北京---[běi jīng]--- Pekini
Për arsye që rastet e reja të infektimit janë në rënie, kryeqyteti i Kinës Pekin do të lehtësojë disa masa kontrolli ndaj COVID-19.
Zyrtarët thanë të shtunën që shpërthimi i fundit është vënë nën kontroll dhe numri i rasteve të reja të infekimit ka shënuar rënie për gjashtë ditë me radhë. 8 ndër 16 distriktet e Pekinit nuk kanë raportuar asnjë rast të ri për tre ditë radhas, ndërsa rastet sporadike në disa zona janë të kontrollueshme.
“Parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Pekin është në një fazë kyçe të kalimit nga reagimi emergjent në parandalimin dhe kontrollin e rregullt,” tha zv.drejtori i departamentit të publicitetit të Komitetit të Partisë Komuniste të Kinës për Pekinin, Xu Hejian, në një konferencë shtypi. Sipas tij, “tani ende ekzistojnë rreziqet e rigjallërimit të infektimit dhe nuk është koha që të ulet vigjilenca”.
Nga e diela, distrikte të ndryshme të Pekinit do të marrin masa të ndryshme parandaluese e kontrolluese të bazuara në gjendjen e tyre.
Në foto: Qytetarët po bëjnë teste për COVID-19 në distriktin Haidian të Pekinit, 28 maj 2022 /CFP
Në distriktet Fangshan dhe Shunyi, qytetarët mund të kthehen në vendet e punës në zyra, ndërsa në Chaoyang dhe Tongzhou, numri i atyre që punojnë në zyrë mund të shtohet sipas kërkesave konkrete.
Autobusët, taksitë dhe linjat e metrosë në distriktet Chaoyang, Shunyi dhe Fangshan do të rifillojnë funksionimin, përveç disa zonave që ende janë në gjendjen e karantinës.
Pezullimi i përkohshëm i ngrënies në restorant do të vazhdojë dhe rifillimi i mësimeve në shkollat fillore e të mesme dhe në kopshtet e fëmijëve është shtyrë për më vonë.
Studentët në shkollat e larta do të organizohen të kthehen në shtëpi, por u kërkohet që të zgjedhin një mënyrë udhëtimi sa më të thjeshtë.
Institucionet e trajnimeve me prani fizike, internet-kafetë, KTV-të dhe bizneset në mjedis të mbyllur nëntokësor do të rifillojnë punë më vonë, kurse shërbimet e zbukurimit të shtëpive ende janë të pezulluara.
“Ne duhet medoemos të zbatojmë masat e parandalimit antiepidemik që ta vëmë COVID nën kontroll duke mos pasur asnjë rast. Do të zbatojmë në mënyrë të palëkundur dhe të vazhdueshme politikën 'zero dinamike' për ta konsoliduar këtë gjendje pozitive," theksoi Xu. (Jiang Lei)