投资---[ tóuzī]---Investim

Foto nga VCG

Sipas një raporti të premten nga Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor e Kinës (SAFE), në vitin 2021 investimet e huaja në tregun kinez arritën një rekord prej 334 miliardë dollarësh, duke u rritur 32 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, gjë që tregon forcën e madhe tërheqëse të perspektivës së ekonomisë kineze.

Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin e OKB-së e renditi Kinën si destinacionin e dytë më të madh të investimeve të huaja në botë vjet.

Sipas SAFE-s, në vitin 2021, vëllimi i përgjithshëm i detyrimeve të Kinës u rrit me 661 miliardë e 600 milionë dollarë, të cilat ishin kryesisht nga investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe investimet e huaja në asetet në RMB.

Investimet e huaja në letrat me vlerë të Kinës u rritën me 176 miliardë e 900 milionë dollarë, ndërsa investimet në derivativë u ulën me 6.8 miliardë dollarë.

Për sa u përket letrave me vlerë, investitorët e huaj kryesisht investojnë në bono kineze. SAFE i konsideron qëndrueshmërinë relative të monedhës kineze RMB dhe përfshirjen e bonove të qeverisë kineze në Treguesin Botëror të Bonove “FTSE Russell” si faktorë favorizues për investitorët.

“FTSE Russell”, një nga tre ofruesit kryesorë ndërkombëtarë të treguesve të bonove, i përfshiu zyrtarisht në tetor të vitit të kaluar bonot e qeverisë kineze në Treguesin Botëror të Bonove Qeveritare (WGBI).

Treguesi Global i Bonove Qeveritare të Tregjeve të Reja i “JP Morgan Chase” dhe Treguesi i Përgjithshëm Global i Bonove i “Bloomberg Barclays” i përfshinë përkatësisht në vitin 2020 dhe më 2019 bonot kineze.

Sipas të dhënave të SAFE-s, vitin e kaluar, rendimenti i përgjithshëm i investimeve të huaja në Kinë ishte rreth 6%, ndërsa i investimeve kineze jashtë vendit rreth 2.8%.

"Dallimi në rendiment pasqyron epërsinë drejtuese të ekonomisë kineze," tha SAFE në raport. SAFE do të thellojë reformën dhe hapjen në fushën e këmbimit valutor për të ndihmuar në stabilizimin e makroekonomisë kineze dhe për të konsoliduar themelet për një bilanc pagesash bazë në vitin 2022, thuhet në raport. (Fani/Artan)