市场---[shì chǎng]---treg
Në sfondin e luhatjeve të kohëve të fundit, Kina do të mbajë stabilitetin e tregut me politika të favorshme, vuri në dukje të mërkurën Komiteti i Zhvillimit dhe i Stabilitetit Financiar i Kinës.
Foto:VCG
Duhet të zbatohen politika që ndihmojnë tregjet e kapitalit, ndërsa masat e shtrëngimit duhet të jenë të kujdesshme, u theksua në mbledhjen e këtij komiteti të drejtuar nga zv.kryeministri Liu He.
Të gjitha politikat që ushtrojnë ndikime mbi tregjet duhet të jenë të bashkërenduara paraprakisht me departamentet e administrimit financiar, që parashikimet mbi politikat të ruhen të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, sipas një njoftimi nga kjo mbledhje të publikuar në internet.
Komiteti pranë Këshillit të Shtetit të Kinës tha gjithashtu se pala kineze dhe ajo amerikane kanë ruajtur bashkëpunimin dhe kanë bërë përparim pozitiv lidhur hyrjen e kompanive kineze në tregun aksionar të ShBA-së, sipas njoftimit. Ata po punojnë mbi plane e posaçme të bashkëpunimit dhe qeveria kineze do të vazhdojë të përkrahë kompanitë vendore të hyjnë në tregjet aksionare jashtë vendit.
Rregullatorët do të nxitin e përfundojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe sa më parë rregullimin e platformave kryesore, me synim që të inkurajojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të ekonomisë së platformës me politika standarde, transparente dhe të parashikueshme.
Foto:VCG
Pjesa kontinentale e Kinës do të shtojë edhe bashkëpunimin me rregullatorët në Hong-Kong për të stabilizuar tregun financiar hongkongas.
Lidhur me biznesin e pasurive të paluajtshme, qeveria kineze do të bëjë studim dhe do të marrë masa të forta dhe efektive për të parandaluar rreziqet dhe do të shpallë masat për ndryshimin e modelit të zhvillimit të këtij sektori.
“Për tremujorin e parë, Kina do të marrë masa për stimulimin e ekonomisë dhe politikat monetare do të jenë mbështetëse për rritjen ekonomike,” u theksua në këtë mbledhje të Komitetit të Zhvillimit dhe të Stabilitetit Financiar të Kinës. (Jiang Lei)