报告---[bào gào]---raport
Sipas "Raportit të sondazhit mbi mjedisin e biznesit për investimet e huaja në Kinë në tremujorin e parë të vitit 2022 ", të publikuar të hënën nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, kompanitë e huaja janë përgjithësisht të kënaqura me mjedisin e biznesit në Kinë dhe 87.4% e kompanive të huaja pjesëmarrëse në sondazh e kanë ruajtur ose zgjeruar biznesin e tyre. Shumë ndërmarrje me financim të huaj thanë se "zgjerimi i tregut" është arsyeja kryesore për shtimin e investimeve të tyre në Kinë.
foto nga VCG
Në konferencën e rregullt për shtypin të mbajtur së fundmi nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, zëdhënësi i këtij Këshilli Yu Yi bëri të ditur se "Raporti" u referohet standardeve më të fundit provë të Bankës Botërore dhe treguesit për vlerësimin e kënaqësisë së investitorëve të huaj me mjedisin e biznesit përfshijnë 10 aspekte, si qasjen në treg, qasjen në objektet e biznesit, infrastrukturën e shërbimeve publike, punësimin e fuqisë punëtore, marrjen e shërbimeve financiare, tregtinë ndërkufitare, pagesën e taksave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare. Më shumë se 88% e kompanive me financim të huaj janë "më të kënaqura" me politikat e mbikëqyrjes së sipërmarrjeve të platformave të mëdha, dhe 85.5 % janë "më të kënaqura" me politikat pozitive fiskale dhe politikat e uljes së taksave dhe tarifave.
foto nga VCG
Yu Yi bëri të ditur se nga janari deri në prill të këtij viti, përdorimi real i investimeve të huaja në të gjithë vendin është rritur me 20.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Zbatimi i projekteve të mëdha me financim të huaj vazhdoi të përshpejtohej. Pati 185 projekte të reja të mëdha me investime të huaja me një vlerë të kontraktuar mbi 100 milionë dollarë amerikanë, e barasvlershme me një mesatare prej 1.5 projektesh të mëdha me financim të huaj në ditë. Me shtimin e ndarjes së përfitimeve nga hapja e Kinës, shfaqjen e vazhdueshme të efekteve të politikave dhe optimizimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit, kompanitë me financim të huaj janë përgjithësisht optimiste për mundësitë e reja për zhvillimin me cilësi të lartë të Kinës, shpresat dhe besimi i tyre në zhvillimin e ardhshëm kanë mbetur të qëndrueshme, e po ashtu edhe investimet e huaja kanë ruajtur qëndrueshmërinë. Noah Fraser, Drejtor Menaxhues dhe Kryepërfaqësues i Këshillit të Biznesit Kanada-Kinë në Kinë, ka thënë më parë në një intervistë:
"Në vitet e fundit, shumë kompani të njohura kanadeze kanë hyrë në tregun kinez. Kompanitë kanadeze që kanë investuar në Kinë janë të gatshme të qëndrojnë këtu për të zgjeruar investimet në të ardhmen. Ato kanë besim të fortë në zhvillimin afatgjatë të tregut kinez. "
foto nga VCG
Yoshiko Takasuke, president i Dhomës së Tregtisë së Japonisë në Kinë, tha:
"Kina do të zhvillojë fuqishëm industrinë e shërbimeve në të ardhmen, dhe ka ende shumë hapësirë për zhvillim. Madhësia e tregut është dhjetëra herë më e madhe se ajo e tregut japonez të industrisë së shërbimeve. Prandaj, në këtë drejtim, mendoj se ka edhe mundësi të mëdha bashkëpunimi mes kompanive japoneze dhe kineze”.
Raporti i publikuar nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare konfirmon gjithashtu gatishmërinë e ndërmarrjeve me financim të huaj për të eksploruar thellësisht tregun kinez për një kohë të gjatë.13.5% e ndërmarrjeve me financim të huaj kanë plane për të rritur investimet në Kinë në të ardhmen dhe mbi 50 % e tyre thanë se tregu dhe strategjia korporative janë arsyet kryesore për rritjen e investimeve në Kinë. 42.6% e ndërmarrjeve me financim të huaj u shprehën që do të zgjidhnin deltën e lumit Jance si zonën kryesore për investimet e planifikuara të tyre.
Megjithatë, nën ndikimin e presionit të trefishtë të tkurrjes së kërkesës, tronditjes së ofertës e dobësimit të pritshmërive, si edhe ndikimit të epidemisë, "qëndrueshmëria e investimeve të huaja" në Kinë po përballet gjithashtu me presionin e sfidave të mjedisit të jashtëm dhe kufizimeve të brendshme. Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës ka krijuar një shërbim të veçantë për ndërmarrjet me financim të huaj për të ndjekur nga afër kërkesat e këtyre ndërmarrjeve dhe për të promovuar në mënyrë aktive zgjidhjen e vështirësive që hasin ato lidhur me investimet, prodhimin dhe funksionimin e tyre në Kinë.