开放---[kāi fàng]---hapje
Porta e hapjes nuk do të mbyllet, por do të hapet më tej. Ky është premtimi solemn nga Kina për botën. Në katër vjetët e fundit, ndërtimi i portit të tregtisë së lirë të Hainan-it është një shembull i mbajtjes së këtij premtimi nga Kina, thotë Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment.
Të martën kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping, që ndodhej në Hainan për inspektim, bëri një vizitë në zonën e zhvillimit ekonomik të Yangpu-së, ku u njoh me zhvillimin e kësaj zone dhe ndërtimin e portit të tregtisë së lirë të Hainan-it. Po atë ditë, Administrata Shtetërore e Doganave e Kinës publikoi të dhënat, sipas të cilave, vëllimi i import-eksportit të Hainan-it është rritur nga 70.28 miliardë juanë më 2017 në 147.68 miliardë juanë vjet, me një rritje mesatare vjetore 20.4 %, duke u renditur në vendin e dytë ndër të gjitha krahinat kineze.
Porti i tregtisë së lirë është niveli më i lartë i hapjes në botën e sotme. Më 13 prill 2018, në Hainan filloi ndërtimi i portit të tregtisë së lirë. Gjatë katër vjetëve të fundit, me politikën e “tarifave zero”, ndërtimi i portit të tregtisë së lirë të Hainan-it ka qenë i frytshëm, duke dëshmuar vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e hapjes dhe për të arritur përfitime të përbashkëta me mbarë botën.
Deri në vitin 2025 do të krijohet sistemi i politikave mbi tregtinë e lirë me fokus lehtësimin e tregtisë e të investimeve; deri në vitin 2035, ky sistem dhe mënyra e funksionimit të tij do të jenë më të pjekur; dhe deri në mes të këtij shekulli, do të ndërtohet porti i tregtisë së lirë me ndikim të nivelit të lartë ndërkombëtar - kjo është një hartë e qartë për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë të Hainan-it. Tani kanë nisur punët përgatitore për sistemin e posaçëm të taksave doganore dhe po shpejtohet ndërtimi i portit të tregtisë së lirë. Shumë media të huaja janë të mendimit që Hainan-i do të bëhet “Dubai Kinez”, duke i mundësuar të gjithë botës të ketë përfitime nga ky ishull.
Foto:VCG
Në fakt, bota është favorizuar tashmë nga ndërtimi i portit të tregtisë së lirë të Hainan-it në katër vjetët e fundit. Për shembull, politika e “tarifave zero” ka sjellë përfitime për shumë kompani.
Më 14 mars u zhdoganua në Haikou një kontingjent pajisjesh argëtimi të importuara, me vlerë 875 mijë euro, me ulje të taksave prej mbi 1.24 milionë juanësh. Ky është biznesi i parë pas zbatimit të politikës së "tarifave zero" për pajisjet e prodhimit në portin e tregtisë së lirë të Hainanit.
Kompania franceze "Schneider Electric" ka hapur biznesin e saj tregtar dhe logjistik në Hainan. Personi përgjegjës i kësaj kompanie shprehu mirëpritjen për politikën e “tarifave zero”. Ai tha: “Në sfondin e nxitjes së lehtësimit të tregtisë dhe investimeve në portin e tregtisë së lirë, Hainan është bërë një vend shumë tërheqës, ku shumë ndërmarrje janë të gatshme të bëjnë investime. Kjo na ka sjellë shumë mundësi.”
Nga fundi i marsit 2022, vlera e përgjithshme e mallrave të importuara sipas politikës së "tarifave zero" të portit të tregtisë së lirë të Hainan-it i tejkaloi 7 miliardë juanët, duke përfshirë produkte "det-tokë-ajër", si anijet, jahtet, automjetet, avionët, materialet e prodhimit dhe pajisjet e prodhimit.
Krahas kësaj, nga lista më e shkurtër negative për investimet e huaja te lista e parë negative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare të Kinës dhe te politikat tatimore preferenciale shumë konkurruese, mjedisi i biznesit në portin e tregtisë së lirë të Hainan-it po përmirësohet vazhdimisht. Në katër vjetët e fundit, përdorimi real i investimeve të huaja në Hainan ka arritur një vlerë të përgjithshme prej 8.81 miliardë dollarësh, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 79.4 %, duke tërhequr investitorë nga 126 vende dhe rajone të botës.
Foto:VCG
Më e rëndësishmja është që në qershorin e vjetshëm u publikua "Ligji i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it" dhe u bënë një sërë planifikimesh për ndërtimin e këtij porti, duke nxitur hapjen më të madhe të Kinës.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) më 1 janar të këtij viti, porti i tregtisë së lirë të Hainan-it ndodhet përpara rasteve të reja të zhvillimit. Besohet që ky port mund të luajë një rol kryesor në bashkëpunimin rajonal. Sipas parashikimeve, që nga Hainan-i deri në mbarë Kinën, një raund i ri hapjeje me nivel më të lartë do t'i lejojë botës të ndajë më shumë raste të sjella nga zhvillimi i Kinës dhe të shtojë energjinë e nevojshme për mëkëmbjen e ekonomisë botërore. (Jiang Lei)