繁荣---[fán róng]---lulëzim
John Lee do të marrë detyrën si kryeekzekutivi i ri i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) të Kinës në korrik.
“Ne duhet ta bëjmë Hong-Kongun një sukses, duke siguruar zhvillimin afatgjatë, stabilitetin dhe lulëzimin e tij”, tha Lee për CGTN-in.
foto nga VCG
“Fokusi kryesor i qeverisë sime do të jetë sigurimi i një zhvillimi cilësor të qytetit dhe që njerëzit të përfitojnë nga vlerat që kemi krijuar, në mënyrë që të trajtohen problemet afatgjata që kanë shqetësuar komunitetin, si strehimi, çështjet e jetesës dhe punësimi,” shtoi ai.
"Pasi të kemi konsoliduar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt, ne mund të shohim përpara për të bërë të gjitha përpjekjet për ta zhvilluar Hong-Kongun në fusha të ndryshme," vuri në dukje ai.
Presidenti Xi Jinping shprehu mbështetjen për Lee gjatë një takimi në Pekin në maj, duke I thënë se "autoritetet qendrore ju japin miratimin e tyre të plotë dhe kanë besim të plotë te ju".
Lee tha se ai i vlerëson besimin dhe miratimin e presidentit Xi si inkurajim e përgjegjësi të madhe dhe është i gatshëm të përballojë sfidat e ardhshme.
"Ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të trajtuar rreziqet, me qëllim që të ruajmë sovranitetin, sigurinë dhe interesat tona kombëtare," theksoi ai.
Parimi 'Një vend, dy sisteme' synon të përmirësojë jetesën
Kryeekzekutivi i ri i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut vuri në dukje se parimi "Një vend, dy sisteme" është zbatuar me sukses në HKSAR gjatë 25 vjetëve të fundit.
Qyteti është bërë më elastik e dinamik pas çdo sfide dhe duhen bërë më shumë përpjekje për të përmirësuar më tej jetesën e njerëzve, që është qëllimi kryesor i parimit "Një vend, dy sisteme," tha ai.
Sipas kryeekzekutivit të zgjedhur, epërsia më e veçantë e Hong-Kongut në kuadrin e parimit "Një vend, dy sisteme" është se ai nuk është vetëm një rajon i posaçëm administrativ i Kinës, por edhe një metropol ndërkombëtar, çka i mundëson të bëhet një urë që lidh pjesën kontinentale me botën.
Lee shtoi se, sa më shumë arritje të ketë Hong Kongu, aq më shumë besim do të kenë banorët e tij te parimi "Një vend, dy sisteme".
foto nga VCG
Ai vuri në dukje gjithashtu se Plani i 14-të Pesëvjeçar i Kinës ka krijuar një rrugë të qartë për zhvillimin e ardhshëm të Hong-Kongut dhe se si ky rajon mund të vazhdojë të luajë rolin e vet si qendër tradicionale financiare, transporti e tregtie, si edhe të zhvillohet në katër "qendra të reja". Këto të fundit janë: qendër ndërkombëtare për inovacionin dhe teknologjinë, qendër për shërbimet ligjore ndërkombëtare dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajonin e Azi-Paqësorit, qendër rajonale tregtare për pronësinë intelektuale dhe qendër e shkëmbimeve kulturore e artistike ndërmjet Kinës e pjesës tjetër të botës.
Lee shtoi se Hong Kongu do të bëjë të gjitha përpjekjet për zhvillimin e këtyre sektorëve dhe do ta përdorë Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao për të rritur bashkëpunimin me pjesën kontinentale, veçanërisht në teknologji dhe risi.