殖民者---[zhí mín zhě]---koloniazatorë
2 prilli i këtij viti shënon 40-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Ishujve Malvine. Në këtë ditë 40 vjet më parë, shpërtheu lufta midis Argjentinës dhe Britanisë për të rifituar sovranitetin mbi ishujt Malvine të pushtuar nga kolonizatorët. Pas 74 ditësh, lufta përfundoi me disfatë për Argjentinën. Që atëherë, sovraniteti i ishujve Malvine është bërë një dhimbje e pashlyeshme në zemrat e popullit argjentinas, thekson Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një koment të tijin.
VCG
Pas 40 vjetësh, qeveria dhe populli argjentinas nuk i kanë ndalur kërkesat e tyre për sovranitetin mbi ishujt Malvine dhe kanë kërkuar që Britania të kthehet në tryezën e bisedimeve. Shumë vende gjithashtu, duke përfshirë Kinën, mbështesin qartë kërkesën e Argjentinës për ushtrimin e plotë të sovranitetit mbi ishujt Malvine, duke i kërkuar Britanisë të respektojë rezolutat përkatëse të OKB-së dhe të rifillojë negociatat sa më shpejt, për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë paqësore.
Nëse sheh historinë, thelbi i çështjes së ishujve Malvine është trashëgimia kolonialiste, vijon komenti i CMG-së. Më 1816 Argjentina trashëgoi sovranitetin mbi ishujt Malvine kur fitoi pavarësinë nga sundimi kolonial spanjoll. Në vitin 1833, Britania, e cila ishte e angazhuar në ekspansionin kolonial në Amerikën e Jugut, pushtoi ishujt Malvine me forcë. Në vitin 1965, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë për ta përfshirë çështjen e ishujve Malvine në kategorinë e "çkolonizimit", duke i kërkuar Britanisë dhe Argjentinës të negociojnë në mënyrë dypalëshe për të zgjidhur mosmarrëveshjen lidhur me sovranitetin. Komiteti i Posaçëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Çkolonizimin ka miratuar mbi 30 rezoluta, duke i kërkuar qeverisë britanike të negociojë me Argjentinën për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por të tëra këto nuk janë pranuar nga Londra.
VCG
Është e çuditshme se britanikët kanë vazhduar të marrin masa për të konsoliduar pushtimin prej tyre të Malvineve, thekson CMG-ja, duke dhënë si shembull që, në janar të këtij viti, pala argjentinase mësoi se Britania kishte vendosur armë të mbrojtjes kundërajrore në këta ishuj. Argjentina e quajti këtë "një shfaqje tjetër të paarsyeshme të forcës" dhe shprehu kundërshtimin e vet më të fortë.
Mospranimi i negociatave, dislokimi i armëve, zhvillimi i stërvitjeve ushtarake... Veprimet e palës britanike tregojnë se "mendësia e saj ende ka mbetur në epokën koloniale", duke mos i kushtuar aspak rëndësi sovranitetit të vendeve në zhvillim, komenton CMG-ja. Zyrtari i Ministrisë së Jashtme argjentinase Guillermo Carmona vuri në dukje se Britania ka shkelur sovranitetin e Argjentinës mbi ishujt Malvine, ndërkohë që bën thirrje për respektimin e sovranitetit të vendeve evropiane në çështje të tjera, gjë që pasqyron plotësisht standardet e dyfishta. Malvinet nuk janë vetëm një çështje e Argjentinës, por edhe një problem rajonal e global, dhe të tëra palët duhet të kundërshtojnë kolonializmin që ende praktikon Britania në territorin e Argjentinës.
“Sot epoka e kolonizatorëve që bëjnë çfarë të duan, ka përfunduar. Pala britanike duhet të zgjohet nga ëndrrat koloniale, të zbatojë rezolutat e OKB-së, të fillojë dialogun e negociatat me Argjentinën dhe ta zgjidhë mosmarrëveshjen e ishujve Maldive në mënyrë paqësore. Me demokratizimin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, ishujt Maldive nuk duhet të jenë një dhimbje e përhershme për Argjentinën!” e mbyll komentin CMG-ja.