飞跃---[fēi yuè]---hov
“Tani Hong-Kongu ndodhet në fazën e re të kalimit nga kaosi në rend dhe nga rendi në lulëzim. Pesë vjetët e ardhshëm do të jenë një periudhë kyçe për Hong-Kongun për krijimin e situatës së re dhe marrjen e hovit të ri. Mundësitë dhe sfidat ekzistojnë paralelisht, por mundësitë janë më të shumta se sfidat.” Kështu tha presidenti i Kinës Xi Jinping në mitingun për 25-vjetorin e kthimit të Hong-Kongut në atdhe dhe ceremoninë e marrjes së detyrës nga qeveria e mandatit të gjashtë të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Ai paraqiti edhe katër shpresat për zhvillimin e këtij rajoni në pesë vjetët e ardhshëm, përfshirë ngritjen e nivelit të qeverisjes, forcimin e motorëve të zhvillimit, zgjidhjen e vështirësive të banorëve dhe mbrojtjen e harmonisë e stabilitetit në rajon.
“Atëherë, si do të veprojë Hong-Kongu në pesë vjetët e ardhshëm për një të ardhme më të bukur?” pyet në një artikull të tij Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Gjiri "Viktoria" në Hong-Kong, më 1 korrrik 2022/ VCG
Tu Haiming, anëtari i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez nga Hong-Kongu, vuri në dukje se zhvillimi i atdheut është besimi më i madh i Hong-Kongut.
Në Planin e 14-të Pesëvjeçar të Kinës paraqitet qartazi përkrahja ndaj Hong-Kongut në nxitjen e epërsive tradicionale në financën ndërkombëtare, transportin detar dhe si qendër tregtare, ndërkohë që i jepet këtij rajoni edhe pozicioni i ri si qendër ndërkombëtare e novacionit teknologjik dhe qendër e shkëmbimeve kulturore e artistike. Kështu, Hong-Kongu do të ketë mundësi të marrë pjesë në qarkullimin e brendshëm të Kinës dhe do të bëhet nxitës i rëndësishëm i “dy qarkullimeve”: qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
Me këtë rast, ndërtimi i Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao do të jetë mënyra më ideale e pjesëmarrjes së Hong-Kongut në zhvillimin e përgjithshëm të atdheut, vijon komenti i CMG-së. Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Fondacioni i Studimit mbi Zhvillimin e Kinës, vëllimi i përgjithshëm ekonomik i Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao pritet të arrijë në 14.76 trilionë juanë, duke e bërë atë zonën e gjirit me vëllimin më të madh ekonomik në botë. Duke shfrytëzuar epërsitë në teknologjinë novatore, në shërbimet e përsosura për prodhimin dhe në sistemin financiar, Hong-Kongu do të lidhet më ngushtë me tregun kolosal dhe sistemin e plotë industrial të krahinave të brendshme, që të fitojë hapësirë më të madhe zhvillimi.
Ndërkohë, integrimi me Zonën e Madhe të Gjirit do t’i japë mundësi Hong-Kongut që të luajë rol si dritare e importit dhe si urë e daljes jashtë për krahinat e brendshme të Kinës. Duke përfituar nga rasti i ndërtimit të “Një brez, një rrugë”, Hong-Kongu do të tërheqë më shumë investitorë nga mbarë bota. Peter Burnett, kryetari i Dhomës së Tregtisë të Britanisë në Hong-Kong, tha se Hong-Kongu do të ruajë mjedisin e favorshëm të biznesit dhe shprehu besimin e plotë te ky rajon.
Kopshtaria në qendër në qytetit Hong-Kong me rastin e 25 vjetorit të kthimit të Hong-Kongut në atdhe/ VCG
Zhvillimi është kyçi i realizimit të lumturisë së popullit. Presidenti Xi i kërkoi qeverisë së mandatit të ri të Rajonit të Posaçëm Administrativ të vërë në plan të parë dhe si synim kryesor të qeverisjes shpresat e hongkongasve të thjeshtë. Në pesë vjetët e ardhshëm, qeveria e re vendore do ta përqendrojë vëmendjen në zgjidhjen e disa problemeve të dukshme në rajon, si strehimi, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, zhvillimi i të rinjve etj., që rezultatet e zhvillimit të rajonit të favorizojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
Siguria është parakushti i zhvillimit. Presidenti Xi e porositi qeverinë e ri në mënyrë të sinqertë: “Pas provave të stuhive, të gjithë e kuptojnë se Hong-Kongu nuk mund të përjetojë më kaos dhe nuk mund ta përballojë dot më kaosin. Të gjithë janë të mendimit se Hong-Kongu nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të përjashtojë të gjitha ndërhyrjet e ta përqendrojë të gjithë vëmendjen te synimi i zhvillimit.”
25 vjetët e fundit ishin vetëm një çast i historisë, por për Hong-Kongun kjo është një periudhë kuptimplotë, që vërteton suksesin e njohur botërisht të zbatimit të parimit “Një vend, dy sisteme”. “Një sistem aq të mirë s’kemi asnjë arsye ta ndryshojmë, por duhet t’i përmbahemi në një periudhë afatgjatë!” Në të ardhmen, duke ngulur këmbë në themelin e “një vendi” dhe duke shfrytëzuar përfitimet e “dy sistemeve”, duke u fokusuar në nevojat e zhvillimit të vendit dhe duke përfituar nga epërsitë e veta, Hong-Kongu patjetër do të kalojë nga rendi në lulëzim dhe do të marrë një hov të ri, mbyllet komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)