外贸---[拼音]---Tregtia e jashtme
Kohët e fundit, rezultatet e tregtisë së jashtme që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) janë publikuar në mbarë krahinat e Kinës dhe eksportet në këto krahina kanë pasur një fillim të mirë. Përsonat përgjegjës theksuan se RCEP-i ka promovuar efektivisht “dy qarkullimet”: vendas e ndërkombëtar, i ka dhënë shtysë të re stabilitetit të tregtisë së jashtme e investimeve të huaja të Kinës dhe ka ndërtuar një platformë të re për të ndarë rastet e zhvillimit me botën.
Foto:VCG
Kompania “Jingdaliya” në provincën Anhui prodhon tel të emaluar dhe prodhimet e saj eksportohen kryesisht në Japoni, Korenë e Jugut etj. Me hyrjen në fuqi të RCEP-it, kjo kompani aplikoi nëpërmjet doganës për certifikatën e origjinës, duke gëzuar uljen përkatëse të tarifave preferenciale të vendeve importuese. Kjo gjë rriti efektivisht forcën konkurruese të produkteve të saj të eksportit në Japoni dhe Korenë e Jugut. Përgjegjësi i kompanisë Wang Lin tha: "Nëpërmjet ndihmës së doganës, tani kemi marrë 8 certifikata dhe vëllimi i përgjithshëm i eksporteve tona arriti 790 mijë dollarë amerikanë, duke siguruar një ulje të tarifave me vlerë prej 245 mijë juanësh. Kjo ofron përkrahje të fortë për pjesëmarrjen tonë në bashkëpunimin ndërkombëtar."
Foto:VCG
Pas Festës së Pranverës, mbi 100 trena Kinë-Europë u nisën nga Delta e lumit Jance dhe prodhimet kineze, si makineri, pajisje elektroshtëpiake inteligjente etj., u transportuan në Azinë Qendrore dhe Europë, ndërsa u mbartën mallra importi, si pajisje e pjesësh makinash etj., nga Europa në Kinë. Në portin e Qingdaos, më shumë se 100 anije mallrash kanë si destinacion portet kryesore të vendeve anëtare të RCEP-it.
Sipas statistikave, në Shangai, në muajin e parë të hyrjes në fuqi të RCEP-it, vëllimi i mallrave të import-eksportit të përfshira në sferën e tregtisë preferenciale i kaloi 2 miliardë juanët dhe në provincën Henan pati 160 milionë juanë ulje të tarifave të mallrave. Në Dalian u dhanë 1307 certifikata të origjinës dhe 470 milionë juanë mallra gëzuan ulje të tarifave. Me hyrjen në fuqi të RCEP-it, tregtia e jashtme e Kinës ka njohur një fillim të mirë në vitin 2022.
Foto:VCG
Luo Yongkun, zv.drejtor i Departamentit të Azisë Juglindore dhe Oqeanisë pranë Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Bashkëkohore të Kinës, u shpreh se RCEP-i mbulon disa fuqi të mëdha në rajonin e Azi-Paqësorit. “Bashkëpunimi me këto vende të mëdha të Azi-Paqësorit në kuadrin e RCEP-it është një kanal shumë i rëndësishëm për të ruajtur qarkullimin tonë ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, përmes bashkëpunimit me këto vende, ne mund të promovojmë më tej gjetjen dhe ndarjen e vazhdueshme të mundësive të zhvillimit në botën. Në këtë kuptim, nisja e RCEP-it do të promovojë më tej integrimin e ekonomisë së Kinës në botë,” u shpreh Luo Yongkun.
Nën ndikimin e epidemisë, rimëkëmbja ekonomike botërore është e amullt. Çmimet e transportit, lëndëve të para, energjisë etj. po rriten më tej, gjë që ka shtuar barrën e biznesit. Analistët mendojnë se, përballë situatës së ndërlikuar të tregtisë së jashtme, një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, si RCEP-i, i kanë dhënë energji stabilitetit të tregtisë së jashtme dhe të investimeve të huaja.(Çang Çuo)