成本---[chéngběn]---Kosto
Gati një vit pasi vaksinimi kundër COVID-19 u bë falas në ShBA, një e katërta e amerikanëve të rritur ende janë të pavaksinuar. Tani po shfaqet panorama e kostos ekonomike që sjell ngurrimi për të bërë vaksinën, në formën e rrezikut financiar për individët, kompanitë dhe programet me financim publik.
Ngurrimi për t’u vaksinuar ka të ngjarë që llogaritet tashmë në dhjetëra miliardë dollarë kosto të shtrimit në spital në ShBA dhe në qindra mijë vdekje të parandalueshme, vënë në dukje ekspertët e shëndetit publik.
Për individët që heqin dorë nga vaksinimi, rreziqet mund të përfshijnë pushimin nga puna dhe pamundësinë për të marrë ndihmën e papunësisë, prime më të larta sigurimi, rritje të kostos mjekësore individuale ose humbje të bursave shkollore.
Për punëdhënësit, ngurrimi ndaj vaksinave mund të çojë në shkurtim të vendeve të punës. Për taksapaguesit, kjo mund të nënkuptojë një shterim financiar të programeve, të tilla si “Medicare”, që ofron kujdes shëndetësor për të moshuarit.
"Kur u krijuan vaksinat, dukej sikur të gjithë donin ta bënin një të tillë dhe çështja kryesore ishte se sa kohë do të duhej për të përmbushur kërkesën," thotë Kosali Simon, profesore e ekonomisë shëndetësore në Universitetin e Indianës. "Nuk më shkonte mendja që, një vit më vonë, do të studionim koston e njerëzve që nuk duan të vaksinohen."
Alicia Royce, mësuese 38-vjeçare e arsimit të posaçëm në Koaçela të Kalifornisë, dhe dy fëmijët e saj, nuk e bënë vaksinën e COVID-19. Prindërit e saj u vaksinuan, por ajo është shqetësuar nga çështje të tilla, si njoftimet për efekte anësore.
Vendimi për të mos u vaksinuar e vë Royce-n në një pozitë delikate. Shkolla e saj, si të tjerat në Kaliforni, urdhëroi vaksinimin e detyrueshëm për stafin vitin e kaluar. Për momentin, Royce ka një përjashtim fetar dhe testohet për COVID-19 dy herë në javë përpara se të hyjë në mësim. Por kjo gjendje e ka shtyrë familjen e saj të planifikojë që pas këtij viti shkollor, të zhvendoset në Alabama, ku shkollat nuk kanë vendosur vaksinimin me detyrim.
"Do të paguhem më pak, por po lëviz për të pasur lirinë time personale për të zgjedhur," thotë Royce, që pret të ketë një ulje të pagës prej 40 000 dollarësh në vit.
Megjithatë, prime më të larta sigurimi janë çmimi që shumë amerikanëve që zgjedhin të mos vaksinohen, mund t’u duhet të paguajnë për "lirinë e zgjedhjes".
Statusi i vaksinimit dhe rreziqe të tjera shëndetësore – të tilla si obeziteti ose pirja e duhanit – janë parametra që kompanitë e sigurimit të jetës mund t’u kërkojnë klientëve të mundshëm. Sipas Ligjit të Kujdesit të Përballueshëm të ShBA-së, individëve që kërkojnë sigurim shëndetësor nuk mund të mos u pranohet sigurimi për shkak të kushteve paraekzistuese, duke përfshirë COVID-19, ose të paguajnë më shumë për mosvaksinimin. Por kompanitë që mbulojnë disa nga kostot e sigurimit shëndetësor të punonjësve të tyre mund t’i kalojnë kostot më të larta te punonjësit e pavaksinuar.
Vitin e kaluar, “Delta Airlines” tha se do t'u kërkonte punonjësve që nuk ishin vaksinuar 200 dollarë shtesë në muaj për sigurimin shëndetësor. Kjo kompani ajrore vuri në dukje se tarifa shtesë pasqyronte rrezikun më të lartë të shtrimit në spital për COVID-19 për këta punonjës dhe se shtrimet e punonjësve për COVID-19 kishin kushtuar mesatarisht 50 000 dollarë secili deri më tani.
Kompanitë e mëdha, si “J.P. Morgan” dhe Banka e Amerikës, kanë informuar punonjësit e tyre amerikanë se duhet të presin të paguajnë më shumë ose të marrin më pak përfitime prej programeve të mirëqenies së kompanisë nëse nuk ofrojnë prova të vaksinimit.
Kompani të tjera kanë zgjatur tarifën shtesë të primit të sigurimit për bashkëshortët ose anëtarët e familjes së punonjësve të pavaksinuar nëse duan të sigurohen si persona në ngarkim sipas planit shëndetësor të një punonjësi.
Gjithashtu, pasi kompanitë globale të sigurimeve të jetës u detyruan të paguajnë më shumë sesa 5.5 miliardë dollarë që parashikohej gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2021, ato do të kërkojnë t’i kalibrojnë më nga afër primet me rreziqet e vdekshmërisë prej COVID-19 në të ardhmen, raportoi “Reuters”.
Studentët e universitetit gjithashtu mund të përballen me pasoja të rënda për mosvaksinimin. Të paktën 500 kolegje amerikane e kanë me detyrim vaksinimin, disa ndalojnë regjistrimin ose shkollimin me prani fizike për të pavaksinuarit ose kërkojnë që ata t'i nënshtrohen testimit të shpeshtë për COVID-19.
Në një studim të dhjetorit nga Fondacioni jofitimprurës “Kaiser Family”, i cili gjurmon politikën shëndetësore të ShBA-së dhe rezultatet e saj, u vlerësua se 13.8 miliardë dollarë të kostos të shtrimit në spital për COVID-19 "të parandalueshme" në mbarë vendin midis qershorit dhe nëntorit 2021 vinin nga të rriturit e pavaksinuar amerikanë.(Foto:VCG)