就业---[jiù yè]---Punësim

Kryeministri i Kinës Li Keqiang bëri thirrje për përpjekje mbi zbatimin e politikave për stabilizimin e zhvillimit të tregut të punës dhe për nxitjen e hapjes së mëtejshme.

Li, njëherësh anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë një inspektimi në provincën Fujian të Kinës Lindore ditët e fundit.

Ai dëgjoi një raport mbi stabilizimin e punësimit nga qeveria provinciale dhe vizitoi një park novacioni me emrin "Bosssoft". Duke vlerësuar arritjet e parkut në inkubacionin e ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë dhe në krijimin e shumë vendeve të punës, Li i kërkoi pushtetit vendor të ofrojë fonde në ndihmë të inkubatorëve për të ulur koston, si për shembull në drejtim të qirasë etj.

Në bisedë me sipërmarrësit dhe të sapodiplomuarit që punojnë në këtë park, kryeministri tha se duhet të nxiten sipërmarrja masive dhe novacioni, duke frymëzuar më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, që të nisin biznese dhe të krijojnë risi.

Më 7 korrik, kryeministri i Kinës Li Keqiang inspektoi kompaninë e makinerive "Lioho" me investime tajvaneze, në provincën Fujian./ Xinhua

Më 7 korrik, kryeministri i Kinës Li Keqiang inspektoi kompaninë e makinerive "Lioho" me investime tajvaneze, në provincën Fujian./ Xinhua

Gjatë inspektimit në kompaninë e makinerive "Lioho", një ndërmarrje me investime tajvaneze, Li e inkurajoi këtë kompani të zërë një përqindje më të madhe të tregut nëpërmjet risive dhe menaxhimit të cilësisë.

Dhjetëra firma me investime tajvaneze si "Liuho" janë vendosur në këtë park industrial. Li Keqiang-u bisedoi me disa sipërmarrës prej këtyre ndërmarrjeve, duke u shprehur mirëpritjen për të investuar në pjesën kontinentale të Kinës. Ai theksoi mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme dhe shprehu shpresën se ata do të bashkëpunojnë me kompanitë e pjesës kontinentale për përfitime të përbashkëta.

Kreu i qeverisë kineze dëgjoi edhe një raport mbi tregtinë e jashtme e investimet në provincën Fujian dhe inspektoi portin tokësor ndërkombëtar Jinjiang. Duke theksuar se portet janë një dritare kyçe për hapjen dhe ofrojnë përkrahje të rëndësishme për import-eksportin, ai bëri thirrje për nxitjen e reformës në thjeshtimin e administrimit, përmirësimin e shërbimeve dhe përsosjen e mjedisit të biznesit portual.

Kryeministri kinez theksoi gjithashtu zbatimin e rreptë të politikave mbi funksionimin e lirshëm të logjistikës, lehtësimin e zhdoganimit dhe ngritjen e kapacitetit grumbullues e shpërndarës të porteve, me qëllim që të ulet kostoja e ndërmarrjeve, të stabilizohet parashikimi i tregut dhe të forcohet aftësia konkurruese ndërkombëtare.

Gjatë vizitës në kompaninë e veshjeve sportive "ANTA", Li e inkurajoi këtë kompani që, duke konkurruar në tregun e nivelit të lartë, ta fokusojë vëmendjen edhe në zgjerimin e tregut masiv, që ka potencial të madh konsumi.

Kur mësoi se "ANTA" ka krijuar mbi 300 mijë vende pune në mbarë vendin, Li tha se ekonomia kineze është bërë më e qëndrueshme dhe më aktive teksa shumë kompani private janë bërë sipërmarrje të mëdha dhe kanë punuar ngushtë me një numër të madh ndërmarrjesh të vogla dhe biznesesh vetëpunësimi.

Kryeministri i Kinës theksoi edhe rolin e subjekteve të tregut në nxitjen e rritjes ekonomike. Ai bëri thirrje për ofrimin e përkrahjes së barabartë lidhur me ndihmën e zhvillimin për ndërmarrjet në pronësi shtetërore, kompanitë private dhe ato me investime të huaja. (Wang Lei/ Artan)