上海---[shàng hǎi]---Shangai

Distrikti financiar “Lujiazui” i Shangait, që ndodhet në lindje të lumit Huangpu, njihet si qendra financiare e metropolit kinez. Me heqjen e kufizimeve nga Shangai pas rënies së rasteve të COVID-19, punonjësit financiarë janë rikthyer në zyrat e tyre.

Foto:VCG

Foto:VCG

Institucioni i huaj financiar “Standard Chartered” e hapi zyrën e tij në “Lujiazui” më 1 qershor, ditën e parë që Shangai hoqi kufizimet antiepidemike.

Kevin Yang, kryemenaxheri rajonal i “Standard Chartered” në Kinën Lindore, theksoi se gjëja e parë që bëri kur u kthye ishte të sigurohej që gjërat të shkonin sipas planit.

"Ne synojmë ta hapim zyrën tonë sapo ta lejojnë kushtet. (Gjëja e parë që bëra) më 1 qershor ishte të siguroja zbatimin e të gjitha masave të kontrollit dhe parandalimit të epidemisë," tha Kevin Yang.

Deri më tani, vetëm disa nga degët e “Standard Chartered” janë hapur për publikun, por banka pritet të hapë të gjitha degët e saj në qytet pas festës “Duanwu”.

Ndërkohë, banka tregtare vendore, Banka e Shangait, ka hapur edhe disa nga degët e saj. Në degën e saj të Pudongut në “Lujiazui”, numri i klientëve më 1 qershor u rrit tre herë.

"Shumica e klientëve tanë janë të moshës së mesme dhe të moshuar, sepse ne jemi një nga bankat kryesore që kryejmë pagesat e fondeve të pensioneve në Shangai. Në ditën e parë të punës pas shpërthimit të epidemisë, banka trajtoi më shumë se 2000 transaksione për mbi 300 klientë”, tha asistenti i drejtorit të degës së Pudongut të Bankës së Shangait Tang Yi.

Kufizimet e rrepta të Shangait ndaj COVID-19 gjatë dy muajve të fundit krijuan shumë sfida për bizneset, përfshirë ato në sektorin e financave.

Institucionet financiare nuk janë rihapur plotësisht, sepse shumë prej tyre janë ende në fazën përgatitore, por disa prej tyre tashmë kanë plane zgjerimi.

Banka e Shangait tha se do të japë më shumë kredi për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, ndërsa bashkia e Shangait ka shpallur 50 masa për riaktivizimin e ekonomisë së qytetit.

“Standard Chartered” ka njoftuar se do të zgjerojë rekrutimin e vet në Kinë. Sipas Kevin Yang-ut, ata tashmë kanë rekrutuar disa profesionistë përmes intervistave në internet gjatë menaxhimit të mbyllur të Shangait në dy muajt e fundit.

“Tani po zgjerojmë ekipin tonë në zonë (deltën e lumit Jance) duke rekrutuar sa më shumë talente sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.

Distrikti “Lujiazui” është një zonë ku ndodhen rreth 130 seli globale. Më shumë se 40 mijë kompani me 500 mijë punonjës po punojnë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të sektorit financiar të Kinës. Bursa e Shangait, Bursa e Mallrave të Shangait dhe selitë e institucioneve financiare në Kinë ndodhen në këtë zonë.

Gjatë dy muajve të fundit, punonjësit financiarë kanë fjetur në zyra ose kanë punuar nga shtëpia. Por me lehtësimin e kufizimeve antiepidemike, “Lujiazui” pritet të kthehet në funksionim të plotë së shpejti. (Jiang Lei)