风险---[ fēng xiǎn]---Rrezikshmëri

Përqindja e të prekurve me COVID-19 në grupet më të rrezikuara në Shangai po ulet. “Pavarësisht se numri i rasteve të reja të infektimit vijoi të mbetet i lartë në dy ditët e kaluara, gjendja e tyre është relativisht e qëndrueshme,” bënë të ditur autoritetet vendore të shëndetësisë.

Vullnetarët transportojnë materialet e jetës së përditshme për banorë,Shangai(Foto:VCG)

Vullnetarët transportojnë materialet e jetës së përditshme për banorë,Shangai(Foto:VCG)

“Ndër 21 582 të prekurit asimptomatikë, 415 ishin nga grupet më të rrezikuara”, tha Wu Jinglei, drejtori i Komisionit të Shëndetësisë të Bashkisë së Shangait në një konferencë shtypi të organizuar të dielën mbi situatën e përhapjes së COVID-19 në qytet.

Prirja e uljes do të thotë se më shumë burime infektimi janë izoluar dhe kontrolluar.

Metropoli me 25 milionë banorë është goditur më rëndë gjatë shpërthimit të fundit të COVID-19 në Kinë. Numri ditor i infektimeve të raportuara është rritur nga disa dhjetëra në më shumë se 25 mijë që prej marsit, me gjithë shtrëngimin e masave të kontrollit.

Sipas komisionit të shëndetësisë të qytetit, të shtunën u raportuan 3 238 raste infektimi me burim të brendshëm dhe 21 582 bartës asimptomatikë.

Ndërkohë, 373 të shëruar dolën nga spitalet dhe 10 337 të tjerë u nxorën nga qendrat vendore të vëzhgimit.

Sipas z. Wu, tani në Shangai ka 16 pacientë me simptoma të rënda, ndër të cilët më i riu është 33-vjeçar dhe 15 të tjerët janë mbi 70 vjeç.

“Vetëm një prej këtyre 16 pacientëve është vaksinuar plotësisht. Të tjerët nuk kanë bërë asnjë dozë të vaksinës,” deklaroi Wu, duke shtuar se 33-vjeçari vuan prej një sëmundjeje të rëndë autoimune paraekzistuese, gjë që e ka dobësuar në mënyrë të dukshme sistemin imunitar të tij.

Mjekët ndihmojnë banorë në marrjen e rezultatit të testimit,Shangai(Foto:VCG)

Mjekët ndihmojnë banorë në marrjen e rezultatit të testimit,Shangai(Foto:VCG)

Testimet e shpeshta të përsëritura të acidit nukleik janë të domosdoshme për Shangain, duke përbërë një metodë shumë të efektshme për kontrollin e epidemisë në qytet, tha Gao Chunfang, profesore nga Spitali i Mjekësisë së Integruar Kineze dhe Perëndimore "Yueyang" pranë Universitetit të Mjekësisë Tradicionale Kineze të Shangait në konferencën e shtypit të së dielës.

“Të gjitha sëmundjet ngjitëse kanë një periudhë inkubimi dhe koronavirusi i COVID-19 nuk bën përjashtim nga kjo,” shtoi znj. Gao, duke sqaruar se gjatë provave klinike, testimi i shpeshtë është një mënyrë normale për zbulimin e patogjenit dhe zakonisht kryhet tre deri në pesë herë.

Duke marrë parasysh gjendjen e tanishme, testimet e përsëritura mund të gjejnë shpejt rastet pozitive, sidomos ato asimptomatike, dhe zonat me rrezik të lartë, duke zbuluar e izoluar burimin e infektimeve të reja dhe duke ndaluar përhapjen e tyre, për të mbrojtur grupet e dobëta prej COVID-19, tha znj. Gao.

Në të njëjtën kohë, autoritetet e qytetit shpallën të shtunën një udhëzim për parandalimin e epidemisë, me qëllim që ndërmarrjet industriale të rifillojnë funksionimin për të garantuar stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

Qytetarët në radhë për të bërë testim të acidit nukleik,Shangai(Foto:VCG)

Qytetarët në radhë për të bërë testim të acidit nukleik,Shangai(Foto:VCG)

Në udhëzimin e publikuar nga Komisioni i Ekonomisë dhe i Informatizimit, autoritetet e të gjitha distrikteve duhet të mbështesin aktivisht ndërmarrjet të rifillojnë punën e prodhimin, duke drejtuar punën e tyre të kontrollit dhe parandalimit epidemik.

Sipas dokumentit, kompanitë duhet të formojnë një mekanizëm të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, si edhe të hartojnë planet e menaxhimit të mbyllur. Ndërmarrjet që nuk mund të marrin si duhet masat e kontrollit ose të garantojnë prodhimin e sigurt, nuk mund të rifillojnë punën.

Ndërmarrjet duhet të krijojnë edhe ekipe të posaçme për të parandaluar epideminë dhe menaxherët e niveleve të ndryshme do të jenë përgjegjësit kryesorë për shëndetin dhe sigurinë e të punësuarve. Menaxhimi i klasifikuar duhet të zbatohet në fusha të ndryshme si portat, zonat e prodhimit e të banimit, tualetet dhe vendet e hedhjes së mbeturinave. Gjithashtu, personeli në zonat me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë duhet të mbajë maska të tipit N95 ose KN95. Ata që vijnë nga zonat me rrezikshmëri të ulët infektimi duhet të mbajnë maska mjekësore njëpërdorimëshe.

Për sa i përket menaxhimit të logjistikës dhe rezervimit të materialeve për parandalimin epidemik, në udhëzim propozohet që të krijohen rrugë të posaçme dhe vende të caktuara për hyrjen në fabrika të materialeve të prodhimit dhe të jetesës së përditshme dhe ato duhet të izolohen nga zonat e tjera. Drejtuesit dhe udhëtarët e automjeteve të furnizimit që hyjnë në fabrika duhet të plotësojnë si duhet kërkesat e kontrollit epidemik.(Zhang Yan/Artan)