实验室---[shí yàn shì]---Laborator
Ditët e fundit u përurua zyrtarisht në Anhui të Kinës Qendrore Laboratori i Eksplorimit të Hapësirës së Thellë. Siç njoftohet, ky laborator do të merret me punët e ndërtimit dhe të studimit të fazës së 4-t të projektit të eksplorimit hënor dhe të studimit të projektit të eksplorimit planetar, duke ofruar një platformë të re për bashkëpunimin ndërkombëtar.
VCG
Eksplorimi i hapësirës së thellë është një drejtim i rëndësishëm i veprimtarive hapësinore të njerëzimit. Në vitet e kaluara, sonda kineze "Chang'e 4" realizoi për herë të parë uljen e butë dhe hulumtimin e vëzhgimin në anën e pasme të Hënës, kurse sonda "Chang'e 5" arriti për herë të parë në historinë e fluturimeve kozmike të Kinës të sjellë në Tokë mostra nga një trup qiellor jashtëtokësor. Përveç kësaj, Kina filloi edhe punët për eksplorimin e Marsit dhe Diellit. Kohët e fundit, Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës, provinca Anhui dhe Universiteti i Shkencës e Teknologjisë i Kinës organizuan së bashku aktivitetet e përurimit të Laboratorit të Eksplorimit të Hapësirës së Thellë. Kryeprojektuesi i projektit të eksplorimit të Hënës Wu Weiren u shpreh:
"Së pari, duhet të përkrahim projektin madhor të eksplorimit të hapësirës së thellë të vendit tonë. Së dyti, duhet të zhvillojmë studimet strategjike bazë dhe të përparuara. Së treti, duhet të krijojmë disa forca për projektet e ardhme ose të mëtejshme, duke paraqitur planet e zbatimit. Mendoj se këto janë detyrat kryesore të laboratorit tonë. Sigurisht, rezultatet tekniko-shkencore në këtë laborator mund të formojnë disa industri, duke nxitur zhvillimin kombëtar në fushën hapësinore. Me këto qëllime, formuam Laboratorin e Eksplorimit të Hapësirës së Thellë."
VCG
Njoftohet se Laboratori i Eksplorimit të Hapësirës së Thellë është një kërkesë strategjike për studimet tekniko-shkencore të përparuara botërore. Ky laborator është një institucion i ri i studimeve shkencore që integron shkencën, teknologjinë dhe inxhinierinë.
Drejtori i Administratës Kombëtare të Hapësirës të Kinës Zhang Kejian është shprehur më parë se ky laborator do të zbatojë punët e ndërtimit dhe zhvillimit të fazës së 4-t të projektit të eksplorimit të Hënës dhe të studimit mbi projektin e eksplorimit të planeteve. Laboratori gjithashtu do të udhëheqë demonstrimin dhe vënien në zbatim të projekteve të tilla si ndërtimi i Stacionit Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore dhe sistemit të mbrojtjes nga asteroidet. Ky laborator do të përfaqësojë një objekt kërkimor shkencor bazë në fushën e eksplorimit të hapësirës së thellë, duke kultivuar dhe iniciuar programe shkencore ndërkombëtare në shkallë të gjerë dhe projekte të mëdha të bashkëpunimit ndërkombëtar, si stacioni i kërkimeve hënore.
VCG
Sipas librit të bardhë "Hapësira ajrore e Kinës 2021", në pesë vjetët e ardhshëm Kina do të vazhdojë studimin e teknologjive kyçe për zbatimin e programit të eksplorimit të planeteve, lëshimin e sondës për asteroidet, përfundimin e marrjes së mostrave nga asteroidet dhe eksplorimin e kometave, kryerjen e marrjes së mostrave në Mars dhe eksplorimin e sistemit të Jupiterit etj. Wu Weiren theksoi edhe se përurimi i laboratorit do të tërheqë talentet ndërkombëtare.
"Shpresojmë se ky laborator mund të bëhet një platformë e nivelit të lartë për tërheqjen e talenteve ndërkombëtare dhe për risitë në sistemet dhe mekanizmat tekniko-shkencorë. Ne mund të bëhemi një institucion i njohur ndërkombëtar në fushën e inovacionit tekniko-shkencor për eksplorimin e hapësirës së thellë. Prandaj, detyrat e këtij laboratori janë të vështira, por besoj që ai do të ketë perspektivë të mirë. Nëse ky laborator do të funksionojë mirë, ai mund të nxitë zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së eksplorimit të hapësirës së thellë të vendit tonë, ashtu si edhe zhvillimin e industrive përkatëse," tha Wu. (Xu Guang)
VCG