仪式---[yí shì]---ceremoni
13 marsi i këtij viti shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Britanisë. Me këtë rast, CMG-ja ka zhvilluar aktivitetin mediatik me temën “Së bashku drejt së ardhmes”. Në ceremoninë virtuale të nisjes së këtij aktiviteti ishin të pranishëm drejtori i CMG-së Shen Haixiong, ambasadori i Kinës në Britani Zheng Zeguang, Jack Perry, djali i pjesëtarit të brezit të parë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kino-britanike, Stephen Perry, ish-zv.kryeministri britanik Michael Heseltine dhe ish-ministri i Tregtisë i Britanisë Vince Cable.
Në fjalimin e rastit, Shen Haixiong theksoi që CMG-ja e organizon këtë aktivitet me synimin për të kujtuar brezin e vjetër që ka dhënë kontribut për marrëdhëniet Kinë-Britani. CMG-ja do të luajë rolin e urës dhe, në pikënisjen e re, me kontributin e brezit të vjetër si burim energjie, do të ofrojë mbështetje për marrëdhënie kino-britanike të vazhdueshme, të hapura dhe me përfitime të përbashkëta, duke nxitur ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit, u shpreh Shen.
Ambasadori Zheng Zeguang vuri në dukje në fjalimin e tij se Kina dhe Britania duhet të shtojnë njohjen, të pakësojnë keqkuptimet, të forcojnë besimin e ndërsjellë, të trajtojnë mirë mosmarrëveshjet dhe të respektojnë interesat thelbësore të njëra-tjetrës. Krahas kësaj, duhet të shtohet dialogu i niveleve të ndryshme, të inkurajohen shkëmbimet mes dy popujve, të eksplorohet bashkëpunimi në fusha të ndryshme dhe të vazhdohet “stafeta” e brezit të vjetër të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. “Shpresojmë që më shumë ‘akullthyes’ dhe ‘urëndërtues’ të bëjnë përpjekje për të ardhmen më të bukur të marrëdhënieve Kinë-Britani, sepse kjo jo vetëm përshtatet me interesat thelbësore të të dy vendeve, por edhe është në të mirë të paqes, stabilitetit dhe lulëzimit të botës,” theksoi ambasadori i Kinës në Britani.
Presidenti i klubit britanik “Grupi 48”, Stephen Perry, është fituesi i Medaljes së Miqësisë për Reformat e Kinës, ndërsa i ati, Jack Perry, është “akullthyesi” i parë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Britani. Në ceremoninë e hapjes, Stephen Perry tha që, qysh nga viti 1953, “Grupi 48” është përpjekur për zhvillimin e tregtisë ndërmjet Kinës e Britanisë dhe Kinës e Europës. Ai u shpreh që Kina dhe bota kanë pasur ndryshime kolosale dhe është një përvojë e këndshme të përjetosh rrugën e Reformës dhe Hapjes të Kinës.
Ish-zv.kryeministri britanik, Michael Heseltine tha se Kina tani është bërë një fuqi e madhe në botë dhe marrëdhëniet e saj me vendet e tjera kanë shumë rëndësi. “Shpresojmë që këto marrëdhënie të zhvillohen mbi baza më harmonike,” vuri në dukje ai.
Ish-ministri i Tregtisë i Britanisë Vince Cable tha që pala britanike beson që kontaktet e shpeshta të tregtisë e investimeve dhe bashkëpunimi i gjerë ekonomik me Kinën përshtaten me interesat e Britanisë.
Britania është vendi i parë i madh perëndimor që njohu Kinën e Re. Të dyja vendet i vendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet tyre më 13 mars 1972. Gjatë 50 vjetëve, “akullthyesit” e të dy vendeve nga qarqet tregtare, financiare, energjetike, teknologjike, turistike, shëndetësore dhe arsimore janë bërë një urë e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e miqësisë mes dy popujve. Këtë herë, aktiviteti i organizuar nga CMG-ja do të zgjatë për mbarë vitin 2022 dhe në mënyrë të ndërthurur në internet dhe me prani fizike. Gjatë tij do të tregohen historitë e personazheve kryesore që kanë dhënë ndihmesë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe do të hidhet një vështrim në rrugën që kanë ndjekur të dy vendet për bashkëpunim dhe shmangien e zigzageve, duke trashëguar më mirë miqësinë tradicionale dhe duke hapur një kapitull më të bukur për të ardhmen.
Ceremonia e nisjes është transmetuar më 13 mars në të gjitha kanalet e CMG-së, si CGTN e “CMG News”, në aplikacionet në celular të CCTV-së dhe “CCTV News”, si edhe në mediat e huaja që kanë bashkëpunim me CMG-në. (Jiang Lei)