枪击---[qiāng jī]---të shtëna
“Ngjarje të tilla ndodhin vetëm në ShBA dhe në asnjë vend tjetër të botës. Asnjë fëmijë në vendet e tjera nuk mendon se mund të vritet kur është në shkollë.” Kështu tha i emocionuar të martën senatori demokrat Chris Murphy në fjalimin e tij në Senat. Po atë ditë, një adoleshent i armatosur vrau të paktën 19 fëmijë dhe dy të rritur në një shkollë fillore në Teksas.
[Teksas, 24 maj 2022/Xinhua]
Kjo është një tragjedi e trishtuar dhe tronditëse. Ky është gjithashtu sulmi me të shtëna në një shkollë në Shtetet e Bashkuara që ka shkaktuar më shumë viktima, që nga “Sandy Hook” një dekadë më parë. Fëmijët do të ishin shpresa e familjeve dhe do të kishin të ardhme të bukur, por u bënë viktimë e dhunës me armë. Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në ShBA. Vetëm dhjetë ditë më parë, në Bufalo të Nju-Jorkut, të paktën dhjetë veta u vranë në një supermarket.
[Santa Fe, Teksas, 24 maj 2022/Xinhua]
Këto të shtëna tronditëse me armë e dëshpërojnë popullin amerikan. Sipas të dhënave prej organizatës jofitimprurëse “Gun Violence Archive” (GVA), që pas sulmit në “Sandy Hook”, ka pasur mbi 3 500 raste të shtënash masive me të paktën katër të vrarë ose të plagosur secila. Këto ngjarje ndodhin pothuajse në çdo kënd të jetës së popullit amerikan: në një kishë afro-amerikane në shtetin e Karolinës së Jugut (viti 2015), në një klub nate në Orlando (viti 2016), në festivalin e muzikës në Las Vegas (viti 2018), në një shkollë të mesme në shtetin e Floridës dhe në një “Walmart” në Teksas (viti 2019) ... Për ShBA-në, dhuna me armë është një sëmundje e rëndë që nuk mund të shërohet.
Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, nga viti 2000 deri më 2020, prodhuesit amerikanë të armëve kanë prodhuar 139 milionë armë për tregun civil, 1.13 milionë prej të cilave vetëm në vitin 2020. Në pamje të parë, kontrolli i armëve është shumë i vështirë në ShBA, për shkak se nuk është e lehtë të ndryshojë amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane. Në fakt, çështja e armëve ka lidhje të ndërlikuar me konfliktin midis partive, palëve të interesuara, si dhe racizmin etj. Veçanërisht, politika amerikane u shërbën votave dhe parave, duke e bërë më të vështirë procesin e kontrollit të armëve në ShBA.
[Parkland, Floridë,14 shkurt 2018/China News Service]
Shoqata Kombëtare e Pushkëve (NRA) e ShBA-së, si organizata më e madhe e pronarëve të armëve të zjarrit dhe një grup i fuqishëm interesi, ka të paktën 5 milionë anëtarë dhe fonde të shumta. Shoqata mund të ketë një ndikim të madh në zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin. Sipas të dhënave nga një uebsajt për gjurmimin e dhurimeve politike, NRA shpenzoi mbi 29 milionë dollarë në zgjedhjet federale të vitit 2020. Bashkëpunimi i prodhuesve të armëve dhe politikanëve ndikon thellë në hartimin e politikave të ShBA-së dhe opinionin publik. Kjo tregon gjithashtu pse “zhurma e armëve” nuk mund të “zgjojë” politikanët amerikanë që “shtiren sikur flenë“.
[Roseburg, Oregon, 1 tetor 2015/China News Service]
Polarizimi politik dhe përçarja shoqërore janë gjithashtu arsye të rëndësishme për përhapjen e dhunës me armë. Vitet e fundit, në politikën amerikane është intensifikuar vënia e vetos. Politikanët i kundërshtojnë projektligjet thjesht për t’i kundërshtuar. Gjatë mbi 20 vjetëve të fundit, demokratët e republikanët kanë pasur mosmarrëveshje të mëdha në çështjen e kontrollit të armëve, gjë që ka bërë që Kongresi të mos miratojë asnjë ligj të rëndësishëm federal për kontroll të armëve.
[Newtown,Connecticut, 13 dhjetor, 2012/VCG]
Në përgjithësi, kjo shkaktohet nga shpërfillja prej politikanëve e së drejtës së njerëzve për jetën. 10 vjet më parë, pas sulmit në shkollën “Sandy Hook”, nuk u miratua ligji për kontrollin e armëve. Kur presidenti i atëhershëm Barak Obama mbajti fjalim, zv.presidenti i atëhershëm Biden kryqëzoi duart dhe dukej i trishtuar. Pas dhjetë vjetëve, Biden-i është në Shtëpinë e Bardhë, por çështja e kontrollit të armëve ka mbetur në vend. Kjo është një pasqyrë e dështimit të madh të qeverisjes në ShBA dhe një ironi e madhe e të drejtave të njeriut të stilit amerikan.
[Oakland, Karliforni, 2 prill 2012/China News Service]
Askush nuk e di se sa jetë duhen humbur nga armët për të zgjuar ndërgjegjen e politikanëve amerikanë. Kur ata shpërfillin të drejtat themelore të jetës të popullit të vet, si mund të kujdesen vërtet për të drejtat e njeriut në vende të tjera? (Li Huailiang/Artan)