危机---[wēi jī]---Krizë
Parashikimi i Perëndimit për "pushtim të afërt të Rusisë në Ukrainë" më 16 shkurt duket gjithnjë e më shumë i pamundur të ndodhë, pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë u shpreh më 15 shkurt se po tërhiqen manovrat me aleatin Bjellorusi dhe disa trupa aktualisht po kthehen në kazermat e tyre. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakharova shkroi në Facebook: “15 shkurti 2022 do të shënohet në histori si dita e dështimit të luftës propaganduese të Perëndimit.”
Ajo kishte akuzuar më herët SHBA-në dhe Britaninë për propagandimin e paligjshëm të luftës, duke përhapur frikën për të ashtuquajturin "pushtim" të Rusisë. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri një koment ironik për "datën e pushtimit", ndërsa sekretari i tij i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes Alexey Danilov u shpreh: "Ne nuk shohim një ofensivë të gjithanshme ruse më 16 ose 17 shkurt." Megjithëse gjithçka mund të ndodhë ende, duket sikur propaganda për luftë e Perëndimit ka filluar të bëhet një mashtrim.
Pavarësisht kësaj, lajmet e rreme kanë sjellë pasoja shumë reale, siç dëshmohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve në Ukrainë. Sipas njoftimeve, kur disa vende perëndimore tërhoqën shumicën e stafit të tyre diplomatik dhe të gjitha forcat e tyre ushtarake nga Ukraina, u larguan gjithashtu multimiliarderë të Ukrainës, të konsideruar si "oligarkë". Ata gjithashtu u bënë thirrje shtetasve të largohen nga Ukraina. Për shkak të frikës për luftë, disa kompani ajrore madje anuluan shumë fluturime.
Rusia shpreson të rishikojë arkitekturën evropiane të sigurisë sepse SHBA-ja ka ndryshuar gradualisht rregullat e lojës pas Luftës së Ftohtë. Zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s shkeli “Aktin Themelues Rusi-NATO 2017” duke përhapur infrastrukturën ushtarake në vendet e ish-Traktatit të Varshavës. Agjencia e inteligjencës ruse dyshon se SHBA-ja planifikon të vendosë armë goditëse pranë kufijve të vendit, ndoshta edhe armë hipersonike dhe madje në Ukrainë, duke kaluar vijat e kuqe të Rusisë.
Megjithëse bisedimet me SHBA-në dhe NATO-n nuk patën sukses të dukshëm, presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të vazhdojë diplomacinë pas një takimi të hënën në Kremlin me Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu. Zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov konfirmoi pas takimit se: "Presidenti Putin dëshiron të zhvillojë bisedime lidhur me kërkesat e vendit të tij për sigurinë.”
Pasojat ekonomike dhe financiare të kësaj fushate të luftës propaganduese kanë qenë katastrofike për Ukrainën, por ato janë shumë më të këqija për SHBA-në, sa i përket reputacionit. Tërheqja urgjente e forcave ushtarake perëndimore dhe e shumicës së diplomatëve të tyre nga Ukraina tregon se ata nuk mund të konsiderohen si "aleatë" të vërtetë. Por kjo nuk është për t'u habitur, pas asaj që ndodhi në Afganistan gushtin e kaluar. (Fani)