立场---[lì chǎng]---pozicion
Ambasada kineze në ShBA hodhi poshtë të martën deklaratën e bërë nga Departamenti amerikan i Shtetit se zyrtarët dhe media kineze "përforcojnë rregullisht propagandën, teoritë e konspiracionit dhe dezinformimin e Kremlinit" lidhur me çështjen e Ukrainës.
"Pozicioni i Kinës në çështjen e Ukrainës është i paanshëm, objektiv dhe i paqortueshëm," tha zëdhënësi i ambasadës në një përgjigje të pyetjes mbi një deklaratë të publikuar të hënën në uebsajtin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi e nxiti ShBA-në që të punojë me Kinën dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës sa më parë.
Deklarata e Uashingtonit, e titulluar "Përpjekjet e Republikës Popullore të Kinës për përforcimin e zërit të Kremlinit mbi Ukrainën", akuzon diplomatët dhe median kineze se përligjin operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe minojnë besimin te ShBA-ja dhe aleatët e saj.
Zëdhënësi i ambasadës e kritikoi ShBA-në për dezinformim mbi Kinën.
"Kur bëhet fjalë për përhapjen e dezinformimit, pala amerikane duhet të reflektojë seriozisht mbi veten," tha ai. "Janë zyrtarët dhe mediat amerikane që kanë përhapur thashetheme, si ato që Kina e dinte para kohe dhe mbështeti në heshtje veprimet ushtarake të Rusisë, e ndihmoi Rusinë që të shmangte sanksionet dhe ofroi mbështetje ushtarake për Rusinë. Këto janë dezinformacione në plot kuptimin e fjalës."
Kina e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka pasur dijeni që përpara për operacionin e Rusisë, se e ka mbështetur në heshtje atë ose se i ka ofruar ndihmë ushtarake Moskës.
“Luftërat e zhvilluara nga ShBA-ja në Irak, Afganistan e Siri kanë shkaktuar vdekjen e 335 000 civilëve. Ky nuk është dezinformacion. Shumica dërrmuese e vendeve të botës përkrahin zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas nëpërmjet dialogut e negociatave dhe nuk dëshirojnë përshkallëzimin e daljen jashtë kontrollit të situatës. Ky nuk është dezinformacion. Në dokumentin e punës të paraqitur në mbledhjen e Shteteve Palë të Konventës së Armëve Biologjike në nëntor 2021, ShBA-ja e pranoi se ka 26 biolaboratorë në Ukrainë. Sipas një dokumenti të publikuar nga Departamenti i Mbrojtjes në mars 2022, ShBA-ja po përkrah 46 objekte në Ukrainë. Këto nuk janë dezinformacione," tha zëdhënësi i ambasadës kineze në ShBA.
Ai shtoi se, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe ShBA-ja duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të arritur një zgjidhje politike të krizës dhe një armëpushim sa më shpejt, duke shtuar ndihmën humanitare për Ukrainën dhe duke mbrojtur civilët. (Xu Guang)