动力---[dòng lì]---motor
Në pesë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i eksportit të Kinës në vendet e tjera të BRICS-it - Afrikë e Jugut, Brazil, Indi, Rusi - arriti në 1.31 trilionë juanë, 12.1 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përqindje është më e lartë se rritja e përgjithshme e tregtisë së jashtme të Kinës në të njëjtën periudhë. Vendet e BRICS-it kanë potencial të madh në zhvillimin ekonomik. Si një motor kryesor i ekonomisë globale, çfarë roli do të luajë kjo organizatë në nxitjen e zhvillimit të ekonomive të reja e të vendeve në zhvillim dhe në përballimin e sfidave globale?
foto nga VCG
Serrana është një qytet i vogël në shtetin Sao-Paulo të Brazilit. Në shkurt 2021, falë bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Institutit “Butantan”, banorët e rritur vendorë që plotësonin kushtet, u vaksinuan me vaksina kineze. Pas kësaj, vdekshmëria nga COVID-19 në këtë qytet u ul 95 për qind, ndërsa numri i të shtruarve në spital u pakësua 84 për qind.
Elias Jabboor, profesor i asociuar i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Rio-de-Zhanejros të Brazilit, thekson: "Bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare të BRICS-it ka qenë shumë i dobishëm për këto vende. Për shembull, në fushën e shëndetësisë, falë marrëveshjes midis qeverisë kineze dhe qeverisë së shtetit të Sao-Paulos, miliona brazilianë patën mundësi të vaksinohen kundër virusit të COVID-19."
Vendet e BRICS-it kanë thelluar më tej bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, financiar, tekniko-shkencor dhe shëndetësor, duke krijuar Bankën e Re të Zhvillimit të Vendeve të BRICS-it dhe Qendrën e Kërkim-Zhvilimit të Vaksinave të BRICS-it. Njëkohësisht, ato kanë forcuar edhe bashkëpunimin me ekonomitë e reja dhe vendet e tjera në zhvillim dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e multilateralizmit dhe në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë globale.
Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar shprehet: "Vendet e BRICS-it duhet të përkrahin bashkërisht përfaqësimin më të madh të vendeve anëtare në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Grupi ynë ka treguar vëmendje edhe për interesat e vendeve në zhvillim."
Busi Mabuza, kryetarja e Këshillit të Biznesit të BRICS-it në Afrikën e Jugut, tha: "Me rimëkëmbjen e vendeve dhe ekonomive, kemi rastin ta shfrytëzojmë mekanizmin tonë të BRICS-it që të nxitim më tej bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë në të mirë të pjesës më të madhe të popujve të botës. Nuk kam asnjë dyshim se banorët e Afrikës do të favorizohen nga një Këshill i fuqishëm Biznesi i BRICS-it."
Selia e Bankës së Re të Zhvillimit të BRICS-it në Shangai/ VCG
Nga ana e tij, Yaroslav Lissovolik, drejtor i programit i Klubit të Diskutimit “Valdai”, vuri në dukje: "Shohim se disa vende të mëdha të Jugut të globit kanë shprehur interes për pjesëmarrje më aktive në agjendën e BRICS-it, dhe madje për anëtarësimin në këtë organizatë. Institucionet e sapongritura të BRICS-it mund t’u ofrojnë këtyre vendeve një alternativë."
Marcos Pires, profesor i politikës ekonomike në Universitetin Shtetëror të Sao-Paulos të Brazilit, shprehu këtë mendim: "Themelimi i Bankës së Re të Zhvillimit, përkrahja për formimin e Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, krijimi i rezervës urgjente në ndihmë të vendeve për përballimin e emergjencave, të gjitha këto u kanë krijuar mundësi vendeve në zhvillim të ndihmojnë njëri-tjetrin."
Kina, si vend kryetar i radhës i BRICS-it në vitin 2022, do të organizojë Samitin e 14-të të këtij grupi. Kina, bashkërisht me vendet e tjera të BRICS-it, do të nxitin aktivisht bashkëpunimin midis vendeve anëtare dhe zhvillimin e sigurt të vendeve anëtare, madje të vendeve në zhvillim.
Prof. Elias Jabboor u shpreh më tej: "Kina është vend themelues i Bankës së Re të Zhvillimit të BRICS-it dhe ofron fondet përkatëse. Ajo ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të Afrikës dhe të Amerikës Latine nëpërmjet projekteve infrastrukturore."
Ndërsa prof. Pires theksoi: "Nismat e propozuara nga qeveria kineze, përfshirë ato të paraqitura kohët fundit mbi zhvillimin global dhe sigurinë globale, do të bëhen platforma dhe korniza të rëndësishme për përballimin e përbashkët të ndryshimit të klimës, realizimin e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 dhe nxitjen e realizimit të sigurisë së përgjithshme." (Wang Lei/ Artan)