宇航员---[yǔ háng yuán]---Astronaut
Anija kozmike “Shenzhou-14” është bashkuar me modulin kryesor të stacionit hapësinor të Kinës “Tianhe” dhe tre astronautët kinezë në bordin e saj hynë në modulin bazë.
foto nga VCG
Anija kozmike kreu me sukses një takim të shpejtë automatik dhe u bashkua me portin radial të modulit kryesor të stacionit hapësinor “Tianhe”, porti përballë Tokës, pasi ndryshoi në mënyrë autonome orbitën e vet gjashtë herë, në 5:42 të pasdites sipas orës së Pekinit, bëri të ditur Zyra e Inxhinierisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSEO)”.
I tërë procesi i lidhjes zgjati shtatë orë.
"Këtë herë, ajo (anija kozmike) u bashkua nga pozicioni radial, që është pozicioni më i vështirë. Por ne bëmë një punë të mirë dhe e konsiderojmë teknologjinë të qëndrueshme dhe të vendosur," u shpreh Gao Xu, zv.kryeprojektuesi i sistemit të anijeve kozmike me ekuipazh “Shenzhou” të Akademisë së Teknologjisë Hapësinore të Kinës.
foto nga VCG
Gao theksoi se kombinimi është në gjendje të shkëlqyer për të montuar stacionin hapësinor.
Tre taikonautët, siç quhen ndryshe astronautët kinezë, hapën kapakët e katër kapsulave përpara se të hynin në modulin bazë të stacionit hapësinor.
Më vonë ata hynë me sukses në modulin bazë të stacionit hapësinor, duke nisur udhëtimin e tyre të ardhshëm gjashtëmujor në hapësirë.
Përparësia e ekuipazhit të “Shenzhou-14” është aktivizimi i sistemeve thelbësore për jetën njerëzore, si riciklimi i oksigjenit, uji i pijshëm dhe mjedisi i fjetjes, tha në një intervistë të mëparshme zv.kryeprojektuesi i Qendrës së Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit Wang Saijin.
"Në javën në vijim, taikonautët do të hapin kapakët e dy anijeve kozmike të mallrave, ‘Tianzhou-3’ e ‘Tianzhou-4’, për të organizuar dhe lëvizur pakot e furnizimit për përdorim në të ardhmen, por së pari ata e meritojnë të pushojnë," tha Wang.
foto nga VCG
Anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-14”, në majë të raketës mbartëse “Marshimi i Madh-2F Y14”, u ngrit të dielën në 10:44 të mëngjesit sipas orës së Pekinit nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore.
CMSEO e deklaroi nisjen një sukses të plotë, pasi anija kozmike u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e përcaktuar.
Ky është misioni i 23-të i fluturimit që nga miratimi dhe fillimi i programit hapësinor të fluturimeve me astronatë të Kinës dhe misioni i tretë me ekuipazh për projektin e stacionit hapësinor kinez.
Ekuipazhi i “Shenzhou-14” përfshin komandantin e misionit Chen Dong dhe dy taikonautët e tjerë Liu Yang dhe Cai Xuzhe. Ata do të bashkëpunojnë me ekipin në tokë për montimin dhe ndërtimin e stacionit hapësinor “Tiangong”.
Detyrat për ekuipazhin prej tre anëtarësh do të jenë më të komplikuarat dhe më të vështirat deri më tani, sipas kryeprojektuesit të sistemit të astronautëve të Qendrës së Astronautëve të Kinës Huang Weifen.
foto nga VCG
Stacioni hapësinor do të zhvillohet nga një strukturë me një modul në një strukturë bazë me tre module, e përbërë nga moduli kryesor “Tianhe” që aktualisht rrotullohet rreth Tokës, dhe dy modulet e ardhshme laboratorike “Wentian” dhe “Mengtian”.
Wang bëri të ditur që dy arritje të mëdha do ta bëjnë këtë mision të veçantë.
"Njëra është se ne do të dëshmojmë përfundimin e kombinimit të stacionit hapësinor me tre module dhe tjetra është kur ekuipazhi i ‘Shenzhou-14’ dhe ai i misionit të ardhshëm ‘Shenzhou-15’ të takohen në stacionin hapësinor," tha ai.
Ekuipazhi i “Shenzhou-14” do të qëndrojë në hapësirë për gjashtë muaj. Modulet e veçanta laboratorike janë planifikuar të mbërrijnë veçmas në korrik dhe tetor, të ndjekur nga anija e mallrave “Tianzhou-5” dhe anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-15” më vonë këtë vit.