护栏---[hù lán]---Mur mbrojtës
Pas ardhjes në fuqi, administrata e tanishme amerikane ka përmendur disa herë se do të vërë një "mur mbrojtës" në marrëdhëniet kino-amerikane. Takimi i ministrave të jashtëm të Kinës dhe ShBA-së që u zhvillua të shtunën, e bëri qartë se ky “mur mbrojtës” ka ekzistuar prej kohësh, por pala amerikane duhet të marrë përgjegjësinë për ta përforcuar atë, duke mbajtur premtimet e dhëna, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
[Foto: Xinhua]
Takimi ndërmjet kryediplomatëve të Kinës dhe ShBA-së u zhvillua pas takimit të ministrave të G20-s. Ky është ndërveprimi i pestë i nivelit të lartë ndërmjet Kinës e ShBA-së brenda një muaji. Sipas njoftimeve, takimi ndërmjet dy ministrave zgjati pesë orë. Ata zhvilluan bisedime të thella, të sinqerta e gjithëpërfshirëse mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët. Gjatë takimit, pala kineze vuri në dukje se tre komunikatat e përbashkëta janë “muri mbrojtës” më i besueshëm për të dy vendet, vijon komenti.
Pse pala amerikane e ka përmendur disa herë vendosjen e këtij “muri mbrojtës”? Nga një anë, ShBA-ja e kupton rëndësinë dhe urgjencën e kontrollit të dallimeve midis saj e Kinës dhe dëshiron të ruajë stabilitetin e marrëdhënieve dypalëshe, por nga ana tjetër, nuk pranon të reflektojë për arsyen pse marrëdhëniet e saj me Kinën janë në vështirësi e përse përpiqet ta fajësojë Kinën.
“Përse marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe ShBA-së gjenden në vështirësi dhe si mund të kthehen në normalitet?” pyet CMG-ja në komentin e vet, duke shtuar se në këtë takim, ministri i Jashtëm kinez Wang Zi ka paraqitur një sërë shqetësime dhe sugjerimesh.
Po të hidhet një vështrim pas në histori, mund të shihet se sfida serioze në këto marrëdhënie ka ardhur nga moszbatimi i parimeve dhe frymës së përcaktuar në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane. Gjatë 50 vjetëve, Kina është përpjekur ta mbajë këtë “mur mbrojtës”, por ShBA-ja ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në punët e brendshme të Kinës, ta frenojnë Kinën me anë të çështjes së rajonit të Tajvanit dhe të formojë klika kundër Kinës, duke prishur “murin mbrojtës”.
Tani zbatimi sa më shpejt i konsensusit të rëndësishëm ndërmjet liderëve të të dy vendeve është kushti i nevojshëm për të forcuar “murin mbrojtës të marrëdhënieve kino-amerikane”, vë në dukje më tej CMG-ja. Pala kineze i ka zhvilluar marrëdhëniet me palën amerikane sipas tre parimeve të paraqitura nga presidenti Xi: respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta. Ndërkohë, presidenti Joe Biden ka dhënë më se një herë premtimin që ShBA-ja nuk synon “Luftën e Ftohtë të re”, ndryshimin e sistemit të Kinës, kundërvënien ndaj Kinës nëpërmjet forcimit të aleancave apo përkrahjen ndaj “pavarësisë së Tajvanit”, dhe nuk dëshiron të ketë konflikt me Kinën. Këto premtime nuk janë zbatuar, por në të kundërt, gjendja po shkon në një drejtim më të rrezikshëm.
[Foto: VCG]
Kohët e fundit, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në një fjalim për politikën ndaj Kinës se duhet të riformësohet mjedisi strategjik rreth Kinës. ShBA-ja ka nxitur zgjerimin strategjik të NATO-s në rajonin e Azi-Paqësorit dhe ka ndërhyrë në çështjet e Tajvanit e të Xinjiang-ut, duke ushtruar trysni mbi Kinën. ShBA-ja është shmangur nga qëllimet origjinale kur vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kinën. Politikanët amerikanë ndjekin “korrektesën politike”, duke u përpjekur të tregojnë forcën drejt Kinës për të marrë më shumë vota.
Tani pala amerikane ka përmendur përforcimin e “murit mbrojtës” dhe duhet të përmbushë së shpejti premtimet e saj dhënë Kinës. Gjatë takimit të ministrave të jashtëm, pala kineze paraqiti sugjerime konkrete për ta ndihmuar ShBA-në në përmbushjen e këtyre premtimeve, duke vënë në dukje se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjë ShBA-ja. Për shembull, ShBA-ja u zotua të mos mbështetë “pavarësinë e Tajvanit”, prandaj duhet të ndalojë menjëherë deformimin e politikës së “Një Kine”.
Njëkohësisht, pala kineze i dha palës amerikane katër lista, që janë përkatësisht lista me politikat, fjalët dhe veprimet e gabuara që ShBA-ja duhet të ndreqë, lista e rasteve kryesore individuale me interes për Kinën, lista e projektligjeve lidhur me Kinën me interes të madh për Kinën dhe lista e fushave të bashkëpunimit kino-amerikan. Në krahasim me dy listat që i dha zëvendëssekretares së Shtetit të ShBA-së, Wendy Sherman, gjatë vizitës së saj në qytetin Tianjin të Kinës, pala kineze ka paraqitur këtë herë më shumë lista dhe më shumë detaje, duke përshirë kërkesat për korrigjimin e ShBA-së, si edhe fushat e bashkëpunimit, duke krijuar një rrugë realiste për ndreqjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve kino-amerikane.
[Foto: VCG]
Përveç kësaj, në takim u arritën disa synime konstruktive, duke përfshirë nxitjen e një konsensusi më të gjerë nga konsultimet e grupeve të punës kino-amerikane dhe forcimin e bashkëpunimit mbi ndryshimin klimatik dhe shëndetin publik. Këto mund të jenë pika kyçe për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Por, se sa përparim do të arrijë bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve, kjo varet nga ajo nëse ShBA-ja do të zbatojë tre komunikatat e përbashkëta, do të korrigjojë njohjen e gabuar për Kinën dhe do të vërë vërtet në jetë konsensusin e arritur nga dy krerët e shtetit. Respektimi i normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare është “muri mbrojtës” i vërtetë për marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së, e mbyll komentin e vet Grupi Mediatik i Kinës. (Li Huailiang/Artan)