新疆---[xīn jiāng]---Xinjiang
Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit në Kinën Perëndimore është ura e Kinës me Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Europën. Ai luan një rol të rëndësishëm në nismën kineze “Një brez, një rrugë”, e cila është një kornizë e rrjeteve tregtare e infrastrukturore që lidhin Azinë me Europën dhe Afrikën përgjatë e përtej Rrugës së Mëndafshit të lashtë.
Foto:VCG
Gjatë vizitës në Xinjiang nga e marta deri të premten, presidenti kinez Xi Jinping e quajti këtë rajon "qendër" të bashkëpunimit në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".
“Xinjiang-u është shndërruar nga një rajon relativisht i mbyllur i brendshëm në frontin e hapjes,” u tha presidenti Xi punonjësve në Zonën e Portit Tokësor Ndërkombëtar të Urumqit të martën pasdite, ndërsa Kina po promovon zgjerimin e hapjes, zhvillimin e rajoneve perëndimore dhe ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë.”
Në Zonën e Portit Tokësor Ndërkombëtar, kreu i shtetit kinez inspektoi funksionimin e hekurudhës me shpejtësi të lartë Kinë-Europë (Urumqi), si edhe të porteve Alashankou dhe Horgos, që janë pikëkalime të rëndësishme të tregtisë ndërkufitare.
Në vitin 2016, Porti Tokësor Ndërkombëtar i Urumqit nisi shërbimin e trenave të mallrave Kinë-Europë, dhe që nga ajo kohë janë shtuar vazhdimisht trenat që kalojnë nëpërmjet këtij porti. Pavarësisht nga ndikimi i pandemisë së COVID-19, numri i trenave të mallrave Kinë-Europë që kanë hyrë dhe dalë nëpërmjet portit Horgos në vitin 2020 ishte mbi 4720, duke shënuar një rritje 43 % në krahasim me vitin 2019.
Foto nga Xinhua
Sipas zyrtarëve vendorë të doganave, trenat e mallrave Kinë-Europë janë mirëpritur nga më shumë kompani gjatë pandemisë, për arsye të çmimit të ulët, të kapacitetit të madh transportues dhe të stabilitetit e të ndërlidhshmërisë së mirë.
Alashankou është porti hekurudhor më i afërt i Kinës me Europën. Në janar të vitit 2020, ky port nisi tregtinë elektronike ndërkufitare, dhe që atëherë mallrat, si lodra, produkte digjitale, veshje etj., të prodhuara nga Kina, janë transportuar në Europë.
Të dhënat nga doganat tregojnë se që nga janari i vitit 2020, më shumë se 57 milionë pako të tregtisë elektronike ndërkufitare me vlerë mbi 1 miliard juanë (rreth 160 milionë dollarë amerikanë) janë eksportuar nëpërmjet këtij porti.
Gjatë vizitës së tij, Xi Jinping-u theksoi gjithashtu rëndësinë e inovacionit të sistemit për një ekonomi të hapur, ndërtimin e korridoreve të mëdha të hapjes dhe shfrytëzimin më të mirë të tregjeve dhe burimeve të brendshme e të jashtme.
Kina paraqiti strategjinë e zhvillimit të krahinave perëndimore në vitin 1999 dhe, që atëherë, këto krahina kanë arritur përparim të jashtëzakonshëm. Rritja e përshpejtuar e PBB-së në Kinën Perëndimore tregon se po zvogëlohet hendeku i zhvillimit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit të vendit. (Fani/Artan)