对抗---[duì kàng]---Kundërvënie
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të martën për vigjilencë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit Rusi-Ukrainë në kundërvënie ndërmjet blloqeve, gjë që sipas tij mund të përbëjë një kërcënim më të madh dhe të vazhdueshëm ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë globale.
Foto:VCG
Kreu i shtetit i Kinës i tha këto gjatë një bisede telefonike me homologun francez Emmanuel Macron. Të dy liderët ishin në një mendje që palët përkatëse duhet të mbështesin rikthimin e paqes ndërmjet Rusisë e Ukrainës nëpërmjet negociatave.
“Kina ka nxitur bisedimet në mënyrën e saj dhe përkrah vendet europiane ta marrin vetë në dorë sigurinë e Europës”, shtoi presidenti kinez.
Ndërsa presidenti Emmanuel Macron u shpreh nga ana e tij se Franca dhe Kina ndajnë shumë pika të përbashkëta mbi çështjen e Ukrainës, duke theksuar që vendi i tij është i gatshëm të zhvillojë bashkërendim e bashkëpunim më të ngushtë me Kinën në nivel dypalësh e shumëpalësh.
“Franca dhe Bashkimi Europian ndjekin autonominë strategjike, kundërshtojnë kundërvënien midis blloqeve dhe nuk do të bëhen pjesë e saj”, theksoi kreu i “Elizesë”.
Dy presidentët shkëmbyen mendime edhe mbi marrëdhëniet Kinë-Francë dhe Kinë-BE.
Xi u shpreh se bashkëpunimi dypalësh ka arritur rezultate frytdhënëse në pesë vjetët e fundit. Kina dhe Franca ka marrë mbi vete përgjegjësitë e tyre si vende kryesore në çështje si përballimi i ndryshimit klimatik dhe mbrojtja e biodiversitetit.
Dy vendet duhet të respektojnë parimin origjinal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “të pavarura, me mirëkuptim të ndërsjellë, largpamëse e me përfitime të përbashkëta” dhe të respektojnë interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës, duke u angazhuar për shtimin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit në nivel dypalësh, Kinë-BE dhe global, tha kreu i shtetit i Kinës.
Xi Jinping takohet me Makronin,6 nëntor,2019, Pekin(Foto:Xinhua)
Ndërsa Macron-i sapo ka bërë betimin për mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të shtetit francez, presidenti kinez Xi u bëri thirrje dy vendeve të vazhdojnë zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë bërthamore, fluturimeve hapësinore e aviacionit, duke shtuar përpjekjet për të nxitur bashkëpunimin në fushat e reja, si inteligjenca artificiale e energjia e pastër.
Xi u shpreh se Kina është e gatshme të importojë produkte franceze me cilësi të lartë dhe mirëpret kompanitë financiare dhe të teknologjisë së lartë franceze të kryejnë biznes në Kinë. Ndërkohë, ai i kërkoi palës franceze të ofrojë mjedis të barabartë, të drejtë dhe jodiskriminues biznesi për investitorët kinezë.
“Kina dhe Franca duhet të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë, të ruajnë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb e rendin ndërkombëtar të mbështetur në ligjin ndërkombëtar dhe të përkrahin shumëpolaritetin e botës dhe globalizimin ekonomik, duke thelluar bashkëpunimin në fusha si përballimi i ndryshimit të klimës dhe mbrojtja e biodiversitetit”, tha presidenti kinez. Sipas tij, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm i marrëdhënieve Kinë-BE është në interes të popullit kinez e të popujve të BE-së dhe të vendeve të tjera të botës.
Kina vlerëson ndjekjen nga Franca të autonomisë strategjike. “Kina shpreson se Franca do ta nxisë Bashkimin Europian të ketë një perceptim të drejtë për Kinën, do të bëjë përpjekje për të ecur në të njëjtin drejtim dhe do të menaxhojë si duhet dallimet”, tha presidenti kinez. Ai bëri thirrje për thellimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit Kinë-BE në fusha si ekonomia, tregtia, zhvillimi i gjelbër, teknologjia digjitale dhe kultura në bazë të interesave të përbashkët.
Xi i kërkoi Francës, që është vendi kryetar i radhës i Bashkimit Europian, të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.
Uniza Azovstal në luftë,10 maj(Foto:VCG)
Në bisedën telefonike, Macron-i vlerësoi bashkëpunimin frytdhënës ndërmjet vendit të tij dhe Kinës gjatë pesë vjetëve të kaluar. Sipas tij, Franca është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën në fusha si bujqësia, aviacioni, energjia bërthamore civile dhe kultura në pesë vjetët e ardhshëm, duke forcuar bashkëpunimin në përballimin e ndryshimit klimatik dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Ai shtoi se Franca do të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve BE-Kinë.(Zhang Yan/Artan)