火车---[huǒ chē]---Tren

Në fillim të marsit, një tren i ngarkur plot me pajisje mekanike, pjesë elektronike, pjesë këmbimi automjetesh etj., u nis nga qyteti Chongqing i Kinës Jugperëndimore për në Duisburg të Gjermanisë.

11 vjet më parë, treni i parë i mallrave Kinë-Evropë mori rrugën pikërisht nga Chongqing-u, duke rigjallëruar kanalin logjistik midis Azisë dhe Evropës. Sipas të dhënave statistikore, deri në fund të janarit të sivjetshëm, mbi 50 mijë trena mallrash ndërmjet Kinës dhe Evropës kanë transportuar më shumë se 4.55 milionë konteinerë standard me një vlerë të përgjithshme prej 240 miliardë dollarësh amerikanë drejt 180 qyteteve të 23 vendeve evropiane.

Konteinerët në stacionin e trenave të mallrave në Chongqing/ VCG

Konteinerët në stacionin e trenave të mallrave në Chongqing/ VCG

Si nyja kryesore e trenave të mallrave ndërmjet Kinës dhe Evropës, Duisbergu i Gjermanisë ka qenë dëshmitar i zhvillimit të këtij kanali logjistik gjatë 11 vjetëve. Emily Exleben, përgjegjësja e biznesit ndërkombëtar të stacionit DIT, destinacioni i trenave të mallrave Kinë-Evropë në Duisburg, i tha Grupit Mediatik të Kinës (CMG): "Gjatë këtyre 11 vjetëve, gjithnjë e më shumë qytete kineze kanë marrë pjesë në transportin ndërkombëtar të mallrave për në Evropë, përfshirë Wuhan-in, Yiwu-në, Xian-in, Dalian-in, Xiamen-in, Shangain etj. Besoj se Duisburgu do të hapë linja të reja këtë vit dhe do të vazhdojë të shpejtojë ndërtimin e infrastrukturës."

Krahas transportimit të mallrave cilësore kineze për në vendet evropiane, në përputhje me trenat e mallrave Kinë-Evropë, janë ndërtuar shumë qendra logjistike, industriale e tregtare, si dhe shumë parqe të manifakturës, të cilat kanë krijuar qindra mijë vende pune për banorët vendës. Vetëm në Portin e Duisburgut, trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë tërhequr afro njëqind kompani logjistike, të cilat kanë hapur mbi 20 mijë vende pune.

Edhe gjatë pandemisë së COVID-19 qysh nga viti 2020, trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë ruajtur funksionimin normal dhe kanë transportuar një pjesë mallrash që ishin planifikuar të mbarteshin nga linjat detare e ajrore. Trenat kanë luajtur edhe një rol strategjik gjatë pandemisë. Deri në janar të këtij viti, ata transportuan materiale parandalimi të epidemisë prej mbi 100 mijë tonësh, duke u bërë nyja e bashkëpunimit të vendeve të ndryshme në përballimin e COVID-19.

U hap më 8 mars dyqani doganor i mallrave të importuar me trenat e mallrave Kinë-Evropë në Fuzhou të Kinës Lindore/ VCG

U hap më 8 mars dyqani doganor i mallrave të importuar me trenat e mallrave Kinë-Evropë në Fuzhou të Kinës Lindore/ VCG

Me shtimin e pandërprerë të trenave që kthehen nga Evropa në Kinë, janë pasuruar edhe llojet e artikujve evropianë që kanë destinacion Kinën. Kohët e fundit, në shumë qytete kineze u hapën magazina doganore të mallrave të importuar me trenat e mallrave Kinë-Evropë. Chen Xiuqin, menaxherja e magazinës doganore të trenave të mallrave Kinë-Evropë në qytetin Fuzhou të Kinës Lindore i tha CMG-së: "Banorët vendorë kanë shumë alternativa, si për shembull këto verëra janë nga Gjeorgjia e Moldavia. Mallrat mund të mbërrijnë në dyqan vetëm 3 a 5 ditë pas dhënies së fletëporosive. Është një proces shumë i lehtë dhe i shpejtë."

Në Rrugën e lashtë e Mëndafshit ecnin karvanë devesh, ndërsa trenat e sotëm të mallrave Kinë-Evropë janë "karvanët e 'deveve të çelikut'". Me vazhdimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë kineze dhe zhvillimin e tregtisë kino-evropiane, transporti hekurudhor i mallrave ndërmjet Kinës e Evropës do të jetë më i kërkuar në të ardhmen, duke dhënë ndihmesë edhe për stabilizimin e zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit dhe për nxitjen e bashkëpunimit në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë". (Wang Lei/ Artan)