火车---[huǒ chē]---Tren
Qiu Rong është përgjegjës i transportit i ndërmarrjes kineze të makinerive “LonKing”. Megjithëse produktet e kompanisë, si vinçat, buldozerët etj., shiten mirë në tregjet e huaja, ai është shumë i shqetësuar. Për shkak se kontejnerët për transportin detar sigurohen me vështirësi, magazinat dhe repartet e fabrikës me sipërfaqe 20 mijë metra katrorë janë plot me produkte të gatshme. Për të lehtësuar presionin e magazinimit të tyre, Qiu Rong po bën çmos për të liruar hapësira, duke krijuar magazina ndërmjetësimi në portet Lianyungang dhe Ningbo.
Qiu Rong, përgjegjës i transportit i ndërmarrjes kineze të makinerive “LonKing”
Sipas tij, fabrika po merr porosi të shumta dhe kapaciteti i prodhimit është në gjendje t’i përballojë. Mirëpo, transporti mbetet një problem i madh, sepse pas fillimit të pandemisë, shpenzimet për transportin detar u rritën 10-15 herë dhe kontejnerët mezi gjenden.
Klientët e “LonKing”-ut janë të përqendruar kryesisht në Azinë Qendrore dhe Europë. Kështu që trenat e mallrave Kinë-Europë mund të lehtësojnë deri në njëfarë shkalle vështirësitë e transportit detar. Në krahasim me këtë të fundit, trenat kanë epërsi në sigurimin e kontejnerëve dhe në kohën e transportit. Në veçanti, hapja e linjës hekurudhore nga Shangai drejt Europës i ka ndihmuar kompanitë vendore si “LonKing” të dërgojnë shpejt produktet në Poloni dhe vende të tjera të Europës Qendrore e Lindore.
Treni i parë i mallrave Kinë-Europë filloi udhëtimin e parë nga Shangai në shtatorin e vitit 2021, duke kaluar pikat kufitare, si Alataw në Xinjiang dhe Malaszewicze në Poloni, dhe duke shkuar drejt Hamburgut të Gjermanisë. Pas një muaji, treni i mbushur me mallra për edicionin e katërt të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës u kthye në Shangai.
Kjo linjë ka tërhequr vëmendjen e shumë operatorëve të transportit në Shangai, të cilët janë të ndjeshëm për çdo ndryshim të vogël në zinxhirin ndërkombëtar të logjistikës. Meqë transporti detar nga Shangai në Hamburg zgjat mbi 40 ditë, udhëtimi hekurudhor, që mund të dërgojë mallrat brenda gjysmë muaji, ka epërsi të mëdha në kursimin e kohës.
Wang Wei, zv.kryemenaxhere e “Orient International Enterprise”
Wang Wei është përfaqësuese e Asamblesë Kombëtare Popullore dhe zv.kryemenaxhere e “Orient International Enterprise”. Si drejtuese e një kompanie të tregtisë së jashtme, ajo i kushton vëmendje të madhe përmbajtjes së raportit të punës së qeverisë lidhur me logjistikën. “Në raportin e punës të sivjetshëm përmenden thellimi i reformës në fushën e zhdoganimit dhe përshpejtimi i ndërtimit të sistemit ndërkombëtar të logjistikës për të ulur koston dhe për të ngritur efektivitetin e operatorëve të tregtisë së jashtme. Kjo është shumë e rëndësishme për ne,” tha znj. Wang.
Në sesionin e Asamblesë vitin e kaluar, ajo i propozoi qeverisë hapjen e linjës së transportit hekurudhor Kinë-Europë nga Shangai dhe për në Shangai. Sipas saj, Shangai është një ndër nyjat më të rëndësishme të tregtisë kino-europiane. Vëllimi tregtar i Deltës së Lumit Jance, ku ndodhet Shangai, zë gati gjysmën e vëllimit të eksportit dhe mbi 1/3-n e importeve të vendit. Prandaj, hapja e këtij linje ka domethënie të jashtëzakonshme për të ngritur aftësinë e qytetit në shpërndarjen e burimeve globale dhe hapjen e mëtejshme të portës ndaj botës së jashtme.
Wang Wei u shpreh se, pas hyrjes në funksionim, kjo linjë u mirëprit gjerësisht nga kompanitë vendore dhe ato afër qytetit. Kapaciteti i transportit për gjysmën e parë të këtij viti është rezervuar plotësisht. Në sesionin e sivjetshëm, ajo solli propozimin e ri për të përmirësuar më tej funksionimin e linjës, në të mirë të plotësimit të kërkesave në rritje e sipër midis Kinës dhe vendeve të RCEP-it, vendeve pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” etj.