndotura bërthamore në det.
Sipas medias japoneze, tani është ndërtuar një tubacion nëntokësor një kilometër i gjatë nga centrali bërthamor “Fukushima Daiichi” deri në Qqeanin Paqësor. Qeveria japoneze planifikon të shkarkojë ujërat e ndotura bërthamore rreth pranverës së vitit 2023. Por kjo nuk është një çështje private e Japonisë. Siç ka thënë një organizatë koreanojuguore e mbrojtjes së mjedisit: “Kjo është njësoj si një sulm terrorist bërthamor”.
Për të kursyer kohën dhe paratë e veta, Japonia do që e gjithë bota të paguajë. Por ajo duhet ta dijë se, sipas Konventës së OKB-së për Ligjin Detar, çdo vend duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur mjedisin oqeanik. Nëse pala japoneze vijon këtë veprim të papërgjegjshëm, bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbajë atë përgjegjëse dhe të kërkojë kompensim.
“Japonia u ka sjellë katastrofa të rënda vendeve fqinje gjatë historisë. A do t’u shtojë edhe një?” pyet në fund të komentit të vet CMG-ja.