干涉---[gān shè]---Ndërhyrje
Ministria e Jashtme kineze hodhi poshtë me vendosmëri të mërkurën një deklaratë të përbashkët nga ShBA-ja dhe Zelanda e Re, ku shprehet shqetësimi mbi “ndikimin” e Kinës në rajonin e Paqësorit. Sipas ministrisë, kjo deklaratë “shtrembëron dhe njollos” bashkëpunimin normal ndërmjet Kinës dhe vendeve ishullore të Paqësorit.
[Foto nga ministria e Jashtme e Kinës]
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian shtoi se kjo deklaratë përmend gjithashtu çështjet e Tajvanit, Xinjiang-ut dhe Hong-Kongut, duke qenë kështu një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës.
Në deklaratën e publikuar nga presidenti i ShBA-së Joe Biden dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern pas takimit të tyre të martën në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se të dy palët janë të shqetësuara për një marrëveshje kornize për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës e Ishujve Solomon.
“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës dhe Ishujve Solomon nuk ka si objektiv ndonjë palë të tretë dhe nuk synon ndërtimin e ndonjë baze ushtarake,” u tha gazetarëve zëdhënësi në një konferëncë shtypi, duke përmendur se bazat ushtarake të Uashingtonit janë të përhapura në të tërë botën.
Mbi çështjet që kanë lidhjen me Tajvanin, Xinjiang-un dhe Hong-Kongun, zëdhënësi theksoi se këto janë “punë të brendshme të Kinës” dhe Kina nuk do të lejojë ndërhyrjen e vendeve dhe forcave të huaja.
Zhao i kërkoi Uashingtonit që të ndalojë mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike, duke i bërë thirrje gjithashtu Zelandës së Re të ndjekë një politikë të jashtme të pavarur dhe të bëjë më shumë për të ruajtur paqen e stabilitetin rajonal.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi po bën një vizitë 10-ditore në rajonin e Paqësorit, gjatë së cilës propozoi “angazhimin në katër drejtime” për të zhvilluar marrëdhëniet me vendet e rajonit. Gjatë takimit me medien në Honiara të Ishujve Solomon, Wang bëri thirrje për trajtimin e barabartë të njëri-tjetrit, ruajtjen e respektit të ndërsjellë, arritjen e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, si dhe hapjen e përfshirjen.
Gjatë takimit të mërkurën me presidentin e Vanuatuas Tallis Obed Moses në kryeqytetin e këtij vendi, Port-Vila, kryediplomati kinez tha se, ndryshe nga disa vende të tjera të mëdha, Kina i përmbahet gjithmonë parimit të barazisë sovrane në diplomaci dhe i trajton të gjitha vendet në zhvillim, sidomos vendet e mesme dhe të vogla, në mënyrë të sinqertë e të barabartë.
[Foto nga ministria e Jashtme e Kinës]
Vanuatuja është ndalesa e gjashtë e vizitës 10-ditore të ministrit të Jashtëm kinez në rajonin e Paqësorit, pas Ishujve Solomon, Kiribatit, Samoas, Fixhit dhe Tongës.
Wang theksoi se Kina përkrah me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të vendeve në zhvillim në nivel ndërkombëtar e rajonal, sidomos në sistemin e OKB-së.
[Foto nga ministria e Jashtme e Kinës]
Po atë ditë, ministri kinez zhvilloi gjithashtu një takim të përbashkët me kryeministrin e Vanuatus Bob Loughman dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ata arritën një konsensus prej pesë pikash për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të nxitur bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale.
Të dy palët ranë në një mendje të forcojnë më tej besimin e ndërsjellë politik, bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta e miqësinë ndërmjet të dy popujve, dhe të thellojnë bashkërendimin strategjik dhe të nxisin bashkëpunimin rajonal.
Po ashtu, ata pranuan ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve, të shfrytëzojnë potencialin e bashkëpunimit, të nxitin bashkërisht ndërtimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, si dhe të zgjerojnë eksportimin e mallrave cilësore të Vanuatus në Kinë.
Të dy vendet do të zhvillojnë partneritet lidhur me ekonominë blu dhe bashkëpunim të mëtejshëm në fusha si energjia e re dhe ekonomia digjitale, duke thelluar bashkëpunimin në fusha tradicionale si infrastruktura.
Wang tha se Kina e vlerëson Vanuatun për përfshirjen e mësimdhënies së gjuhës kineze në sistemin arsimor të vendit dhe është e gatshme të vijojë mbështetjen në këtë drejtim, nëpërmjet dërgimit në Vanuatu të mësuesve të gjuhës kineze dhe shkëmbimeve ndërmjet të dy gjuhëve dhe kulturave, për të krijuar më shumë miqësi midis të dy vendeve. (Li Huailiang/Artan)