正常---[zhèng cháng]---normal
Qendra e tregtisë e Kinës Lindore, Shangai, ka arritur në një moment kyç në luftën e vet kundër pandemisë së COVID-19, duke mos pasur asnjë rast të ri jashtë zonave të karantinuara për tre ditë me radhë.
Pas mbi gjashtë javësh përpjekjesh, Shangai ka realizuar statusin “zero-COVID” në nivel lagjeje në të 16 distriktet, tha të martën Zhao Dandan, zv.drejtori i komisionit bashkiak të shëndetësisë në një konferencë për shtypin.
[Foto: VCG]
Ky është një parakusht për lehtësimin gradual të masave kufizuese dhe një pikë kyçe kthese për këtë metropol, i cili ka mbi 24 milionë banorë dhe është “mbyllur” që nga fundi i marsit.
Shangai raportoi të hënën 77 raste simptomatike dhe 746 raste asimptomatike. 31 u testuan pozitivë gjatë karantinës, ndërsa 46 të tjerë ishin më parë asimptomatikë. Të 746 rastet asimptomatike u zbuluan gjatë karantinës.
Sipas sistemit të tanishëm të këtij qyteti për kontrollin e sëmundjes me tre nivele, deri të hënën rreth 860 mijë veta ende jetonin në zonat e nivelit më të rreptë të mbylljes, që është karantinimi në shtëpi.
Njëkohësisht, mbi 19 milionë banorë jetojnë në “zonat e parandalimit” dhe lejohen të dalin jashtë lagjeve të tyre sipas rregullave të përcaktuara. 3 milionë të tjerë duhet të qëndrojnë në shtëpi ose në lagjet e tyre.
[Foto: VCG]
Kthimi në normalitet me faza
Shangai përcaktoi të hënën një kalendar më të qartë për heqjen e mbylljes, që ka hyrë në javën e shtatë, me qëllim kthimin në normalitet dhe rifillimin e plotë të punës së fabrikave në qershor.
Në një konferencë të rregullt shtypi, zv.kryetarja e Bashkisë së Shangait Zong Ming tha se qyteti do të rihapet me faza, kurse shumica e kufizimeve të lëvizjes do të mbetet deri më 21 maj për të parandaluar një rikthim të infeksioneve.
Sipas saj, supermarketet, ushqimoret dhe farmacitë u rihapën që nga e hëna, teksa do të rinisin gradualisht shërbimet e trenave dhe fluturimet e brendshme. Që prej së dielës së ardhshme, edhe shërbimet e autobusëve do të rifillojnë gradualisht, por udhëtarët duhet të paraqesin një test negativ për COVID-19 brenda 48 orëve për të përdorur mjetet e transportit publik.
“Që nga 1 qershori deri në mes dhe fund të qershorit, me parakushtin e parandalimit të rrezikut të kthimit të pandemisë, ne do ta bëjmë parandalimin dhe kontrollin antipandemik një rutinë dhe do të rivendosim plotësisht prodhimin dhe jetën normale në qytet,” tha zv.kryetarja.
[Foto: VCG]
Sipas saj, autoritetet “mbeten të matura” me mundësinë e kthimit të shpërthimit, veçanërisht ndërsa vijojnë rastet e reja të infektimit në qendra e izolimit dhe lagjet të vjetra.
“Në mbarë qytetin, përpjekjet tona parandaluese nuk janë mjaft të forta, çka kërkon që të vijojmë punën duke pasur edhe bashkëpunimin e qytetarëve ... që qyteti të kthehet në normalitet në një mënyrë të rregullt,” u shpreh ajo.
Bashkia po përpiqet gjithashtu të rigjallërojë projektet e ndërtimit infrastrukturësor.
Zhu Jianhao, nënkryetari i Komitetit të Menaxhimit të Strehimit dhe Ndërtimit Urban-Rural të Shangait, tha se ka nisur puna për 16 ndër 24 projektet kryesore të ndërtimit me përparësi, duke përfshirë ndërtimin e një kampusi universiteti, të një qendre të dhënash të gjelbër dhe të një linje të re metroje. Tetë projekte të tjera janë në fazën përgatitore, ndërsa një listë e dytë projektesh me përparësi është në shqyrtim, bëri të ditur Zhu. (Li Huailiang/Artan)