碳交易---[tàn jiāoyì]---Tregtim i karbonit

Vëllimi i përgjithshëm i tregtimit në tregun kombëtar të karbonit të Kinës, më i madhi në botë për sa i përket sasisë së gazrave serrë, arriti në 194 milionë tonë që nga nisja e funksionimit të tij një vit më parë, thuhet në një raport statistikor të publikuar të shtunën nga Bursa e Mjedisit dhe e Energjisë e Shangait (SEEE).

Foto:VCG

Foto:VCG

Tregtimi i karbonit është procesi i shitblerjes së lejeve për të lëshuar dioksid karboni ose gazra të tjera serrë, në të cilin marrin pjesë vetëm operatorët që e gëzojnë këtë të drejtë.

Tregu i karbonit i Kinës, i nisur në 16 korrik të vitit 2021, është një skemë e rëndësishme për të ulur gjurmën e karbonit të vendit dhe për të arritur objektivat e lëshimit të karbonit të Kinës, për arritjen e kulmit të lëshimit të dioksidit të karbonit para fundit të vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda 2060-s.

Ekspertët vunë në dukje se tregu pritet të përfshijë më shumë ndërmarrje nga sektorët me lëshim intensiv dhe të ketë shtim të tregtimit, pasi kompanitë po forcojnë ndërgjegjësimin për zhvillimin e gjelbër.

Gjatë vitit të kaluar tregu i karbonit funksionoi mbarë në përgjithësi, me një rritje të vogël të çmimeve, tha zv.ministri i Ekologjisë dhe i Mjedisit Zhao Yingmin në Konferencën Ndërkombëtare të Tregtimit të Karbonit të Kinës, që u mbajt të shtunën në Shangai.

Sipas tij, çmimi ishte 48 juanë (rreth 7.1$) për ton karboni në ditën e parë të tregimit dhe ka arritur rreth 60 juanë ditët e fundit.

 Bursa e Mjedisit dhe e Energjisë e Shangait (SEEE)(Foto:VCG)

Bursa e Mjedisit dhe e Energjisë e Shangait (SEEE)(Foto:VCG)

Që nga hapja e tregut, vëllimi i përgjithshëm i karbonit të tregtuar i ka kaluar 194 milionë tonët, me një vlerë prej rreth 1.26 miliardë dollarësh amerikanë.

Në vitin e parë, tregu përfshiu 2162 ndërmarrje të prodhimit të energjisë, me një vëllim lëshimi të dioksidit të karbonit 4.5 miliardë tonë. Tregu e mbaroi periudhën e parë të pajtueshmërisë më 31 dhjetor të vitit 2021, me një nivel pajtueshmërie 99.5 %.

Sipas planit të Ministrisë së Ekologjisë dhe të Mjedisit, nga viti 2021 deri në 2025-n, gjatë zbatimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës, tregu kombëtar i karbonit do të mbulojë tetë industri me konsum të lartë energjetik, që janë përkatësisht prodhimi i energjisë elektrike, hekuri dhe çeliku, materialet e ndërtimit, metalet me ngjyra, industria kimike dhe ajo petrokimike, prodhimi i letrës dhe sektori i aviacionit, duke mbuluar rreth 8 500 ndërmarrje të mëdha me lëshim intensiv të gazrave serrë.

"Ndikimi më i madh i tregut kombëtar të karbonit është ngritja e ndërgjegjësimit të ndërmarrjeve me lëshim të lartë për asnjanësimin e karbonit," tha Meng Bingzhan, zv. kryemenaxheri i Kompanisë së Inovacionit dhe Investimeve "SinoCarbon".

Tregu kombëtar i karbonit ka nxitur një rritje të transaksioneve të Pakësimeve të Certifikuara të Lëshimeve të Kinës (CCER), me uljen vullnetare të lëshimeve të kompanive nëpërmjet mënyrave si pyllëzimi ose përdorimi i teknologjive të energjisë së pastër.

"Çmimi i vendosur në tregun e karbonit dërgon një sinjal të qartë se duhet të merren parasysh edhe kostot e lëshimit ," tha Meng, duke shtuar se disa kompani madje po i vlerësojnë lëshimet e pakësuara si fitime.

Foto:VCG

Foto:VCG

Wu Wenzhang, menaxher i përgjithshëm i "Steelhome", një platformë në internet e informacionit të biznesit për industrinë e çelikut, tha se objektivat e Kinës lidhur me karbonin nënkuptohen si një riorganizim i kësaj industrie. "Në të ardhmen, ndërmarrjet e çelikut që mund të arrijnë lëshim ultra të ulët dhe prodhim që mbron mjedisin, mund të kenë hapësira më të gjera për zhvillim," vuri në dukje ai.

Grupi i Çelikut "Baowu" i Kinës, konglomerati më i madh i çelikut në botë, po eksploron përdorimin e hidrogjenit për prodhimin e energjisë për procesin e tij metalurgjik, në një nga projektet e veta të gjelbra dhe me karbon të ulët.

Tashmë kanë përfunduar dy fazat e para eksperimentale të projektit. Eksperimenti i fazës së tretë do të shënojë fillimin e arritjes së kapacitetit të planifikuar për të arritur më shumë se 30 për qind pakësim të lëshimeve të karbonit.

Shen Yizhu, kryeekzekutivi i "Xoeytech", një ofrues i shërbimeve lidhur me karbonin në industrinë e ndërtimit, tha se, megjithëse kjo industri ende nuk është përfshirë në tregun kombëtar të karbonit, ndërmarrjet kryesore në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe zinxhiri i furnizimit i industrisë patën një rritje kërkesash për funksionim me lëshim të ulët të karbonit gjatë vitit të kaluar.

Sipas ofruesit të informacionit korporativ "Tianyancha", më shumë se 9 800 ndërmarrje po ofrojnë shërbime lidhur me karbonin në Kinë, mbi 1 800 prej të cilave u krijuan vitin e kaluar. Më shumë se 800 ndërmarrje të tilla janë ngritur deri më tani këtë vit, me një rritje vjetore prej 19.4 %.(Zhang Yan/Artan)