恢复---[huī fù]---Rifillim
Festa e blerjeve në internet “618” (18 qershor) ishte veprimtaria e fundit që pasqyron rimëkëmbjen e konsumit në Kinë, veçanërisht pas frenimit të valës së fundit të “Omicron”-it që goditi disa qytete të mëdha kineze gjatë dy muajve të fundit.
Festa vjetore e blerjeve, që përfshin fushata promovuese në platforma të shumta të tregtisë elektronike, u krijua për herë të parë nga gjigandi i tregtisë elektronike “JD.com” më 2004 për të kremtuar përvjetorin e themelimit.
foto nga VCG
Të dielën, “JD.com” raportoi një vëllim të përgjithshëm transaksionesh prej 379.3 miliardë juanësh (56.47 miliardë dollarë) gjatë “618”-s së këtij viti deri të shtunën, 10.3 për qind më shumë se vitin e kaluar. Promovimi i madh filloi më 1 qershor dhe do të zgjasë deri më 20 qershor të këtij viti.
Shangai dhe Pekini, dy qytetet më të mëdha kineze për sa i përket produktit të brendshëm bruto, kanë përtërirë hovin e rimëkëmbjes pas goditjes së “Omicron”-it. Të dhënat nga “JD.com” tregojnë se, deri të shtunën, Shangai dhe Pekini renditeshin përkatësisht në vendin e dytë dhe në të parin për sa i përket fuqisë së shpenzimit gjatë festës së shitjeve “618” të kësaj platforme, ndër të 31 njësitë administrative në pjesën kontinentale të Kinës, përfshirë provincat, bashkitë e varura drejtpërdrejt nga qendra dhe rajonet autonome.
foto nga VCG
Nën ndikimin e shpërthimeve të COVID-19, shitjet me pakicë në Kinë në maj u tkurrën 6.7 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, nga tkurrja prej 11.1 për qind në prill.
Gjatë festës së sivjetshme, për sa i përket “JD.com”, prirjet kryesore të konsumit shkojnë nga kërkesa në rritje e konsumatorëve për shërbime cilësore e produkte të reja dhe më të gjelbra te rritja e shpejtë e shitjes me pakicë në të gjitha kanalet e shitjeve, produktet bujqësore etj.
Pas një tkurrjeje në prill, sektori logjistik i tregtisë elektronike i Kinës u mëkëmb në maj, pas vënies së epidemisë nën kontroll.
Treguesi i aktiviteteve të logjistikës së tregtisë elektronike ishte 104.3 pikë muajin e kaluar, me një rritje 2.1 pikë në krahasim me prillin, sipas një studimi të fundit të ndërmarrë bashkërisht nga Federata e Logjistikës dhe Blerjeve e Kinës dhe “JD.com”.
Gjatë “618”-s së sivjetshme, vëllimi ditor si i dërgimit, ashtu edhe i marrjes së pakove i tejkaluan nivelet e kulmit para epidemisë në Shangai, bëri të ditur “JD.com” të dielën.
foto nga VCG
Kina ka marrë një varg masash të hollësishme për të shfrytëzuar më tej potencialin e konsumit dhe për të përballuar pengesat afatshkurtra, duke përfshirë lehtësimin e kufizimeve për blerjen e makinave dhe shpërndarjen e kuponave të blerjeve me vlerë miliarda juanë.
Pekini ka filluar një fushatë promovuese transmetimi të drejtpërdrejtë në internet kohët e fundit për të zgjeruar biznesin e tregtisë elektronike.
Kina do të forcojë zhvillimin e integruar të blerjeve në internet e atyre fizike dhe do të nxitë prirjet e reja të konsumit, si personalizimi dhe blerjet eksperimentale, është shprehur më parë zv.ministri i Tregtisë Sheng Qiuping.