雪---[xuě]---borë
Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi
Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi nga Kroacia janë prodhues bore të Federatës Ndërkombëtare të Skive. Gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit, ata dhe disa kolegë të tjerë të tyre nga vende të ndryshme përgjigjen për prodhimin e borës dhe mirëmbajtjen e pistave të borës në Yanqing.
Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi janë prodhues bore me përvojë të madhe, ndërsa Igori edhe është përgjegjës i pistës më të njohur të borës në Kroaci, që është edhe vendi ku kanë filluar stërvitjen shumë skiatorë të njohur kroatë.
Nga viti 2018 deri tani, të dy prodhuesit e borës janë të kënaqur me punën e tyre që ka zgjatur për tre vjet. Në ekipin e tyre, përveç kroatëve, ka edhe specialistë nga Suedia, Spanja, Andorra, Sllovenia etj.
"Në përgjithësi, gjithçka shkon shumë mirë. Në ekipin tonë kemi 12 kolegë kinezë që janë të shkëlqyer. Ata e duan punën e tyre dhe dëshirojnë të mësojnë sa më shumë për teknikën e prodhimit të borës. Besoj se në stinën e ardhshme të borës, ata mund të prodhojnë vetë borë dhe Federata Ndërkombëtare e Skive do ta çmojë punën e tyre," thotë Igori.
Igor Zhiljaku
Përgatitja dhe organizimi i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit u vlerësua lart nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar etj. Si specialistë në fushën e prodhimit të borës, Igori dhe Bojani i kushtojnë rëndësi vlerësimit të sportistëve dhe të trajnerëve për punën e tyre.
"Kemi folur me sportistë e trajnerë nga ShBA-ja, Austria, Sllovenia e Kroacia gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe të gjithë kanë qenë të kënaqur me cilësinë e borës. Ata kanë shprehur mendimin se fortësia e moderuar e borës gjatë këtyre Lojërave ka ndikuar në përfundimin me cilësi të lartë të garave. Vlerësimet janë pozitive dhe ata shprehën falënderime për stafin, duke thënë se pamja e jashtme, niveli i prodhimit dhe ndjenjat e sportistëve për pistat e borës janë të mira."
Por përveç vlerësimeve, ka edhe ndonjë zhurmë, përfshirë shqetësimet për "prodhimin artificial të borës" në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Lidhur me këto shqetësime, Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi përgënjeshtruan: "Njoftimet e mediave perëndimore nuk kanë asnjë bazë logjike. Autoritetet kineze të Lojërave Olimpike Dimërore kanë deklaruar se për prodhimin e borës është përdorur ujë nga rezervuarët në Yanqing, të cilët nuk kanë asnjë përmbajtje kimike. Kemi punuar që nga dita e parë këtu dhe kurrë nuk kemi planifikuar ose diskutuar mbi këtë mënyrë të prodhimit të borës. Bora prodhohet thjesht nga uji dhe, kur në pranverë të shkrijë, do të shtojë lagështinë në ajër dhe mjedisi do të jetë më i pastër," thonë ata.
Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi
Për arsye të ngarkesës së punës dhe të masave të “qarkut të mbyllur”, gjatë tre vjetëve, Igori dhe Bojani kanë qenë vetëm disa herë në qendrën e Pekinit.
"Pekini është një qytet i bukur dhe modern, por jemi shumë të zënë dhe nuk kemi shumë kohë të vizitojmë çdo pikë turistike. Kemi qenë në Murin e Madh, Pallatin e Dimrit, sheshin ‘Tiananmen’ etj. Kemi shijuar gjithashtu edhe rosën e pjekur të Pekinit," rrëfen Igori. Ndërsa për Bojanin Pallati i Dimrit është më mbresëlënësi.
Më vonë, Igor Zhiljaku dhe Bojan Dimoviçi do të vazhdojnë punët e tyre për Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit. Sipas rregullave, ata do ta përfundojnë punën brenda “qarkut të mbyllur” më 14 mars.(Çang Çuo)