考察---[kǎo chá]---inspektim

Të dielën pasdite, në qytetin Sanya të Kinës Jugore, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping bëri inspektime në laboratorin e farërave të gjirit Yazhou dhe Institutin e Oqeanografisë pranë Universitetit Oqeanik të Kinës, ku mësoi për gjendjen e inovacionit të farërave dhe zhvillimin e shkencave oqeanike. Kjo është hera e 3-të që Xi Jinping-u bën inspektime në Hainan qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së.

Në zyrën e Xi Jinping-ut ka një fotografi të tij bashkë me të atin, Xi Zhongxun, të bërë në janar 1979, kur Xi vizitoi babain e tij në Hainan. Në atë kohë Hainan-i ishte vetëm një ishull i varfër, por njerëzit atje kishin vullnet të fortë në ndërtim, çka i la Xi Jinping-ut përshtypje shumë të thellë. Gjatë 40 vjetëve më pas, Xi Jinping ka bërë shumë herë inspektime në Hainan dhe ka dëshmuar zhvillimin gradual të këtij ishulli dhe shndërrimin e tij në një ishull turistik me veçanti ndërkombëtare.

Në prill 2013, Xi vizitoi qytezën Tanmen, ku pyeti për kushtet e punës dhe të ardhurat e peshkatarëve, duke u shprehur urime të sinqerta: “Ju uroj kthim të mbarë dhe shpresoj çdo herë kur të dilni për të zënë peshk të keni kapje të bollshme.”

Në parkun industrial Lande të gjirit Yalong, Xi Jinping-u bisedoi me fermerët vendas, duke përmendur shprehjen e njohur: “Kyçi i shoqërisë së begatë është jeta e mirë e fshatarëve”.

Në prill të vitit 2018, kreu i shtetit kinez bëri vizitë në Shicha të qytetit Haikou. Ky është një fshat i pasuruar nga mbjellja e bimës së dendrobit, duke gjetur modelin e pasurimit “ndërmarrje+kooperativë+fermerë” dhe duke u larguar nga varfëria në vitin 2016.

Xi i vlerësoi lart arritjet e këtij fshati, duke dhënë këshilla të sinqerta: “Lulëzimi rural varet nga sektori industrial, që duhet të ketë karakteristikat e tij, duke ndjekur një rrugë të veçantë, shkencore dhe të përshtatshme me gjendjen reale.”

Më 2018, në konferencën e kremtimit të 30-vjetorit të krijimit të Zonës së Posaçme Ekonomike të Hainan-it, kryetari i shtetit i Kinës shpalli mbështetjen për ndërtimin e zonës eksperimentale të tregtisë së lirë, duke përpiluar hartën e zhvillimit në epokën e re.

Në fjalimin e vet të rastit, Xi tha: “Komiteti Qendror i PKK-së mori vendim të mbështetë ndërtimin e zonës eksperimentale të tregtisë së lirë në mbarë ishullin e Hainan-it, të mbështetë Hainan-in të eksplorojë dhe të nxitë në mënyrë të qëndrueshme ndërtimin e portit të tregtisë së lirë me karakteristika kineze dhe të krijojë hap pas hapi politikat dhe sistemin për portin e tregtisë së lirë. Ky është një vendim i rëndësishëm nga Komiteti Qendror pas studimit të thelluar, vlerësimit të gjithanshëm e planifikimit shkencor, duke u bazuar në gjendjen brenda e jashtë vendit. Kjo tregon vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e hapjes dhe nxitjen e globalizimit.”

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Porti i tregtisë së lirë është niveli më i lartë i hapjes ndaj botës. Për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë në Hainan, Xi Jinping-u mori pjesë vetë në planifikimin, promovimin e zbatimin, duke propozuar që t'i jepet një theks i dukshëm inovacionit të integruar, të çlirohen mendimet, të krijohen risi me guxim, të vihen në zbatim në mënyrë më efektive politikat e hartuara, të zbatohen politikat në mënyrë të qëndrueshme dhe të bëhen përpjekje afatgjata. Synimi është që deri më 2025, të formohet sistemi i portit të tregtisë së lirë me tregtinë e lirë dhe lehtësimin e investimeve si thelb, deri në vitin 2035 Hainan-i të bëhet një pikë e lartë e hapjes ekonomike dhe deri në mes të këtij shekulli, të bëhet në një mënyrë të gjithanshme një port i tregtisë së lirë me nivel të lartë dhe me ndikim ndërkombëtar.

Forumi i Boaos për Azinë është një veprimtari e rëndësishme diplomatike që zhvillohet në Kinë, pikërisht në Hainan. Qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Xi Jinping-u ka mbajtur katër herë fjalim në ceremonitë e hapjes së këtij forumi, duke i shprehur botës zërin e fortë që Kina nxit me vendosmëri thellimin e reformës dhe hapjes.

“Suksesi nuk varet nga unë, por unë duhet të jem medoemos pjesë e suksesit”. Duke përmendur këtë shprehje, Xi dha këshilla të sinqerta për Hainan-in, dhe këtu po shpaloset tashmë gradualisht harta e re e zhvillimit. Inspektimi i kësaj here në Hainan do t'i lërë Xi Jinping-ut kujtime të reja nga ky ishull. (Jiang Lei)