稳定---[ wěn dìng]---Qëndrueshmëri
Në raportin e punës të mbajtur të shtunën nga kryeministri Li Keqiang në ceremoninë e hapjes së sesionit vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP), parlamenti kinez, përgjithësohen arritjet e zhvillimit të vendit në vitin e kaluar, si dhe përparësitë e punës së sivjetshme. Kreu i qeverisë kineze vuri në dukje qartazi se “do t’i japim një vend më të dukshëm stabilizimit të rritjes”. Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, sipas të cilit, një ekonomi e qëndrueshme kineze do të vijojë të jetë një “stabilizator” i ekonomisë botërore.
Vjet, pavarësisht rreziqeve dhe sfidave të shumta, Kina ka arritur si duhet objektivat kryesore të zhvillimit ekonomik. Një ndër to, është realizimi i një PBB-je prej 114.4 trilionë juanësh. “Vetëm pjesa e shtuar e rritjes shënoi vlerën 3 trilionë dollarë amerikanë, si kurrë më parë në historinë e zhvillimit ekonomik botëror”, thuhet në komentin e CMG-së.
Megjithatë, këto rezultate u arritën me përpjekje të mëdha. Tani, me vazhdimin e pandemisë, ndërlikimit të gjendjes së jashtme dhe shtimit të faktorëve të pasigurt, ekonomia kineze ndodhet para presioneve që vijnë nga tkurrja e kërkesës, tronditja e ofertës dhe parashikueshmëria e pasigurt. “Në këto rrethana, vendimi i qeverisë kineze që ta caktojë rritjen e PBB-së në 5.5% për këtë vit, ka mbajtur plotësisht parasysh situatat e brendshme e të jashtme dhe është në përputhje me realitetin, gjë që pasqyron synimin për stabilizim,” shkruhet në koment.
Përveç rritjes ekonomike, në raportin e punës që u paraqit për shqyrtim në sesionin vjetor parlamentar përmenden edhe objektiva të tjerë kryesorë për këtë vit, si shtimi i 11 milionë vendeve të reja të punës, mbajtja e përqindjes së papunësisë në zonat urbane nën 5.5% dhe e rritjes së çmimeve të konsumit në rreth 3%, prodhimi i 650 miliardëve kilogramë drithëra etj. “Këto objektiva kanë prekur fusha kryesore që kanë të bëjnë me jetesën e banorëve dhe stabilizimin e ekonomisë”, sqarohet në koment.
Për të realizuar këto synime, qeveria kineze do të rritë me dy trilionë juanë shpenzimet financiare në krahasim me vitin e kaluar dhe do të emetojë 3.65 trilionë juanë bono për pushtetin vendor, duke nxitur shtimin e efektivitetit të investimeve. Ndërkohë, do të vijojnë politikat e favorshme tatimore, posaçërisht për ndërmarrjet e vogla dhe biznesin individual. Këto do të ndihmojnë jo vetëm për të mbrojtur vendet e punës, por edhe për të kultivuar kërkesa të reja konsumi afatgjatë.
Ndërkohë, kryeministri kinez u zotua se Kina do të ngrejë në vazhdimësi nivelin e hapjes ndaj botës së jashtme, do të praktikojë më tej politikat e listës negative, do t’u ofrojë ndërmarrjeve me investime të huaja të njëjtin trajtim si atyre vendëse dhe do të përmirësojë pandërprerë mjedisin e biznesit për të tërhequr më shumë investime të huaja. Gjithashtu, Kina do të zhvillojë më shumë bashkëpunim me vendet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” e në marrëveshjen RCEP, si edhe në mekanizma të tjerë shumëpalësh të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, për përfitime reciproke.
“Një treg i hapur gjigant kinez jo vetëm do të tërheqë investime, por edhe do t’u japë ndërmarrjeve globale më shumë raste zhvillimi. Qëndrueshmëria e ekonomisë kineze, e dyta për nga madhësia në botë, patjetër do të kontribuojë më shumë për rigjallërimin e ekonomisë botërore duke qenë një stabilizator i saj”, përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)(Foto:VCG)