停火---[tíng huǒ]---armëpushim
Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi të martën një mbledhje të hapur mbi situatën në Ukrainë, në qendër të së cilës u vu "incidenti i Buças". Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB-në theksoi se nxitja e uljes së tensionit në Ukrainë dhe realizimi sa më shpejt i armëpushimit është ajo çka shpreson në këtë moment bashkësia ndërkombëtare dhe gjithashtu është dëshira e fortë e palës kineze. Lidhur me "incidentin e Buças", pala kineze u shpreh se çdo akuzë duhet të bazohet në fakte dhe para se të nxirren përfundime, palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin dënimin e pabazë.
Mbledhja e hapur e OKB-së mbi situatën në Ukrainë, më 5 prill/ VCG
Aktualisht, detyra më urgjente është armëpushimi dhe ndalimi i luftës midis Rusisë e Ukrainës, dhe për këtë qëllim, përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për bisedimet e paqes janë më të rëndësishme.
Për "incidentin e Buças", pala ruse dhe ajo ukrainase kanë pikëpamje të ndryshme. Mediat ukrainase publikuan ditët e fundit një sërë fotografish e videosh, të cilat thuhet se janë dëshmi për vrasjen e civilëve në qytezën Buça, dhe qeveria ukrainase akuzoi se vrasjet u kryen nga ushtria ruse. Ndërsa pala ruse e mohoi në mënyrë të prerë një gjë të tillë dhe tha se të ashtuquajturat "dëshmi krimesh" dolën pas tërheqjes së trupave ruse dhe arritjes së trupave e mediave ukrainase. Moska është shprehur se ky "incident" është fabrikuar nga pala ukrainase për mediat perëndimore, duke theksuar që dëshmitë përkatëse pala ruse ia ka paraqitur Këshillit të Sigurimit.
Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, gjatë konflikteve duhet të shmanget dhuna e çfarëdo forme ndaj civilëve, prandaj e vërteta dhe shkaku i "incidentit të Buças" duhet të hetohen dhe çdo dhunë kundrejt civilëve duhet të ndëshkohet. Meqenëse pala ruse dhe ajo ukrainase kanë pikëpamje të ndryshme mbi këtë incident, OKB-ja duhet të dërgojë një grup të pavarur dhe objektiv për hetimin në Ukrainë. Para zbulimit të së vërtetës, palët duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të parandalojnë acarimin e situatës.
Megjithatë, ShBA-ja dhe disa vende evropiane nuk pritën rezultatet e hetimit, por nisën një sërë veprimesh kundër Rusisë. Presidenti i ShBA-së e dënoi ushtrinë ruse për "krime lufte" në qytezën Buça, pala amerikane shtoi sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa afro dhjetë vende evropiane dëbuan diplomatët rusë në mënyrë masive. Një incident i pahetuar për të gjetur të vërtetën, u bë preteksti i politikanëve amerikanë e vende të tjera perëndimore për shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për armëpushimin humanitar/ VCG
Deri tani janë zhvilluar pesë raunde të bisedimeve të paqes midis Rusisë e Ukrainës dhe janë arritur disa rezultate pozitive. Me këtë rast, "incidenti i Buças" pa dyshim i hijeson bisedimet e paqes. Në çastin më kritik, nevojiten më shumë gjakftohtësia dhe përpjekjet për vijimin e bisedimeve të paqes. Ashtu siç vuri në dukje sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, kriza humanitare si pasojë e konfliktit ruso-ukrainas është shumë urgjente dhe "zjarri i luftës në Ukrainë duhet të shuhet tani".
Problemet humanitare nuk duhet të politizohen. Pala kineze është e mendimit se sulmet ndaj civilëve janë të papranueshme dhe duhet të shmangen, ndërsa e vërteta dhe shkaqet duhet të hetohen. Por para publikimit të rezultatit të hetimit, palët nuk duhet t'i hedhin benzinë zjarrit për qëllime politike. Ky është respekti bazë për viktimat civile dhe veprimi i duhur për parandalimin e problemeve humanitare të mëtejshme. (Wang Lei/ Artan)