隧道---[suì dào]---tunel
Ditët e fundit, në Cefalù të ishullit të Sicilisë në Italinë Jugore, ka nisur zyrtarisht projekti i hapjes së një tuneli, ku përdoren të ashtuquajturat makina të gërmimit të tuneleve me dy mburoja. Ky lloj i ri makine është prodhuar nga Grupi i Pajisjeve Inxhinierike Hekurudhore i Kinës (CREG).
Hekurudha Palermo-Mesina është një pjesë e rëndësishme në rrjetin e transportit të BE-së. Shpejtësia e projektuar e saj është 200 km në orë. Në pjesën në Cefalù duhet të hapen dy tunele paralele me gjatësi prej 6.7 kilometrash. Thellësia maksimale e tuneleve është 300 metra dhe presioni maksimal i ujit është mbi 5 bar. Krahas kësaj, këtu ka shtresa të ndërlikuara gjeologjike me tokë argjilore e shkëmbinj të ndryshëm. Më e vështira është që makinat e gërmimit të tuneleve duhet të kalojnë nëpër vendet historike në Cefalù. Me një fjalë, projekti ka vështirësi të mëdha teknike.
Lidhur me këtë, inxhinieri i kompanisë CREG që përgjigjet për punët teknike, Zhang Faliang, shprehet që makineritë kineze për gërmimin e tuneleve tani janë të nivelit të lartë ndërkombëtar për sa i përket cilësisë dhe teknologjisë. Makinat që përdoren këtë herë në Cefalù kanë dy mënyra funksionimi, që u mundëson të përdoren në kushte të ndryshme gjeografike, dhe kjo do të shkurtojë afatin e zbatimit të projektit.
“E kemi projektuar këtë lloj makine gërmimi për ta përshtatur për shtresat e ndryshme nëntokësore. Kjo është 'makina me dy mburoja' me diametrin më të madh që Kina eksporton dhe ajo mund të garantojë ndërrimin e shpejtë të mënyrave të gërmimit. Tani kjo teknologji është e nivelit drejtues ndërkombëtar,” thotë Zhang Faliang.
Tani ekipi i shërbimit pas shitjes i CREG-së po bën rregullimin e makinave, për të garantuar funksionimin normal të tyre në projektin në Cefalù. Për cilësinë e makinave kineze dhe kapacitetet e personelit teknik të palës kineze, përgjegjësi teknik i projektit në Cefalù, Claudio Angelini (Klaudio Anxhelini), bën vlerësime të larta.
“(Makinat kineze për gërmimin e tuneleve) janë shumë moderne, kanë cilësi të mirë dhe janë prej materialesh shumë cilësore. Kemi marrëdhënie shumë të mira me punonjësit kinezë dhe nuk kemi asnjë problem,” thotë Claudio Angelini.
Cefalù ndodhet afro 70 km në lindje të Palermos. Kjo qytezë bregdetare është e njohur në botë, pasi në të është xhiruar filmi i famshëm "Kinemaja e re 'Parajsa'". Parashikohet që deri më 2025, kur të përfundojë projekti hekurudhor Palermo-Mesina, turistët do të harxhojnë vetëm gjysmë ore për të shkuar nga Palermo për në Cefalù. Kjo do të nxitë ndjeshëm zhvillimin e turizmit.
Banori i Cefalù-së, Gaetano Viscuso (Gaetano Viskuzo), thotë: “Cefalù është një qytet i vogël që varet shumë nga turizmi. Në verë, pranverë e vjeshtë kemi shumë turistë nga e gjithë bota. Për ne është shumë e rëndësishme që turistët ta kenë të lehtë të vijnë këtu.”
Deri tani, kompania kineze CREG ka eksportuar 16 makina gërmimi tunelesh në vendet europiane, pesë prej të cilave në Itali. Hekurudha Milano-Verona është një nga veprat infrastrukturore për Olimpiadën Dimërore Milano-Cortina d'Ampezzo 2026. Për ndërtimin e një tuneli të rëndësishëm të kësaj hekurudhe, që do të përfundojë në maj e qershor, është vënë në përdorim makina nr. 699 e prodhuar nga CREG. Ndërkohë, në gjashtëmujorin e dytë, një tjetër makinë e CREG-së do të përdoret në hekurudhën e Napolit. Makinat kineze për gërmimin e tuneleve, që kanë thyer monopolin e vendeve perëndimore, po përdoren gjithnjë e më shumë në vendet e Europës dhe të mbarë botës.(Jiang Lei)