太平洋---[tài píng yáng]---Paqësor
“Pavarësisht nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare, Kina do të jetë gjithmonë mike dhe partnere e besueshme e vendeve ishullore të Paqësorit.” Në fjalimin e tij me shkrim të hënën drejtuar Mbledhjes së 2-të të Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit, presidenti i Kinës Xi Jinping e vlerësoi bashkëpunimin frytdhënës ndërmjet Kinës dhe vendeve ishullore të Paqësorit si shembull të bashkëpunimit Jug-Jug me leverdi të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta.
Mbledhja e 2-të e Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit/ foto nga MPJ e Kinës
Po në këtë mbledhje të ministrave të Jashtëm të zhvilluar në Fixhi u arritën shumë konsensuse të rëndësishme, ndërsa në dokumentin e qëndrimit të Kinës mbi respektin e ndërsjellë dhe zhvillimin e përbashkët me vendet ishullore të Paqësorit, të publikuar pas mbledhjes, u paraqitën një sërë vizionesh bashkëpunimi, të cilat do të shërbejnë si motori i ri i bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve ishullore të Paqësorit.
Aktualisht, anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi po bën vizitë në vendet ishullore të Paqësorit që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën. Ky turne i kryediplomatit kinez ka ngacmuar “nervat e ndjeshëm” të Uashingtonit dhe të Kanberrës, që janë shprehur se “shqetësohen për zgjerimin nga Pekini të bashkëpunimit të sigurisë në rajonin e Paqësorit të Jugut”. Kjo tregon se ShBA-ja dhe Australia i kanë konsideruar prej kohësh vendet ishullore të Paqësorit si “oborr” dhe “sfera influence” të vetat dhe nuk duan të lejojnë që këto të fundit të zgjedhin partnerët e bashkëpunimit në mënyrë të pavarur. “Këto janë mendësi hegjemoniste dhe politikë force tipike,” komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull të tij.
Prej një kohe të gjatë, ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore nuk kanë treguar as normat bazë të respektit për vendet ishullore të Paqësorit, pa folur pastaj për bashkëpunim të barabartë me leverdi të ndërsjellë, vijon komenti i CMG-së. Pas Luftës së Dytë Botërore, ShBA-ja madje e përdori rajonin e Paqësorit të Jugut si poligon të provave bërthamore dhe vend të hedhjes së mbeturinave bërthamore.
Ndërkohë, çfarë u ka sjellë këtyre vendeve Kina? Sipas të dhënave statistikore, gjatë periudhës nga viti 1992 deri më 2021, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve ishullore të Paqësorit me marrëdhënie diplomatike me të u rrit nga 153 milionë në 5.3 miliardë dollarë amerikanë, duke u shtuar mbi 30 herë gjatë 30 vjetëve. Pala kineze u ka ofruar këtyre vendeve edhe ndihma ekonomike, teknike dhe mjekësore pa asnjë parakusht politik. Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, Kina u ka dhënë vendeve ishullore të Paqësorit afro 600 mijë vaksina e mbi 100 tonë materiale profilaktike.
Ashtu siç tha Henry Puna, sekretari i përgjithshëm i Forumit të Ishujve të Paqësorit, Kina është partnere e rëndësishme e dialogut dhe e zhvillimit e vendeve ishullore të Paqësorit dhe ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për zhvillimin e tyre. Ai shprehu shpresën që këto vende do të forcojnë lidhjen e strategjive të zhvillimit me Kinën, për të shfrytëzuar plotësisht rastet që sjell zhvillimi i saj.
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një takimi më 30 maj me presidentin e Fixhit Ratu Wiliame Katonivere në Suva/ foto nga MPJ e Kinës
Në këtë mbledhje të ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit, pala kineze shpalli se do të vazhdojë të krijojë gjashtë platformat e reja të bashkëpunimit, duke përfshirë zbutjen e varfërisë, përballimin e ndryshimit të klimës, parandalimin e fatkeqësive natyrore, zhvillimin e bujqësisë dhe kultivimin e barit juncao. Bashkëpunimi në këto fusha përputhet me kërkesat e zhvillimit të vendeve ishullore. Të marrim për shembull përballimin e ndryshimit të klimës, sfidë kjo ka të bëjë me thelbin e ekzistencës së këtyre vendeve. Si pasojë e ngritjes së nivelit të detit dhe e motit të keq, Uanuatu shpalli gjendjen urgjente klimatike, e po ashtu edhe disa vende të tjera ishullore të Paqësorit ndodhen përpara krizës së mbijetesës.
Opinioni ka vërë re se, në kohën kur ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi po viziton vendet ishullore të Paqësorit, edhe homologu i tij i ri australian bëri vizitë në Fixhi.
Vendet ishullore të Paqësorit janë vende të pavarura sovrane dhe jo “oborri” i dikujt, dhe as nuk duhet të kthehen në mjet të rivalitetit midis fuqive të mëdha. “Në vend që të bëjnë manipulime gjeopolitike të shqetësuara, ShBA-ja dhe Australia është më mirë që t’i trajtojnë seriozisht kërkesat e vendeve ishullore për zhvillim dhe të veprojnë konkretisht për zhvillimin e këtyre vendeve,” përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)