开放---[kāi fàng]---hapje
Presidenti kinez Xi Jinping ritheksoi të mërkurën se vendosmëria e Kinës për hapjen me standard të lartë nuk do të ndryshojë dhe dyert e Kinës do të hapen më tej për botën.
Xi i tha këto në një videofjalim në konferencën për 70-vjetorin e Këshillit për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës (CCPIT) dhe Samitit Global të Tregtisë dhe të Investimeve.
foto nga Xinhua
Qysh nga krijimi në vitin 1952, CCPIT-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjes së interesave ndërmjet ndërmarrjeve kineze dhe të huaja, në promovimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare dhe në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve, u shpreh Xi Jinping-u.
Rruga 70-vjeçare e CCPIT-it ka mishëruar procesin e hapjes gjithnjë e më të madhe të Kinës, theksoi ai, duke shtuar se CCPIT-i ka qenë një dëshmitar i rëndësishëm se si kompanitë e vendeve të ndryshme kanë ndarë bashkërisht rastet e zhvillimit dhe kanë përfituar nga bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë.
Duke marrë parasysh sfidat që po kalon globalizimi ekonomik dhe hyrjen e botës në një periudhë të re luhatjesh dhe transformimi, presidenti kinez paraqiti disa propozime.
Për mposhtjen e pandemisë së COVID-19 duhen përpjekje të përbashkëta, tha Xi, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të vihen në plan të parë njerëzit dhe jeta e tyre, si edhe të merret pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkim-zhvillimin, prodhimin e shpërndarjen e vaksinave dhe në qeverisjen globale të shëndetit publik.
foto nga Xinhua
Lidhur me rigjallërimin e tregtisë dhe të investimeve, Xi theksoi përkrahjen ndaj regjimit të tregtisë shumëpalëshe me OBT-në në qendër, garantimin e sigurisë e të stabilitetit të zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit dhe shtimin e përfitimeve nga bashkëpunimi, që popujt e të gjitha vendeve të favorizohen më shumë nga rezultatet e zhvillimit.
Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu përpjekjet për shfrytëzimin e forcës së novacionit në nxitjen e zhvillimit, duke bërë thirrje për krijimin e një mjedisi të drejtë, të barabartë dhe jodiskriminues për zhvillimin shkencor e teknologjik.
Për përmirësimin e qeverisjes globale, ai tha se duhet të këmbëngulë në multilateralizmin e vërtetë.
“Duhet të zgjedhim dialogun e jo konfliktin, t’i prishim muret e jo t’i ndërtojmë ato, të synojmë integrimin e jo shkëputjen, të përpiqemi për përfshirjen e jo përjashtimin dhe t’i drejtojmë reformat e sistemit të qeverisjes globale në bazë të parimit të drejtësisë,” vuri në dukje Xi.
Sipas tij, Kina do të përpiqet për zbatimin me standard të lartë të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal dhe të nismës “Një brez, një rrugë”, që të ofrojë më shumë tregje, investime dhe raste zhvillimi për bashkësinë globale të biznesit.