和平---[hé píng]---Paqe
"Është lajm i rremë që pala kineze i ka ofruar palës ruse ndihmë ushtarake dhe këtë e kundërshtojmë," tha të dielën ambasadori i Kinës në ShBA Qin Gang, gjatë një interviste për rrjetin amerikan CBS. Ai hodhi poshtë kategorikisht përbaltjen nga ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore të palës kineze lidhur me problemin e Ukrainës.
Opinioni ka vënë re se para dhe pas shpërthimit të konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, një pjesë e politikanëve dhe e medieve amerikane kanë përhapur pandërprerë lajme të rreme kundër Kinës dhe ndër to, dhënia e mundshme e ndihmës ushtarake Rusisë është nga shpifjet e fabrikuara nga pala amerikane dhe e përsëritur nga vendet e tjera perëndimore. Madje, disa funksionarë amerikanë "kërcënuan" me vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive kineze për këtë arsye.
foto nga VCG
Pas shpërthimit të krizës në Ukrainë, Pekini i është përmbajtur nxitjes së bisedimeve paqësore dhe ka paraqitur propozimin prej gjashtë pikash mbi parandalimin e krizës humanitare në këtë vend, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Kina i ka ofruar Ukrainës disa kontingjente ndihmash humanitare, të cilat përfshijnë ushqime, ilaçe, thasë-dyshek, pluhur qumësht për foshnjat etj. Pala kineze nuk i ka ofruar asnjë pale armë ose municion, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të vazhduuar dhënien e ndihmës humanitare palës ukrainase sipas zhvillimit të situatës.
Ndërkohë, ShBA-ja, nismëtarja e krizës së Ukrainës, i ka vënë palët kundër njëra-tjetrës dhe ka shkaktuar më shumë trazira. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, me nxitjen e ShBA-së, NATO-ja është zgjeruar pesë herë, duke kërcënuar më tej mjedisin e sigurisë rreth Rusisë. Qysh nga viti 2014, pala amerikane i ka dhënë Ukrainës ndihma ushtarake me vlerë prej disa miliona dollarësh amerikanë dhe NATO-ja e Ukraina kanë zhvilluar shumë manovra të mëdha ushtarake, duke e bërë Ukrainën frontin e parë të frenimit të Rusisë. Pikërisht frymëzimi i Uashingtonit "mbolli farën" e krizës në Ukrainë, vihet në dukje në koment.
Pas shpërthimit të konfliktit ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, pala amerikane u ka bërë thirrje vendeve perëndimore të ushtrojnë sanksione të gjithanshme kundër Rusisë dhe i ka dhënë palës ukrainase shumë ndihma ushtarake, duke acaruar krizën. Sipas memorandumit të nënshkruar më 16 mars nga presidenti i ShBA-së, Departamenti amerikan i Mbrojtjes do t'i ofrojë Ukrainës ndihmë në armatime me një vlerë prej 800 milionë dollarësh amerikanë, duke përfshirë shumë armë sulmuese.
Armët e huaja të konfiskuara nga ushtria ruse në Ukrainë/ CMG
Opinioni publik është i mendimit që, nëse ShBA-ja tregon me të vërtetë vëmendje për popullin ukrainas, ajo duhet të nxitë paqen e jo të ofrojë armë e municion. Disa analistë vënë në dukje se pezullimi i tanishëm i bisedimeve ndërmjet Moskës dhe Kievit vjen pikërisht nga varësia e qeverisë ukrainase nga ShBA-ja dhe që, nëse ShBA-ja dëshiron me të vërtetë ndalimin e luftës, realizimi i armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës nuk është i vështirë.
Në komentin e CMG-së thuhet se pala amerikane ka ofruar ndihma ushtarake dhe ka përshkallëzuar sanksionet e njanëshme, ndërsa pala kineze ka nxitur bisedimet e paqes dhe ka ofruar ndihmë humanitare. Bashkësia ndërkombëtare mund të bëjë vetë gjykimin e drejtë se kush nxit kundërvënie dhe kush mbron paqen.
Gjatë videotelefonatës ndërmjet presidentëve të Kinës dhe të ShBA-së, pala kineze shprehu mendimin se "problemi mund të zgjidhet vetëm nga shkaktari i tij", ndërsa pala amerikane premtoi që do të ruajë shkëmbimet me palën kineze dhe do të parandalojë përshkallëzimin e gjendjes. "Të shpresojmë se pala amerikane do të mbajë premtimin e vet," e përfundon komentin CMG-ja. (Wang Lei/ Artan)